Ekonomia

Sejko merr mesazh nga Uashingtoni: Vazhdoni reformat

Në datat 21-23 prill 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

Shqipëria mori pjesë në këto mbledhje me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë, me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, Zj. Elisabeta Gjoni dhe përfaqësues të lartë të saj, dhe nga Ministria e Financave, me përfaqësues Zëvendësministrin e Financave, z. Erjon Luçi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

Në Mbledhjet e Pranverës marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Ashtu siç pritej, çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet në këto takime ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se “rimëkëmbja globale po merr një shtysë të re, çmimet e mallrave po ngrihen dhe rreziqet e deflacionit po ulen. Ndërkohë që parashikimet po përmirësohen, rritja ekonomike mbetet modeste dhe subjekt i pasigurive të rritura rreth zhvillimeve politike dhe politikave të ndjekura.

Komiteti mbetet thellësisht i angazhuar për të arritur një rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme, të ekuilibruar, gjithëpërfshirëse dhe të mbështetur mbi punësimin. Për këtë, ai rekomandon vazhdimin e politikave monetare lehtësuese, zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike, vazhdimin e reformave strukturore të përgatitura sipas nevojave dhe prioriteteve, garantimin e stabilitetit financiar, si dhe rritje ekonomike më gjithëpërfshirëse.

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: nga FMN-ja me: z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së, z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Anita Tuladhar, shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Dong He, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale, dhe nga grupi i BB-së me: z. Cyril Myller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, z. Marcelo Guigale, Këshilltar pranë  BB-së, etj.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në të gjitha takimet e sipërpërmendura, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, z. Sejko theksoi se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale po kthehet gradualisht në nivelin e synuar.

Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në rreth 18%.

Bisedimet e takimeve u ndalën, gjithashtu, në masat e marra nga Banka e Shqipërisë, të mbështetura nga politika monetare stimuluese, me qëllim nxitjen e kreditimit në vend. Guvernatori theksoi se këto masa i kanë dhënë efektet e tyre duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera në vend, për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare. Guvernatori Sejko i njohu zyrtarët e lartë ndërkombëtarë lidhur me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga  Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka si qëllim kryesor përmirësimin e efektivitetit të politikës monetare dhe uljen e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.

Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Në këndvështrimin e tyre, Banka e Shqipërisë është një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj. Ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar më tej bashkëpunimin dhe asistencën teknike për institucionin tonë.

Më tej, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se sistemi bankar në Shqipëri është i konsoliduar.  Megjithatë, investimet e huaja duhet të qëndrojnë në fokus të politikave në mënyrë që të kemi një sistem financiar të sigurt dhe të shëndetshëm në afat të gjatë. Gjithashtu, një element i një rëndësie të veçantë për ekonominë, i nënvizuar gjatë diskutimeve nga ana e tyre, ishte vazhdimi i reformave dhe stabiliteti politik i vendit.

Gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni i Bankës së Shqipërisë pati rastin të kryejë takime me përfaqësues të bankave të ndryshme qendrore, mes të cilave vlen të përmendet takimi me drejtues të lartë të Bankës së Holandës dhe Bankës Kombëtare të Moldavisë. Gjatë këtyre takimeve, u vlerësuan marrëdhëniet e deritanishme midis bankave qendrore  si dhe u diskutua për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së si dhe në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.

Një tjetër aktivitet i organizuar në kuadër të këtyre mbledhjeve ishte dhe pjesëmarrja në serinë e prezantimeve “The Postcard Series” nga vendet anëtare të FMN-së, ku Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, mbajti prezantimin me temë “Forcimi i operacioneve të bankës qendrore”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button