Ekonomia

Serbi-Shqipëri: Hiqen vizat, ndihmë për hetimet në dogana

Nga Zamir Alushi 

kamion-500Shqipëria dhe Serbia firmosin tri marrëveshje, njëra prej të cilave për hetime të përbashkëta për zbulimin dhe ndëshkimin e shkeljeve doganore. Ndërsa, marrëveshja e dytë parashikon lëvizje të lirë të qytetarëve mes dy vendeve pa pasaporta, me vetëm kartën e identitetit. Një marrëveshje tjetër e arritur ka si objekt bashkëpunimin e të rinjve serbë dhe shqiptarë, të përfaqësuar nga shoqatat e tyre dhe nga institucionet shtetërore respektive.

Doganat

Në prani të dy kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, ka nënshkruar me ministrin e Financave të Republikës së Serbisë, Dušan Vujoviç, marrëveshjen “Për ndihmën e ndërsjellë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore”. Sipas kësaj marrëveshjeje, palët kontraktuese, nëpërmjet autoriteteve të tyre doganore dhe në përputhje me dispozitat e përcaktuara në këtë marrëveshje, do t’i mundësojnë njëra-tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që: 1) të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte dhe 2) të parandalojnë, hetojnë dhe luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor. E gjithë ndihma në kuadrin e marrëveshjes në fjalë nga secila palë do të jepet në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe brenda kompetencave e mundësive të vetë autoritetit doganor. Kjo marrëveshje synon vetëm ndihmën e ndërsjellë administrative ndërmjet palëve dhe dispozitat e saj nuk i japin të drejtë asnjë personi privat që të marrë apo përjashtojë asnjë provë ose të pengojë ekzekutimin e ndonjë kërkese. Rreth 15 biznese shqiptare, që ishin pjesë e delegacionit, morën pjesë në forumin e biznesit organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë. Forumi pati një pjesëmarrje të gjerë dhe u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e energjisë, tregtisë, ndërtimit, turizmit, bujqësisë, manifakturës, agroindustrisë dhe për produktet farmaceutike etj. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë mes dy vendeve, e cila ka ardhur në rritje. Bizneset e të dyja vendeve vlerësuan pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ftuan bizneset serbe të vijnë në Shqipëri vitin e ardhshëm për forumin e biznesit që do të organizohet nga pala jonë .

Ushqimet serbe dhe boshnjake, pa doganë

Qeveria “Berisha” hoqi taksat doganore për produktet ushqimore të prodhuara në Serbi në vitin 2011. Shqipëria dhe Serbia para tre vjetësh ranë dakord për heqjen e taksës doganore, për të gjitha produktet bujqësore. Kjo masë ishte pjesë e marrëveshjes tregtare CEFTA, për krijimin e një tregu të përbashkët me vendet e rajonit. Por, me Kosovën Berisha nuk e nënshkroi asnjëherë një marrëveshje të tillë, me gjithë kërkesat e biznesit kosovar, që ankohen për taksat doganore. Mjafton të kujtojmë këtu “embargon” për patatet kosovare apo për miellin e grurit nga Kosova, të cilave Shqipëria u vendoste çmime reference të larta që ulnin fuqinë e tyre konkurruese. Marrëveshja fillestare e tregtisë së lirë të Europës Qendrore (CEFTA 1992) u nënshkrua nga vendet e Vishegradit: Polonia, Hungaria dhe Çekosllovakia (më vonë Republika Çeke dhe Sllovake) më 21 dhjetor 1992 në Krakov të Polonisë. Më 6 prill 2006, në Bukuresht u vendos zgjerimi i marrëveshjes CEFTA drejt vendeve të tjera të Europës Juglindore, kohë në të cilën aderoi edhe Shqipëria. Në fund të marsit 2014 u miratua në Kuvend marrëveshja me Bosnjë-Hercegovinën, duke hequr (ashtu si me Serbinë), të gjitha detyrimet doganore, tarifat me efekt të njëjtë, si dhe detyrimet me natyrë fiskale në importet e produkteve bujqësore mes dy vendeve. Në nenin 14 të MSA-së me BE-në përcaktohet se ‘bashkëpunimi me vendet e tjera që marrin pjesë në procesin e stabilizim-asociimit’, parashikon që Shqipëria angazhohet në bashkëpunimin me vendet e tjera, që ende nuk kanë nënshkruar MSA-në me BE-në, veçanërisht në fushat me interes të përbashkët”. Kosova është i vetmi vend nga Ballkani Perëndimor i cili nuk e ka nënshkruar MSA-në me BE-në, por është në fazën e negocimit të saj. Deri tani, qeveria “Rama” ka marrë masa për lehtësimin e procedurave doganore, por nuk ka liberalizuar taksat doganore me Kosovën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button