Sergei Pugaçjov: Si e zgjodhëm Putinin pasardhës të Jelcinit!
Nuk është i pari që nis të rrëfehet, pasi ka pasur njohje e më pas përplasje me shefin aktual të Kremlinit. Ish-oligarku pohon se ka qenë një ndër tre njerëzit që vendosën që Putin të vijë në pushtet, duke pohuar se shefi aktual i Kremlinit, është “i dënuar” të qëndrojë në pushtet nga presioni i ish-njerëzve të KGB-së që e rrethojnë
Presidenti rus mendon se shefi që po lë postin i FIFA-s, Sepp Blatter, e meriton çmimin ‘Nobel’. Ai paralajmëron se agjentët amerikanë po bëjnë gjueti shtrigash ndaj rusëve në Perëndim. Dhe një pjesë të Ukrainës e reklamon si territor rus.
Një përgjigje për pyetjen se çfarë ndodh në mendjen e këtij njeriu, duket se e ka ndër pak të tjerë edhe Sergei Pugaçjov. Por cili është ky njeri?
Ai, për një kohë të gjatë, ka qenë një ndër bankierët më të famshëm të Moskës. Në dy mandatet e para të Putinit, Pugaçjov ishte një “peshk” i madh në Moskë. Themeloi Mezhpromback (International Industrial Bank) në vitin 1992, dhe shumë shpejt u bë i njohur si “Bankieri i Kremlinit”. Ai madje thotë se ka qenë një ndër tre personat që vendosën që Putini të vinte në pushtet.
Sidoqoftë marrëdhëniet mes Putinit dhe Pugaçjovit u zbehën në vitin 2010, dhe ky i fundit u arratis drejt Londrës në vitin 2011. Ekzili i tij nga Moska erdhi pas një ftohje graduale të marrëdhënieve me Presidentin rus dhe siç tregon Pugaçjov, më konkretisht pas një reprezaljeje të papritur të organeve qeveritare ruse ndaj “perandorisë” së tij të biznesit, e cila kapte shifrën e 15 miliardë dollarëve.
Pugaçjov posedonte dikur dy kantiere të mëdha ndërtimi anijesh, minierën më të madhe të botës dhe pasuri të patundshme me vlera domethënëse në Shën Petërburg e Moskë. Pugaçjov thotë se të gjitha këto iu morën atij nga shteti rus dhe se ai po vuan tashmë fatin e ish-sipërmarrësve të tjerë rusë para tij.
Ai është larguar madje edhe nga Britania e madhe, e ka shkuar në jug të Francës, për shkak të – siç thotë edhe vetë – kërcënimeve që ka marrë për jetën e tij e të familjarëve të vet. Sipas “The Guardian”, kjo është intervista e parë që ish-miliarderi jep, qëkurse u largua edhe nga Anglia.
Tashmë në moshën 52-vjeçare, ai kujton se ka qenë dikur këshilltar i ish-presidentit Jelcin. Në vitin 1996, ai drejtoi fushatën për rizgjedhjen e Jelcinit. “Ato ishin edhe zgjedhjet e fundit të lira në Rusi”, pohon ai. Ai e njihte Anatoly Sobchak, kryebashkiakun e Shën Petërburgut, për të cilin thotë se ishte “një figurë brilante”.
Ai gjithashtu krijoi njohje të afërta me një ndër këshilltarët e tij më pak të njohur në atë kohë, që emrin e kishte Vladimir Putin.
Tre vjet më vonë, ndërsa Jelcini ishte i sëmurë, Pugaçjov kujton se ishte pjesë e një grupimi të vogël – përfshirë edhe vajzën e Jelcinit, Tatiana dhe bashkëshortin e saj të ardhshëm, Valentin Jumashev, një këshilltar në Kremlin – ata që zgjodhën Putinin të ishte dhe pasardhës i Jelcinit. Kjo, siç pohon ai në intervistën e tij të fundit, u kthye në “një tragjedi për Rusinë”.
Më tej, duke folur për Putin, ai thotë se: “Ndërgjegjja e tij e gjitha është e shënjuar nga Bashkimi Sovjetik”. Putin ka dalë nga koha dhe e ka formësuar imazhin e tij për botën tërësisht nga ajo që shihte në TV sovjetik.
“Ai shihte Brezhnevin (ish–liderin sovjetik në vitet ’70) dhe Polit-byronë. Sikurse çdo njeri i thjeshtë, ai i formësoi mendimet e tij, duke ndjekur televizionin sovjetik”.
Putin, për këtë arsye, nuk është një “strateg” dhe në fakt “as edhe një politikan”, thotë ai.
“Ndikimi i KGB-së mbi Putinin ka qenë shumë i madh”, thotë Pugaçjov. “Megjithatë, unë nuk mendoj se Putin është një gjeni djallëzor, që ka dashur të ndërtonte këtë regjim që ekziston sot. Ai është rrethuar nga njerëz, që punojnë e mendojnë pak a shumë si ai – por të cilët, ai nuk i ka njohur fort mirë dhe që me të kanë shërbyer në KGB. Ata ia nisën menjëherë të pasuroheshin”.
“Putin dëgjon zërin e byrosë politike që e rrethon e që përbëhet nga agjentë të KGB-së. Ata janë shumë agresivë”. Për këtë arsye, Putin gjithë jetën e tij do të qëndrojë President i Rusisë. Përndryshe nuk ka asnjë garanci për të”.
Sipas disa mediave që e komentuan intervistën e ish-oligarkut rus, Pugaçjov, aludohet se ai me këtë pohim mund të ketë menduar se: nëse Putin humbet pushtetin, kundërshtarët e tij mund të hakmerreshin ndaj tij.
Përgatiti: Armand Plaka