Shkruajnë: Burim RAMADANI dhe Tahir AHMETI
Një manual i sfidave të sigurisë – nga brenda e nga jashtë – për Kosovën e vitit 2018. Ballafaqimi me dimensionet e “forta” të këtyre sfidave duhet të bëhet në partneritet të thelluar me SHBA-në. Ndërsa, ballafaqimi me dimensionet e “buta” të këtyre sfidave duhet të bëhet në partneritet edhe me BE-në (kështu siç është!) dhe vendet e rajonit, si mekanizma shtesë strategjik në partneritetin Kosovë-SHBA.
Kosova po hyn edhe në një vit me shumë sfida të sigurisë. Viti 2018 mund të jetë edhe më i ndjeshëm, nga brenda e nga jashtë, nëse analizojmë gjendjen aktuale dhe trendin e paraqitjes së sfidave të sigurisë. Madje, ky trend nuk duhet matur vetëm në Kosovë e në Ballkan, por edhe më gjerë, të paktën në kontinentin e Evropës dhe ëndrrën e lënduar dukshëm të supermacisë së BE-së.
Ballafaqimi me dimensionet e “forta” të këtyre sfidave duhet të bëhet në partneritet të thelluar me SHBA-në. Ndërsa, ballafaqimi me dimensionet e “buta” të këtyre sfidave duhet të bëhet në partneritet edhe me BE-në (kështu siç është!) dhe vendet e rajonit, si mekanizma shtesë strategjik në partneritetin Kosovë-SHBA.
Sfidat e brendshme – Nga thellimi i ndarjeve deri te fatkeqësitë natyrore
Sigurisht, nuk mund të pretendohet të listohen saktë dhe pashmangie të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë në Kosovë. Por, një listë elementare do të përfshinte të paktën këto sfida:
Ndarjet shoqërore: Shoqëria kosovare është duke arritur në majat më të larta të luhatjes së mundësisë që ‘multi-kulturalizmi kosovar” të funksionojë. Për një kohë, tashmë narracioni politik dhe shoqëror po vë në pah dallimet etnike, fetare, krahinore, politike, gjinore, ideologjike, orientimit seksual, profesionit dhe aspektit social. Një investim i tillë, nga kushdo qoftë, jo vetëm që ka ndërtuar një momentum kritik për solidaritetin shoqëror, por edhe ka shkaktuar thellim të ndarjeve të brendshme.
Tejkalimi i kësaj do të mund të zbehte argumentet që çojnë në ndarjet edhe institucionale kosovare apo, për më keq, edhe territoriale, duke synuar domosdoshmërisht ndërtimin e solidaritetit mes njerëzve në shoqërinë kosovare.
Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi: Ideologjitë ekstremiste kanë mbetur edhe më tutje këtu. Madje, këto ideologji nuk janë vetëm ato që vijnë nga vendet jodemokratike të Lindjes së Mesme dhe që vazhdojnë manipulimin e ndjenjave fetare tek të rinjtë e Kosovës. Megjithë veprimet institucionale të deritashme, niveli i radikalizimit të të rinjve mbetet shqetësues, konfusioni identitar mbetet i lartë, pakënaqësitë e perceptuara jo lehtësisht zbuten, sikurse edhe propaganda online është vazhdimisht ndikuese dhe manipuluese.
Siguria publike: Jo pak veprime duhet të ndodhin për të përmirësuar sigurinë publike në tërësi. Qasja e re kundër shpërndarjes së drogave nëpër shkolla, që kemi parë si prioritizim i Kryeministrit për punën e Policisë, duhet të ndiqet në të gjitha dimensionet e saj.
Qajse të tillë prioritare duhet dhënë që nga krimet e vogla, vandalizmi, dhuna, armëmbajtjet pa leje, biznesi ilegal i “lëmoshë-kërkuesve”, aksidentet makabre në komunikacionin rrugor, prerja e pyjeve, zjarrëvëniet e qëllimshme, menaxhimi i mbeturinave, pastërtia e ujit të pijshëm, pastëria e ajrit, dhuna familjare, sigurimi i daljeve emergjente në ndërtesat e banimit kolektiv, inspektimit të ndërtimit, mundësisë së lëvizjes për këmbësorët dhe veçanërisht për personat e aftësi të kufizuara,
Zbatimi i ligjit: Jo rrallë dëgjojmë formulimin “ligjet janë të mira, por nuk po zbatohen”. Kjo frazë, në realitet, ka vazhduar të reflektojë një sfidë në rritje të sigurisë në Kosovë. Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të reformohen, t’i shtohen kapacitetet hetuese dhe vepruese, të rinohen dhe të mbikëqyren rreptë në bazë të matjes së performancës së tyre.
Për gati një dekadë të humbjes pothuajse totale të besimit publik në këto institucione, moszbatimi i ligjit mund të analizohet si një prej sfidave kryesore të sigurisë në Kosovë.
Fatkeqësitë natyrore: Jo pse mund të analizojmë mundësinë e ndodhjes së ndonjë fatkeqësie natyrore, porse duhet analizuar përgatitjet e institucioneve të Kosovës për t’u ballafaquar me këto fatkeqësi nëse ndodhin.
