Sfidat e ekonomisë 2015 në këndvështrimin e ekspertëve Civici e Preçi
Akademikë të botës ekonomike, ekspertet Ardian Civici dhe Zef Preci, ndajnë të njëjtin mendim mbi sfidat e ekonomisë shqiptare për vitin 2015, të cilat do të fokusohen në tërheqen e sa më shumë investimeve të huaja dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit vendas.
Eksperti Civici shprehet se, qeveria duhet të krijojë një klimë pozitive për të tërhequr investitorët, pasi kjo është një prej kushteve për të pasur ecuri pozitive të ekonomisë. Sipas tij, viti 2014 ka lënë trashëgim një nivel të ulët të investimeve të huaja direkte të shënuara ndër vite, ndërsa është i mendimit se qeveria duhet të bëje gjithçka për të përmirësuar klimën e biznesit në mënyrë që të tërhiqen investimet.
Me rëndësi për këtë vit, sipas Civicit, është edhe rritja e kreditimit dhe e konsumit. “Ne nuk duhet të përsërisim sëmundjen e 2014, kur një pjesë e rëndësishme e investimeve publike nuk u realizuan qoftë edhe me justifikimin se kjo ndikon pozitivisht në uljen e borxhit apo uljen e defiçitit buxhetor. Është imediate një politikë shumë agresive në drejtim të thithjes së investimeve të huaja direkte. Gjatë 2014 jo vetëm që nuk patëm investime të huaja direkte, por një pjesë e madhe e kompanive transferuan valutë jashtë vendit. E investuan në tregje ose ekonomi të tjera, çka është negative”, thotë ai.
Ndërsa në lidhje me fenomenin e forcimit të euros përballë lekut edhe pse në tregjet ndërkombëtare është dobësuar, Civici e shpjegon me faktin e euroizimit. ”Në rastin e euros ndihet më pak, sepse duke qenë një vend me shkallë të lartë euroizimi, Shqipëria llogaritet në nivelet 30 – 35 % e eurozuar, çka do të thotë se 30- 25 % e çmimeve duke nisur nga pagesat e shkollave makinave e shtëpive, të cilat janë direkt në euro. Gjithashtu dhe kreditë, është fakt që një pjesë e rëndësishme janë marrë në euro. Ne jemi një vend me dy monedha”, thote ai.
Për ekspertin e ekonomisë Zef Preci, lidhur me pritshmëritë ekonomike të këtij viti kërkohet, zbatimi i reformave që sapo kanë nisur, të cilat sipas tij, do të jenë të vështira, sidomos në sektorin energjetik.
“Këto reforma janë në drejtimin e duhur, janë të nevojshme, por gjithsesi mbetet për të parë në çfare mënyrë e çfare masë dhe si mund të ecet frontalisht në disa drejtime njëkohësisht. Mangësia e shfaqur ka qenë mungesa e bashkëpunimit të opozitës, fakti që këto reforma nuk kanë mundur të gjejnë mbështetjen e saj dhe për rrjedhojë një pjesë e opinionit është e corientuar lidhur me efektet e tyre. Kerkohet bashkëpunimi ndërmjet hallkave të shtetit për të detyruar pagesën e energjisë nga individë dhe biznese që mund dhe duhet të paguajnë”, thotë Preci.
Sipas tij, qeveria duhet të bëjë kujdes me kontrollin mbi deficitit dhe borxhin. Ndërsa vlerëson se pëpjekja e ndëshkueshmërisë e qeverisë Rama në 2014, duhet bazuar në ligj dhe kushtetutë, pasi dënimin e jep gjykata dhe jo qeveria.
“Është një përpjekje që është fokusuar kryesisht në stabilizimin e funksionimit të shtetit në mbrojtjen e territorit, që lidhet qoftë me të shkuarën politike të zotit Rama si kryetar bashkie, qoftë dhe me përpjekjet që duheshin bërë për të ndaluar ndërtimet e paligjshme. Njëkohësisht dhe disa elementë të tjerë që lidhen me gjysmën e dytë të 2014 me ndëshkimin e paligjshmërive në shfrytëzimin e utiliteteve publike, kryesisht energjisë. Natyrisht, kritika sipas meje vjen për faktin që ka një lloj anashkalimi të gjykatave dhe në të njëjtën kohë kemi përdorim të fjalës ‘burg’ si element ndëshkimi, kur Kushtetuta parashikon që askujt nuk mund t’i hiqet liria për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale ndaj palëve të treta”, vijon Preci.
Ajo që u duk pozitive në 2014 ishte shlyerja e detyrimeve ndaj sipërmarrjes private, ku gjatë vitit që u mbyll u dhanë 350 milionë dollare.
“Kombinim faktorësh negative që u shtohet dhe rritja e taksave, vendosja e tatimit të përshkallëzuar për taksën mbi punën, kanë çuar në një rritje ekonomike tejet modeste, nën pritshmëritë dhe njëkohësisht kane lënë të hapur terrenin që ndoshta dhe viti që hymë të jetë një vit krejt i ngjashëm me 2014″, thotë ai.
Rritja ekonomike për 2014 parashikohet në 2.1 %, ndërsa për vitin 2015, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 3 %.