Seanca dëgjimore, pa ndikim substancial
Seanca dëgjimore, e cila do të mbahet më 21 gusht në Gjykatën Kushtetuese, për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, do të ketë karakter procedural.
Riza Smaka, njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë për “Epokën e re” se Gjykata Kushtetuese ka gjasë ta kthejë nga fillimi seancën konstituive të Kuvendit në të cilën Isa Mustafa është zgjedhur kryeparlamentar.
“Kjo seancë dëgjimore e ka karakterin procedural, ku do të dëgjohet njëra dhe pala tjetër. Eventualisht në këtë seancë do të ketë pyetje të ndërsjella dhe do të mbyllet pjesa e parë. Ndërsa pjesa e dytë e seancës është shqyrtimi i çështjes. Unë pres që Gjykata Kushtetuese, sepse edhe politika do të ketë influencë të madhe, ta kërkojë përsëritjen e procedurës së seancës konstituive. Pra, besoj se gjykata do të kërkojë që proceduara e seancës konstituive të nisë nga fillimi. Nuk po e jap këtë interpretim në bazë të komentimit të Kushtetutës, por duke pasur parasysh politikën ditore e cila është shumë e fuqishme në Gjykatën Kushtetuese. Praktikisht kjo gjykatë është instrumentalizuar në funksion të politikave ditore”, është shprehur Smaka, duke shtuar se seanca dëgjimore nuk mund të zgjasë më shumë se dy orë.
Smaka nuk e ka përjashtuar mundësinë që në seancën dëgjimore të ketë përplasje të argumenteve në mes të PDK-së dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma.
“Do të ketë përballje konfrontuese. Natyrisht se do të ketë argumente dhe kundërargumente. Ky konfrontim do të jetë i nivelit të toleruar që mund të praktikohet kudo në seancat gjyqësore”, ka thënë ai.
Në situatën e krijuar, sipas Smakës, Gjykata Kushtetuese fillimisht mund t’i japë të drejtë PDK-së për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Kjo gjykatë më siguri do t’i japë prioritet koalicionit parazgjedhor, ashtu siç ka referuar në rastin e mandatarit të qeverisë. Pastaj kryesuesja e Kuvendit, sipas diskrecionit, do t’ia jepte të drejtën edhe koalicionit paszgjedhor për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Cilido prej këtyre dy palëve do ta kishte numrin e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do ta votonte kryeparlamentarin dhe do ta zgjidhte. Kjo pak a shumë do të ishte zgjidhje racionale sepse do ta pengonte nevojën që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do t’i kushtonin Kosovës rreth 10 milionë euro”, ka deklaruar Smaka.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve kushtetuese, Fisnik Korenica, ka deklaruar se seanca dëgjimore e lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës do të ketë karakter procedural.
Ai ka thënë për “Epokën e re” se kjo seancë nuk mund të ketë ndikim substancial në vendimin që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese.
“Seanca dëgjimore, e cila pritet të mbahet më 21 gusht, është thjesht një veprim procedural. Mendoj se nuk do të ketë ndikim substancial në vendimin që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese ndaj lëndës që ka papara vetes. E para, për faktin se palët, në një rast kushtetues, avancimin e argumenteve të tyre mund ta bëjnë në formë të shkruar dhe përballja verbale është vetëm një formalitet që nuk besoj se do të ndikojë në rrjedhën kushtetuese të rastit. Dhe e dyta, për Gjykatën Kushtetuese seanca dëgjimore dhe vetë kërkesa e bllokut është vetëm një veprim i cili i mundëson publikut ta shohë sa në çfarë forme përballen verbalisht argumentet e të dyja palëve”, ka thënë Korenica.
Ai ka vlerësuar se argumentet e PDK-së dhe koalicionit paszgjedhor përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit janë të dobëta në përmbajtje.
“Mendoj se seanca nuk do të zgjasë shumë sepse përballja do të bëhet në mes të përfaqësuesve të partive politike. Prandaj nuk besoj se do të ketë deputetë të interesuar të shkojë në seancë për t’i dhënë argumentet e tyre në baza individuale. Në anën tjetër, edhe blloku i PDK-së, edhe ai koalicionit LDK-AAK-Nisma, shoh se kanë një dobësi shumë të madhe në argumentimin e kërkesave të tyre. Besoj se për shkak të dobësive të të dyja palëve, seanca dëgjimore nuk do të zgjasë shumë sepse nuk kanë çfarë të thonë më shumë se që kanë paraqitur në kërkesat e tyre”, ka deklaruar Korenica, duke e vlerësuar hap të gabuar kërkesën e koalicionit LDK-AAK-Nisma për seancë dëgjimore.
“Kërkesa e bllokut për seancë dëgjimore është veprim i gabuar, sepse veçse e kanë shtyrë se tepërmi procesin e konstituimit të institucioneve dhe në një farë forme e ka futur nën hije momentumin politikë, të cilin e pati fituar në momentin kur e ka zgjedhur Isa Mustafën në krye të Kuvendit”, është shprehur Korenica.
Korenica ka bërë me dije se janë dy skenarë që Gjykata Kushtetuese mund t’i nxjerrë në raport me kërkesën e PDK-së për seancën konstituive të Kuvendit.
“Skenari i parë mund të jetë ky: vendimi për zgjedhjen e Mustafës të shpallet kushtetues dhe të vazhdojë rrjedha normale. Kurse skenari i dytë mund të jetë të anulohet vendimi për zgjedhjen e Isa Mustafës. Megjithatë, në rast se anulohet ky vendim, çështja më e rëndësishme sesa vetë akti i anulimit të këtij vendimi është fakti nëse gjykata e sqaron se çfarë nënkuptohet me grup parlamentar, gjë që unë mendoj se është thelbi i problemit, në të cilin fillon e tërë çështja kushtetuese”, ka thënë Korenica.