Një rishikim i plotë i institucioneve, përgjegjësive të tyre, kapaciteteve humane dhe teknike, aftësisë së tyre vepruese, buxhetit të tyre dhe koordinimit mes tyre është i domosdoshëm.
Gjendja e institucioneve të sektorit të sigurisë: Institucionet e sigurisë në Kosovë sillen në rreth vicioz. I ngjajnë njëra-tjetrës në gabimet, derisa nuk kanë arritur të zhvillojnë përparësitë e veta në raport me institucionet e sigurisë në rajon. As investimet buxhetore nuk i kanë dhënë hapësirën e nevojshme, as përkushtimi dhe profesionalizmi i këtyrë institucioneve nuk është në trendin e vet më të mirë.
Një “Qendër Fuzionuese” në kohë reale të paktën do të përmirësonte dukshëm komunikimin dhe koordinimin midis institucioneve të sigurisë. Përderisa, një plan reformues përmbajtjesor do të arrinte të rikthente përparësitë e këtyre institucioneve.
Është e qartë se sektori i sigurisë në Kosovë, për dallim nga vendet në rajon, nuk vuan as nga e kaluara hegjemonike dhe as nga e kaluara komuniste. Ky super-avantazh duhet të kthehet në super-investim.
Sfidat e jashtme – Serbia, Rusia, krimet kibernetike e transnacionale, BE e lënduar
Sfidat e jashtme të sigurisë së Kosovës nuk duket që do të jenë më të thjeshtëzuara gjatë vitit 2018 sesa deri më tash. Shumica e këtyre sfidave vazhdimisht sofistikohen dhe kështu ndërlikojnë mundësitë e Kosovës për t’u ballafaquar efektshmërisht me to.
Serbia: Pretendimet politike dhe territoriale nuk janë të reja dhe nuk janë më të fuqishme se që ishin në vitet e 1990-ta. Sidoqoftë, pretendimet e këtilla vazhdimisht shkaktojnë vështirësi në shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës. Një proces jo i lehtë i dialogut në Bruksel, është përcjellë në vijimësi me ndërhyrje direkte të Serbisë brenda shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.
Tashmë, kur Serbia ka marrë shenja serioze të garantimit të anëtarësimit të saj në BE, plani i saj për “ndryshimin e dy Kushtetutave” mund të reflektohet si sfidë edhe e sigurisë brenda Kosovës.
Rusia: Përhapja e ndikimit rus në Ballkan dhe në Kosovë është politikë zyrtare e Kremlinit. Rrezja e veprimit të këtij ndikimi neo-perandorak rus ka arritur që, përmes të ashtuquajturës “Qendra Humanitare Ruso-Serbe” në Nish të Serbisë, të prek komunitetet etnike joshumicë, shoqërinë civile, mediat, bizneset (i)legale, si dhe thellimin e ndarjeve shoqërore në Kosovë.
Krimet kibernetike: Një sfidë kryesisht e jashtme, e cila ka terren të mjaftueshëm brenda Kosovës. Rritja e krimit kibernetik nëpër botë, kryesisht nga Departamente Speciale të Rusisë, ka aftësi të mëdha në kontrollimin, madje edhe dëmtimin, e kësaj fushe në Kosovë, qoftë në aspektin institucional, qoftë në aspektin e të dhënave personale dhe privatësisë së qytetarëve të Kosovës.
Krimi i organizuar transnacional: Mungesat e vazhdueshme në luftimin e krimit të organizuar transnacional kanë marrë vlerësimin se Kosova mbetet vend transit, por edhe destinacion për shumë lloje të tij. Trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni – që bartë sëmundjet me vete, kontrabanda – që dëmton ekonominë lojale, janë jashtëzakonisht dëmtuese për sigurinë e Kosovës, sidomos kur kombinohen me sfidat tjera.
Institucionet jo-njohëse të shtetësisë së Kosovës: Megjithëse kjo do të mund të konsiderohej edhe si sfidë e brendshme, problem serioz për sigurinë kombëtare të Kosovës mbetet fakti i operimit të organizatave multi-laterale, të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Si të tilla, këto organizata jorallë mund të jenë mekanizëm i fuqishëm i spiunazhës së shteteve jomike të Kosovës, të cilat janë të përfaqësuara në nivele të rëndësishme brenda tyre.
Problemet në BE: Ëndrra dukshëm e lënduar e BE-së, sidomos pas krizës financiare, BREXIT-it, forcimit të të djathtës ekstreme dhe, së fundmi, situatës në Kataloni, reflektojnë pamundësi të njohjes së shpejtë të shtetësisë së Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së dhe, rrjedhimisht, dëmtojnë edhe më tutje ëndrrën evropiane të Kosovës. Një situatë e këtillë konfuze e BE-së, qartësisht ndikon në mundësitë e Kosovës që të realizojë alternativën e vetme të saj, duke e vendosur kështu në terren jo krejtësisht të vështirë për depërtimin e “alternativave” tjera, krejtësisht jodemokratike.
Përfundimisht, një ‘manual i thjeshtë’ i sfidave të sigurisë – nga brenda e nga jashtë – për Kosovën e vitit 2018 do të duhej të ndërtohej dhe analizohej deri në detajet më të hollësishme.
Një qasje nacionale, pastaj, do të mund të hynte në funksion.
Por, thellimi serioz i partneritetit me SHBA-në është i patjetërsueshëm.