Serioziteti i padurueshëm i fanatikëve…
ALBAN DUDUSHI
E gjitha ishte tronditëse. Dhe natyrisht që bëhej dhe më tepër kur shikoje fytyrat e qeshura dhe ironike të atyre cartoonistëve që tashmë do t’i mungojnë Francës dhe më gjerë. Nuk e di nëse në atë moment të fundit e kanë pasur atë buzëqeshje në fytyrën e tyre apo ka qenë tmerri i çastit që të këput që është shfaqur. Nuk e di nëse e kanë sjellë në atë çast në mend, se si vdekja vjen dhe në mënyrë absurde për shkak të së qeshurës, për shkak të dëshirës për të bërë të tjerët për të qeshur (edhe pse për disa e tepron), për shkak se di të thuash gjëra serioze nëpërmjet së qeshurës. Ndoshta nuk do e dimë kurrë një gjë të tillë. Dhe, nisur nga klishetë, na pëlqen të mendojmë se ata kanë vajtur drejt vdekjes pikërisht me buzëqeshje. Por dimë që vrasësit në ikje e sipër, sikur ta dinin se po regjistroheshin nga celularët që gjendeshin aty, bërtitën triumfalisht: “Ne vramë Charlie Hebdo”. Kjo frazë vërtitet në mendjen time. E përkthyer ndryshe është: ne jua vramë të qeshurën. Një kërcënim i hershëm ky. Besoj e keni dëgjuar shpesh të përsëritet, madje dhe në salla Parlamenti. Por, këtë herë, e qeshura u ekzekutua vërtet në mes të Parisit.
Ç’është ky inat me të qeshurën? Kemi pranuar gjithmonë se e qeshura është gëzimi i jetës. Kemi lexuar studime që e qeshura të zgjat dhe jetën. Por kemi parë se si e qeshura edhe mund të ta shkurtojë jetën. Duket absurde që të japësh jetën për të qeshurën ashtu si e dhanë ata cartoonistë. Po pse ky inat me të qeshurën? Është e vërtetë, ndonjëherë e qeshura është vrasëse, sepse është tallja e të fortit me më të dobëtin, por në të tilla raste, ajo shkakton revolucione, në mënyrë që të kenë të gjithë të drejtë të qeshin. Europa ka pasur kohët e veta të errëta kur për të qeshurën shkoje në turrën e druve. Në diktaturat e shekullit të shkuar, në rast se qeshje me regjimin, natyrisht kishe një vend të rezervuar në qelinë e ftohtë. E megjithatë, pikërisht në atë periudhë, shoqëria ishte më pjellore se kurrë për të nxjerrë barsoleta me të shenjtët e sistemit. E qeshura ishte anija kozmike e të dobëtit, për t’u transferuar në atë hapësirë lirie ku hija e rëndë dhe serioze e “të madhërishmit”, e “të adhuruarit” nuk e arrinte dot. Ishte varka e shpëtimit nga zymtia e një ekzistence të vockël dhe të frikësuar. Kjo pra qenka e qeshura. Arratisja drejt lirisë. Tallja me të patallshmin i bënte njerëzit e vegjël dhe të nënshtruar të ndiheshin të lirë dhe të fortë. Prandaj dhe ndëshkimi ishte i rëndë. “Autoriteti” i ndruhet gjithmonë humbjes së seriozitetit. E ka frikë. E di që tek ai kufi mund të jetë dhe vdekja e tij. Kjo përplasje me të qeshurën qenka një lojë për jetë a vdekje, prandaj dhe u bëka kaq tragjike.
“Autoriteti” ka dhe ushtarët e tij. Ata ushtarë që në hapësirë lirie, në fakt, duan arratisjen prej saj. Ata fëmijë të veckël dhe të frikësuar, të cilët nuk e durojnë dot lirinë e tyre, ndihen të fyer prej saj, ndihen të shqetësuar pse të tjerët mendojnë, ndërsa ata e kanë dorëzuar trurin e tyre te “shenjtëria e autoritetit”, shqetësohen nga realitete që u prishin qetësinë e të mosmenduarit, të të mospyeturit. U prishin qetësinë e adhurimit. Dihet që në adhurim, njeriu nuk qesh. Prandaj ata janë tmerrësisht seriozë. Ata janë Fanatikët. Ç’rëndësi kanë mbiemrat? Fetarë, nacionalistë, ekologjikë, apo ideologjikë. Ata janë gjithmonë aty të gatshëm për t’iu bindur të njëjtit autoritet. Autoritetit të fryrë që e qeshura, si një gjilpërë, e hollë e shfryn për gazin e njerëzimit.