Opinion

Satirë / Hija e gjykatësit Duro

Ymer Minxhozi
Ymer Minxhozi

Një ditë prej ditësh, gjykatësi Duro pa se rreth tij po ndodhte një fenomen i çuditshëm. Ai konstatoi se hija e tij kishte filluar të bënte jetë më vete dhe sillej krejt e pavarur nga pronari i saj. Gjer në këto kohët e fundit ai shihte se në çdo lëvizje hija e ndiqte pas dhe e kopjonte besnikërisht kudo që shkonte, sidomos në ditët me diell, ajo nuk i ndahej për asnjë çast.

Ndërsa tani çdo gjë kishte ndryshuar.

Për t’u bindur se diçka nuk ecte, ai vendosi të bëjë një provë: u ul në karrige dhe ngriti dorën e djathtë. Hija bëri të kundërtën, u spostua nga e majta. Pastaj shkoi e u ul në kolltuk, mirëpo, hija e tij shkoi e u ul në një kanape në fund të dhomës dhe vështronte e zymtë e pa folur.

– Bobo!- thirri Duroja i tronditur. – Në qoftë se nuk jam në ëndërr, atëherë me mua ka ndodhur diçka e tmerrshme.

I shqetësuar, siç ishte, Duroja iu drejtua bashkëshortes:

– Kaliopi, eja pak. Dëgjo këtu. Unë do të kap veshin e djathtë, ti shiko me vëmendje nëse hija e dorës sime do të bëjë të njëjtin veprim. Me kujdes!

Kaliopi mbeti e shtangur. Çfarë po fliste burri i saj? Bënte shaka, apo…

– Ti mos u habit,- i tha Duroja,- ti bëj si të them unë dhe me dorën e djathtë kapi veshin e majtë që nga prapa kokës. – Hë, lëviz?

– Çfarë lëvizi, mor Duro, se po më lot mendsh?

– Hija pra, hija e dorës së djathtë.

– Unë s’shoh asgjë, – tha Kaliopi, e habitur nga veprimet e të shoqit.

– Si asgjë?! Nuk sheh hijen e dorës së djathtë që kapi veshin e majtë?

– Jo, asgjë s’shoh,- përsëriti Kaliopi, tashmë e tronditur nga kërkesat e të shoqit.

– Domethënë hija ime përsëri nuk më bindet, ë?

– Unë s’shoh asgjë, por… më duket se hija… ja ku është!

– Ku moj?

– Ja, hija e dorës tënde është ulur në kanape e po pi cigare.

– O Zot, ç’po ndodh në shtëpinë tonë?!- thirri gruaja dhe me të dyja duart kishte mbuluar fytyrën.

– E qartë. Hija më ka tradhtuar,- thirri Duroja me zë të lartë. Po pse vallë, çfarë i kam bërë unë asaj? Vetëm të mira ka parë nga unë.

Gjykatësi Duro vendosi të bisedojë me hijen e vet, si i thonë fjalës, sy ndër sy, pa praninë e medias. Madje edhe Kaliopit i tha të kalonte në kuzhinë. Ai vajti dhe u ul në kolltukun e tij dhe iu drejtua hijes me fjalët kërcënuese:

– Ju zonjë, pse e keni ndryshuar qëndrimin ndaj meje? Nuk e dini se unë jam eprori juaj, nuk e kuptoni se ju jeni hija ime?

Një zë nga prapa perdeve të rënda të dritareve, erdhi si nga fundi i dheut:

– Jooo, zotëri. Unë nuk jam më hija juaj. Ju merreni me disa gjëra të cilat unë s’i bëj dot. Unë të vij pas vetëm në ditët me diell. Kur ti futesh errësirave, unë s’të ndjek dot, flije mendjen. Mua vetëm dielli më pëlqen, prandaj…

Në fytyrën e gjykatësit Duro u vizatua një pikëpyetje: edhe kjo e paska marrë vesh? Sigurisht, ajo diçka di, sepse deri këto kohët e fundit ka ndenjur gjithmonë pranë meje, ka qenë kopja ime besnike.

– Pse, ti kujton se do të shpëtosh?- e pyeti gjykatësi hijen e vet.

Ai nuk arriti ta çojë deri në fund frazën e tij kërcënuese, në dhomë hynë dy persona të panjohur. Ata hynë pa trokitur dhe as që kërkuan ndjesë për këtë veprim brutal. Kur mbërritën në rajonin e policisë, hija e shoqëroi gjykatësin Duro deri tek porta me hekura dhe i bëri shenjë me dorë:

– Lamtumirë, shef!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button