Kronika

Sharrë: Të miturit që pastrojnë varret, për të ngrënë bukë

Historia e dy vëllezërve që shkollohen ditën e punojnë natën në parcela

Nga Ilda Hoxha

femijeNjë sërë arsyesh i detyrojnë njerëzit të kryejnë punë të ndryshme, por një fëmijë 8-vjeçar që pastron varret, kjo është e tepërt! Pas një udhëtimi 45 minutash nga qendra e Tiranës, mbërrijmë në varrezat e Sharrës. Që në hyrje të tyre, shohim shitës lulesh, midis të cilëve edhe fëmijë që përplasen me njëri-tjetrin në mënyrë që të jenë ata të parët që do të shesin lule. Për fat të keq, kjo nuk është asgjë, përpara një numri të madh fëmijësh të tjerë, që qëndrojnë pranë këtyre varrezave për të bërë pastrimin e tyre. Duket absurde, por ndodh rëndom në realitetin tonë. Fëmijë të moshës 6, 8 e 10 vjeç që pastrojnë varret. Për këdo kjo punë do të ishte një sfidë dhe frikë e madhe, por jo për këto “trima” të vegjël. Një çmenduri, fëmijë të mitur, në fazën ku ende nuk njohin asgjë nga jeta, shërbejnë në fundin e saj. Në varrezat e Sharrës në Tiranë shikon çdo ditë fëmijët të imët, të cilët rrinë me shpresën se dikush do t’i marrë për të pastruar ndonjë varr. E frikshme, si mundet një 6- vjeçar të bëhet pjesë e kësaj mizorie, por shpeshherë janë rrethana, të cilave nuk u shmangesh dot, sado të përpiqesh. Këta mirëmbajtës të vegjël, presin që në hyrje, aty të ulur midis varreve, me një sqepar në dorë. Janë të shumtë dhe thuhet se numri i fëmijëve që pastrojnë varret shkon rreth 100. Ndër të tjera mësojmë se janë banorë të shtëpive pranë Sharrës dhe kjo është një ndër punët që praktikohet jo vetëm nga të vegjlit, por edhe nga prindërit e tyre. Në një masë të madhe, ata e sigurojnë jetesën këtu, me sytë nga qielli që dikush të ketë disa barishte për të hequr. Ndodh e njëjta situatë, jo vetëm në varrezat e Sharrës, por edhe në të tjera. Gjatë vëzhgimit tonë pamë edhe fëmijë të tjerë, por ndër ta na bënë përshtypje dy vëllezër, me trup të vogël.

Fëmijët

Dy prej fëmijëve që ndeshëm ishin vëllezër me të njëjtat iniciale S.Xh., përkatësisht të moshës 8 dhe 10 vjeç. Më i vogli tregon se ndihmon vëllain e tij, madje shton se ka rreth dy vjet që e bën këtë punë. Më tej, ai thotë se gjatë periudhës së shkollës, punojnë vetëm pasdite, ndërkohë tani, rrinë gjithë ditën në pritje të njerëzve që vijnë në varreza. Një punë e tmerrshme, e frikshme, totalisht e paperceptueshme për t’u bërë nga një fëmijë. Më i vogli, S.Xh., tregon se tashmë e ka kaluar fazën e frikës. “Kam nisur punën me vëllain që kur isha 6 vjeç, ndërsa vëllai ishte 8. Në fillim kisha pak frikë dhe trembesha natën. Tani nuk kam frikë fare, iki dhe vetëm atje te varrezat më lart”, tregon vogëlushi. Ndërkohë, vëllai tjetër, edhe ai me inicialet S.Xh., tregohet më i rezervuar, por thotë se kanë nevojë për para. Më pas vogëlushët rrëfejnë se i ati nuk punon më, pasi ka rënë nga skela, ndërkohë herë pas here pastron ndonjë varr. “Babi punoi dje dhe mori 1 mijë e 500 lekë. U gëzuam shumë”, tregon një prej fëmijëve. Ata më tregojnë se e ëma punon në shtypshkronjë, por nuk merr shumë para, sa për të mbajtur një familje prej 6 anëtarësh. Ata jetojnë me gjyshen, vëllain më të vogël, babin dhe nënën. Shtëpia e tyre ndodhet pranë varrezave.

Për punën e tyre, të vegjlit shtojnë se marrin 100-200 lekë për një pastrim që bëjnë te një varr. “Ka raste kur ne marrim më shumë, por të gjithë kaq na japin”, tregon fëmija 10-vjeçar. Të miturit ndjekin shkollën gjatë periudhës së saj, ndërsa menjëherë pas mbarimit të saj, çdo pasdite i gjen aty, të ulur mes të vdekurve në pritje të njerëzve. Dikush me sqepar në dorë, një tjetër me lule, pak më tutje një tjetër fëmijë me lecka në duar, të gjithë kanë një gjë të përbashkët, dëshirën për të punuar dhe për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Përpos këtyre dy vogëlushëve, pak më tej shohim një grumbull fëmijësh, që prisnin tek varrosej një njeri. Të gjithë me shishe uji në dorë, rreth dhjetë fëmijë, që kërkonin të lanin duart e njerëzve që preknin dheun. Një gjendje kjo që të krijon ndjesinë më të shëmtuar në botë. E pamundur – do të mendonte gjithkush, – por këtë e gjeni në Shqipërinë tonë. Larja e varreve, heqja e barishteve dhe e gjitha kjo nga fëmijët, për një pagesë qesharake nga të afërmit e njerëzve të larguar nga kjo botë. Në këto varreza ka edhe një numër të punësuarish nga institucioni përgjegjës për to. Puna e tyre është vetëm pastrimi i barishteve në rrugë, ndërkohë pastrimi i varreve nuk është përgjegjësi i tyre.

Në Sharrë ka një numër të madh familjesh të ardhura nga zona të thella të vendit dhe sot për të mbijetuar detyrohen të bëhen mirëmbajtës të varrezave. Fakti që aty punojnë mjaft fëmijë, tregon edhe për një skamje të kësaj zone, pasi me bindje mund të themi që askush nuk dëshiron, aq më pak një fëmijë, të punojë aty. Krijesat më të pafajshme detyrohen të bëhen pjesë e një realiteti që qëndron shumë larg tyre. Një pjesë ndjekin këmba-këmbës vizitorët dhe luten që t’i marrin për të hequr barishtet, të tjerë që presin me shishe uji në duar, kur dikush varroset për t’i larë duart njerëzve dhe në këtë mënyrë të marrin ndonjë qindarkë. Ky është realiteti ynë. Me plot gojën të drejtat e tyre nuk mbrohen. Si mund të lejohet një situatë e tillë, së pari mosha nuk e lejon punën dhe aq më tepër një punë si kjo, për një 8-vjeçar, apo edhe për një fëmijë 10-vjeçar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button