Opinion

Se papërgjegjshmëria për jetën po shtohet!

Nga Aleksandër Çipa

Në një intervistë të tëhuajtur nga Anadolu Agency të Kryeministrit Edi Rama, shumica e mediave të vendit kishin shkëputur për evidentim deklarimin e tij: “Kisha një jetë si artist, tani kam një jetë të dytë si politikan, shpresoj që në jetën e ‘tretë’ të jem i lirë”. Të ngjan se kemi të bëjmë me një logjikë dhe ndërgjegje të mirëplanifikimit të jetës nga Kryeministri dhe politikani kryesor, aktualisht në Shqipëri. Është gati si një pasazh eseje, e cila ripublikohet në një mjedis dhe për një publik që i përjeton dhe pëson të gjitha format e vrasjes dhe ndërprerjes së jetës. Absurdi i jetëvrasjes në realitetin e Shqipërisë së pakohë, pra të Shqipërisë që tashmë kemi dy dekada e gjysmë që e konsiderojmë nën tranzicion, vijon. Ai pasurohet e shfaqet në mënyrën më të tmerrshme dhe me format më vrastare të antijetës. Dje, një 19-vjeçar në Gjirokastër, kreu një akt vetëflijimi në qendër të qytetit. Rast i rëndomtë do të thoshin kronikanët dhe reporterët e kronikës së zezë në vend. Mirëpo ngjau në qendër të qytetit, që ka një tjetër përjetim dhe tjetër ndjesi për jetëfikjet njerëzore. Në Gjirokastër kjo është një ngjarje që peshon dhe sëmbon shumë. Unë e di se në atë qytet, tjetër peshë specifike dhe tjetër mendësi ka për jetën reale dhe atë fizike të njeriut, aq më shumë të të riut. Jetëfikja e një të riu në Gjirokastër, rëndon shumë më tepër se guri në ndërgjegjen e familjarëve dhe të bashkëlagjasve, të bashkëqytetarëve dhe sidomos komunitetit. Arsyet mund të kenë shpjegim antropologjik, por edhe shumë sociopsikologjik.

Por kjo është çështje e një aspekti me shumë lidhje dhe me ndërlikime në marrëdhënien njerëzore dhe atë komunitare të qytetit. Ajo që meriton vëmendje të veçantë në këtë shkrim ka lidhje pikërisht me thelbin e saj që kumton për jetën personale Kryeministri dhe me ndërgjegjen e munguar për jetën dhe dialektikën e saj në shoqërinë shqiptare të kësaj kohe.

Ne e kemi shpërfillur, mbuluar e vrarë dialektikën dhe kuptimin e jetës së kufizuar fizike të individit në shoqërinë tonë. Shumëkush dhe qysh në krye të herës njerëzimi ka pendesën dhe dhembjen për “ikjen e pakuptueshme të kohës dhe jetës”. Nuk besohet kurrë ikja kaq e shpejtë e kohës, e cila e kalon njeriun nga njëra moshë në moshën tjetër dhe befas e merr për në amshim. Kjo ndodh, sepse shoqëria jonë jeton në zhurmat e pakuptimta dhe agresivitetin pa brendi. Politikanët e kësaj kohe në këtë vend u dalluan vetëm në dy role: disa jetuan si spartanë, edhe kur s’kishte nevojë as për luftë e as për sherre, dhe disa si të qetë e idealistë të rremë që e përdorën rolin qeverisës dhe atë të liderit për një pasurim vetjak dhe ikje në rehatinë e jetëve të veta. Matanë tyre atdheu dhe shoqëria mbeten ende në një epokë me emër absurd, sikundër quhet “koha e tranzicionit” dhe një realitet me më tepër absurditete si ky i demokracisë së paarritshme. Në këtë absurd dhe kohën pa kufi të tij, breznitë ndërrojnë e gjeneratat ia lënë vendin njëra-tjetrës. Ish-studentët e viteve ’90, tashmë janë prindër studentësh. Është jo shumë kohë, por mjaftueshëm për t’i parë e mbartur dy breza njerëzorë në harkun kohor të 25 viteve. Në skenën politike, ndryshimet dhe oratoritë janë po ato. Sikundër modelet e zgjedhjeve dhe fushatave që riciklohen mbesin po ato, me brendi dhe subjekte konflikti e tranzicioni dhe me protagonistë që mund të riciklojnë lehtësisht imazhin e shtetit qesharak. Individë në shërbim apo me uniformën e tij vërsulen mbi turmën e përdorur si xhonturq të kësaj kohe, sikundër edhe si gangsterë të dalë kohe e të provokuar me gjasme “për shkak të detyrës”.

Shqipëria ka ndryshuar dhe ia ka dalë të ikë prej gjendjes primitive të rrugëve dhe në përgjithësi të pamjes urbane dhe infrastrukturës së përgjithshme, të shekullit XIX. Por Shqipëria e shekullit XXI ka harruar dhe lënë në injorim një reformë tjetër, atë të njeriut dhe raportit të tij me jetën. Lëndimi, brengosjet dhe sidomos shtazarakësia mbi shpirtrat janë bërë frymë dhe realitet jashtë çdo kontrolli e përkujdesjeje në këtë vend. Shihni regjitë e tubimeve dhe fushatave elektorale nëpër qytete! Është diçka e pjesshme dhe e përkohshme si hipokrizia. Institucionet dhe sidomos të protagonizmit e optimizmit, shfaqen e premtojnë vetëm në një stinë, këtë të zgjedhjeve, më pas gjërat rikthehen në statusquonë e rraskapitjes dhe mjerimit social. “Fytyrat e zbehta dhe t’jeshilta” që mbesin në fatin e braktisjes dhe të greminës shpirtërore. Në këtë maskë të madhe njerëzore, janë të gjitha moshat dhe fatkeqësisht përfaqësohen të gjitha shtresat e kategoritë. Në thelbin e saj është papërgjegjshmëria për jetën, triumfi i saj sundon gjithkund e në shumëçka. Kryeministri i vendit, Edi Rama, pak kohë më parë, edhe pse me gjithë këmbëngulje dhe vendosmëri po ngjitej në krye të politikës, refuzonte të quhej politikan. E mbani mend se sa gjatë e mbajti në fuqi pohimin se “nuk ishte politikan?” Tashmë ai e ka arritur atë kohë dhe sidomos atë status për të mos i ikur më. Mirëpo, në intervistën e fundit, optimizmin e vet e ka te “jeta e tretë”, ajo që i madhohet si imazh për të qenë i lirë. Kjo mënyrë gjykimi meriton të vlejë si formë dhe brendi sjelljeje në emër dhe funksion të jetës. Kjo kohë dhe periudha e emërtuar “tranzicion” na zhbëri konceptin e vlerësimit dhe vlerësisë së jetës fizike e të kohës, nëpër të cilën konsumohen njëra pas tjetrës moshat e njeriut. Për këtë arsye, vetëflijimet e shpeshta, sikundër ajo e ndodhur dje në Gjirokastër e adoleshentit, kumbojnë në ndërgjegjen tonë soditëse më shumë se të gjitha kambanat e kishave së bashku. Por, fatkeqësisht, jetojmë në realitetin e shurdhërisë kolektive dhe institucionale. Edhe papërgjegjshmëria, edhe shurdhëria përballë jetëdashjes, po shumohen. Kjo është fatkeqësi që kapërcen pragun e së sotmes si dhembje e parathënë dhe për nesër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button