“Sfidat dhe Mundësitë për Tiranën”, Veliaj dhe Kosova shtrëngojnë duart
Ambasada Amerikane dhe revista Monitor kanë zhvilluar sot një forum me kandidatët për Bashkinë e Tiranës. Forumi i titulluar “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, u ka dhënë mundësi 5 kandidatëve që të shpalosnin platformat e tyre për qeverisjen vendore.
Kandidati i majtë Erion Veliaj dhe ai i djathtë Halim Kosova, pas orumit kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin në shenjë respekti para të pranishmëve, duke shkëmbyer batuta dhe të qeshura.
I pari që e ka marrë fjalën ka qenë kandidati i djathtë, Halim Kosova. Gjatë fjalës së tij, kandidati i së djathtës ka premtuar se do të ulë taksat në masën 30% për biznesin. Bashkia do të hapë sipas tij një fond garancie për financimin e biznesit. “Klima për biznesin do të jetë më miqësore. Do të reduktojmë burokracitë për hapjen e bizneseve dhe unë do të jem përkrah investitorëve.
Bizneset e mëdha dhe kryetari i Bashkisë po të jenë bashkë, mund të bëjnë gjëra shumë të mëdha për qytetin. Do të ndërtojmë landfillin për Tiranën, i cili do të jetë i standardeve evropiane. Prioritet në këtë sektor do të ketë edhe riciklimi i mbetjeve urbane, për t’i kthyer ato në një burim financiar”, ishin këto disa nga premtimet e Halim Kosovës.
Veliaj: Në bashki, do ndjek të njëjtën linjë si në MMRS
Pas Kosovës, fjalën e ka marrë kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka thënë se strategjia e punës së ndjekur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do ta ndjekë edhe në bashkinë e kryeqytetit.
“Strategjinë që ka funksionuar në qeveri do ta ushtroj edhe në Bashkinë e Tiranës. Iniciativa të suksesshme pranë qeverisë, si Këshilli Ekonomik, apo Këshilli i Punës janë thelbësorë për bashkinë”, ka deklaruar Veliaj.
Ish-ministri i Mirëqënies Sociale ka premtuar se brenda 100 ditëve të para Tirana do të ketë një plan zhvillimi konkret, që do të hartohet nga administrata e re e bashkisë.
Veliaj ka shtuar më tej se, në kryeqytet ka potenciale për modernizimin e tij dhe për zgjidhjen e problemeve parësore, që kanë të bëjnë me trafikun, ujërat e zeza, etj.
“Një treg ushqimor më të mirë mund ta kemi, një trafik më të mirë mund ta kemi. Nëse bashkia arrin të modernizojë shërbimet dhe kthen normalitetin në qytet, mund ta kthejë Tiranën në destinacion atraktiv për kompanitë shumëkombëshe”, ka thënë Veliaj.
Pas kandidatëve kryesorë për Tiranën, kanë folur me radhë kanadiati i pavarur Sazar Guri dhe Arben Tafaj, ndërsa kandidati tjetër i pavarur, Gjergj Bojaxhi, nuk ka pranuar të marrë pjesë në forumin e organizuar.