Seksieri i integrimit dhe brezi që nuk gënjehet më!

Megjithëse Europa nuk ka shpallur ende një konkurs për sekserë të përherëshëm të autorizuar të anëtarësimit, Edi Rama dje u vetëshpall në këtë detyrë. Sipas tij, shqiptarët janë të paaftë të hyjnë në Europë pa të. Prandaj, na qenka i domosdoshëm ky , si një ndërmjetës i specializuar, një përkthyes i vullnetit kombëtar, se medemek çelësat e Brukselit janë në xhepin e tij.
Ndërsa në rrugë proteston një brez që informohet përtej propagandës së ditës , Kryeministri përpiqet t’u shpjegojë të lindurve në vitin 2008 se pa të nuk mund të shkojnë në Europë.
Por, këto të rinj nuk e njohin botën, Europën integrimin vetëm përmes fjalimeve të kryeministrit. Ata e dinë se integrimi nuk është një ekskursion i organizuar nga zyra e Kryeministrit dhe as një paketë turistike ku Rama luan njëherësh rolin e agjentit, guidës dhe arkëtarit.
Kur një kryeministër fillon të flasë për integrimin europian sikur të ishte një projekt privat, i regjistruar në emrin e tij, atëherë kemi të bëjmë me një përpjekje për ta kthyer një aspiratë kombëtare në kapital personal politik.
Në këtë logjikë, nëse kritikohet qeveria, rrezikohet integrimi; nëse protestojnë qytetarët, rrezikohet integrimi; nëse pushteti vihet para përgjegjësisë, përsëri rrezikohet integrimi. Përfundimi që Rama kërkon t’u imponojë shqiptarëve është sa absurd, aq edhe arrogant: për të hyrë në Bashkimin Europian, shqiptarët duhet të mësojnë të mos e shqetësojnë atë.
Në të vërtetë, integrimi europian është një proces shtetëror, institucional dhe kombëtar. Ai kërkon institucione funksionale, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, reforma të besueshme dhe rezultate konkrete. Nuk kërkon adhurim për kryeministrin. Aq më pak heshtje nga qytetarët.
Rama bëhet pothuajse komik kur përpiqet t’i shpjegojë këtij brezi se nuk janë të aftë të ndërtojë të ardhmen e vet pa kujdestarinë e tij politike. Për fatin e keq të tij , ky brez që kërkon të trajtohet si qytetar i lirë, jo si minoren politik siç u trajtuan prindërit e tyre deri në pleqëri, është mëse i aftë për të përcaktuar të ardhmen e vendit.
Ky është brezi që mëson, komunikon, punon, krijon dhe krahasohet çdo ditë me botën. Nuk ka nevojë që dikush t’ia vizatojë Europën në hartë e t’i tregojë se nga cila derë duhet të hyjë. Ai e di se Europa nuk është thjesht një destinacion gjeografik. Është një standard i jetës publike, një mënyrë qeverisjeje, një raport mes qytetarit dhe shtetit, ku pushteti nuk është mbi ligjin dhe qytetari nuk është në shërbim të pushtetit.
Pikërisht për këtë arsye, të rinjtë që protestojnë sot nuk po i kthejnë shpinën Europës. Përkundrazi, po kërkojnë që Shqipëria të mos mbetet europiane vetëm në fjalimet e Kryeministrit, Kos-it apo ndonjë burokrati tjetër .
Ata kërkojnë që diploma të vlejë më shumë se tesera e partisë; merita më shumë se servilizmi; ligji më shumë se mesazhet telefonike të Kryeministrit drejtuar vartësve të tij; vota më shumë se bindja ndaj kryetarit.
Kërkojnë një shtet ku e ardhmja nuk varet nga njohjet, ku institucionet nuk janë zgjatime të vullnetit të një njeriu dhe ku qytetari nuk ka nevojë të jetë i afërt me pushtetin për të pasur të drejtën e tij.
Të protestosh nuk është antieuropianizëm. Të kritikosh qeverinë nuk është pengesë për integrimin. Dhe të mos i besosh verbërisht Kryeministrit nuk është mungesë vizioni europian.
Përkundrazi, ti kërkosh llogari pushtetit është një nga mënyrat më europiane për të ushtruar qytetarinë.
ALIBIA EUROPIANE KA RËNË!
Për vite me radhë, Rama e përdori integrimin si alibi politike. Sa herë që duhej të flitej për korrupsionin, flitej për negociatat. Sa herë që duhej të jepjej llogari për funksionimin e shtetit, na tregohej flamurin europian. Sa herë që qytetarët kërkonin përgjegjësi, u kërkohej të prisnin edhe pak, sepse Europa qenkësh gjithmonë një hap larg.
As integrimi europian, as konferencat për shtyp, as fjalimet për të ardhmen dhe as përralla se Shqipëria nuk hyn dot në Europë pa ty nuk të ndihmojnë më.
Integrimi e përdore si licencë për të qeverisur pa llogaridhënie, Ndërsa Europën si alibi për Shqipërinë që nuk funksionon.
Shqiptarët nuk po të kërkojnë t’i çosh në Europë. Po të kërkojnë të mos e pengosh Shqipërinë të bëhet europiane.
Ata kërkojnë: drejtësi, dinjitet, institucione që i binden ligjit dhe jo pushtetarëve, mundësi të barabarta dhe një vend ku e ardhmja nuk blihet me lidhje politike.
Të rinjtë nuk po kërkojnë një kryeministër që u hap derën e Europës. Ata po kërkojnë që në Shqipëri të mos u mbyllen dyert e mundësive, të meritës, të lirisë dhe të së ardhmes.
Tani është qesharake të flasësh për Europën, ka ardhur koha të përgjigjesh për keq qeverisjen , edhe asnjë kapitull negociatash nuk mund ta mbyllë kapitullin e përgjegjësisë politike.
Asnjë sekser, që mendon se zotëron çelësat e integrimit , nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mes një populli dhe të ardhmes së tij



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.