Sergio Mattarella: Italia përkrah aderimin e Bullgarisë në Shengen
Presidenti i Republikës së Italisë Sergio Mattarella mbërriti në Bullgari për një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Rosen Plevneliev. Të dy shqyrtuan sy më sy sfidat para Bashkimit Evropian, krizën e migracionit, çështje në sferën e sigurisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.
“Bullgaria dhe Italia kanë lidhje të thella shpirtërore dhe historike. Sot ne jemi dy shtete miqësore dhe aleate, të cilat mbrojmë vlerat evropiane”, këtë e tha Kreu i Shtetit Bullgar Rosen Plevneliev pasi u takua me homologun e tij italian Sergio Mattarella. Ai komentoi gjithashtu se rreth 130 000 turistë nga Italia në vit e vizitojnë Bullgarinë, kurse Italia është tregu më i madh i mallrave bullgare pas Gjermanisë.
Rosen Plevneliev saktësoi se Bullgaria është duke luftuar bashkë me Italinë kundër terrorizmit. Sa i përket krizës së migrantëve Presidenti bullgar nënvizoi: “Ne duhet të kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive të problemeve në Siri, Irak, Afganistan”. Italia përkrah aderimin e Bullgarisë në Shengen”, vuri në dukje nga ana e vet Presidenti i Italisë Sergio Mattarella.
Ai shtoi se “kemi një vizion të përbashkët për atë që Komisioni Evropian duhet të realizojë dhe të zhvillojë. Edhe të dyja palat mendojmë se në këtë moment pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi, duhet të zgjerohet mundësia e BE-së drejt vendeve nga Ballkani Perëndimor”. Më 14 shtator në Plovdiv Sergio Mattarella do të marrë pjesë në Takimin e 12 të Presidentëve të Republikave Parlamentare të BE-së (të grupit Arajolush).