SHBA-ja nis hetim për tarifa të reja ndaj BE-së dhe vendeve të tjera
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka nisur një hetim të ri tregtar që mund të çojë në vendosjen e tarifave të reja ndaj importeve nga disa vende partnere, pasi politika e tij tregtare është përballur së fundmi me pengesa ligjore.
Zyra e përfaqësuesit të Departamentit Amerikan të Tregtisë njoftoi dje në mbrëmje se hetimi do të shqyrtonte nëse mbikapaciteti strukturor në sektorët e prodhimit në Bashkimin Evropian dhe në ekonomi të tjera po dëmton ekonominë amerikane.
Përveç BE-së, hetimi do të përfshijë edhe disa vende të tjera, si, Zvicra, Norvegjia, Kina, Japonia, Meksika, Tajvani dhe India, si dhe disa shtete të tjera aziatike.
Shqyrtimi bazohet në një dispozitë të një ligji tregtar amerikan të vitit 1974, i cili në të kaluarën është përdorur për të vendosur tarifa ndëshkuese, përfshirë edhe ndaj Kinës.
Në shkurt, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ndaloi Trump të vendoste tarifa përmes urdhrave ekzekutivë duke përdorur një ligj tjetër.
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar 2025, Trump ka vendosur tarifa ndaj mallrave te importuara nga dhjetëra partnerë tregtarë, pa miratimin e Kongresit.
Pas vendimit të gjykatës, Trump deklaroi se do të përdorte mekanizma të tjerë ligjorë për të vazhduar politikën e tij tarifore dhe vendosi shpejt disa tarifa të përkohshme.
Seancat publike për hetimin e ri tregtar janë planifikuar të zhvillohen në maj, ndërsa qeveritë e vendeve të prekura do të konsultohen gjithashtu.
Deri tani nuk është bërë e ditur se cilët sektorë të prodhimit do të analizohen konkretisht.
Në njoftim thuhet gjithashtu se disa vende, përfshirë Gjermaninë, kanë tepricë të madhe tregtare, duke përmendur eksportet nga sektorë si automobilët, makineritë, farmaceutika dhe kimikatet.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.