Kronika

Shefi i shtabit të FA-ve: Përmbytjet, situata me urat alarmante, mundësitë tona janë të limituara

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, ishte sot 5 shkurt 2018, në studion e Report Tv, ku foli për operacionin më të fundit të forcave të FA në zonat e prekura nga përmbytjet. Kollçaku deklaroi se në tri ditë operacion për të shpëtuar të prekurit nga përmbytjet zbritën në terren mbi 200 forca të FA, mbi 40 mjete dhe 2 helikopterë. Kollçaku vuri alarmin tek urat e dëmtuara nga dy përmbytjet e fundit, ajo e fillimit të dhjetorit 2017, dhe kjo e fillimit të shkurtit, duke thënë se janë rreth 75 ura që kanë pësuar probleme. Shefi i Shtabit të FA tha se urat janë të kushtueshme dhe është kërkuar ndihma e aleatëve për ndërtimin e tyre, ndërsa kritikoi pushtetin lokal, duke thënë se ky i fundit duhet të ndërhyjë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e urave të përhershme. Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ndërton ura të përkohshme dhe nëse ata nuk mirëmbahen nga bashkitë vendi do të përballet me një situatë alarmante në një përmbytje të radhës.

“Situatën e kemi ndjekur me shumë kujdes, që ditën e premte ne nxorëm urdhër që vumë në gatishmëri të gjitha mjetet. Ditën e premte dhe të shtunë të gjitha forcat tona kanë qenë në gatishmëri. Aksioni filloi të shtunën, vendi u përfshi nga stuhi që shkaktuan dëme, në një kohë të shkurtër. Rasti i parë ishte në Zall-Bastar, ku disa qytetarë kishin mbetur në mes të lumit. Çuam menjëherë forcat e shpëtimit, ku arritën të evakuohen njerëzit, ndërsa mjeti u nxor ditën tjetër. Duke u gdhirë dita e diel situata u vështirësua në dy anët e Vjosës. Eksperienca e fituar dhe mësimet e nxjerra në përmbytjen e muajit dhjetor ishin avantazh për FA. Pati një rakordim shumë më të mirë, duke ditur vendet që mund të përmbyteshin, duke njoftuar banorët për t’u evakuuar në kohë. Të dielën në mëngjes forcat tona evakuuan më së shumti familjet, bagëtinë. Në drekë, pati banorë që kishin rezistuar ose nuk bashkëpunuan me forcat tona dhe kërkuan ndihmë për t’u evakuuar. Pati rakordim të shkëlqyer mes forcave tona. Vijoi operacion shumë i vështirë gjatë natës në Ferras, ku u evakuuan 7 banorë dhe një i sëmurë që u çua në spital. Nuk pati humbje jetë njerëzish, edhe pse situata ishte shumë e rrezikshme”, sqaroi Kollçaku.

Si punuat, si ishte situata krahasuar me muajt më parë?

Situata ishte thuajse e njëjtë, përgatitja, puna paraprake nga pushteti lokal, vënia në punë e hidrovorëve, puna për evakuime, rezultoi me sukses dhe na lehtësoi punën. Edhe bashkëpunimi i komunitetit duke dëgjuar këshillat e FA dhe policisë.

Cili është numri i FA të angazhuara?

Në 3 ditë kanë qenë mbi 200 forca në terren, mbi 40 mjete dhe 2 helikopterë. Kanë qenë forca të gatshme rreth 1000, të gatshme për të ndërhyrë.

Kemi problematikë sa i përket mjeteve? Na u ofrua ndihmë në dhjetor nga fqinjët, pse ndodh kjo?

Misioni kryesor i FA është mbrojtja dhe siguria e vendit. Ndihma e EC është mision i dytë. Kemi kapacitet që janë unike në nivel kombëtar. Kërkesa për mjete është prioritet i ministrisë në planin e modernizimit të FA. Këto mjete do të rrisin kapacitetin dhe do bëjnë më të lehtë punën. Kemi nevojë për më shumë, mjete më moderne, flotën ajrore, që i ka bërë detyrat shumë mirë, duke bërë të mundur edhe misionet për gjatë natës. Plani i modernizimit do arrijë përfshirja e flotës ajrore.

Për çfarë afatesh flasim?

Afate mujore, brenda këtij viti. Pajisje individuale për pilotët, për shuarje zjarresh. Janë në planet afatshkurtër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ka nevojë për trajnime?

Pa diskutim. Ne kemi eksperiencat më të mira.

Në fund të kësaj historie përmbytjeje të gjithë themi që nuk ka pasur humbje jetësh, çështje fati?

Jo, nuk është çështje fati. Ju shikoni momentin e finalizimit. Ka të bëjë informacioni, bashkëpunimi, koordinimi i shkëlqyer mes FA dhe policisë. Është çështje gatishmërie, angazhimi, plane të qarta, njerëzit kanë sakrifikuar, janë në kushte ekstreme. Duke menduar se shkurtojnë kohë, në fakt e zgjasin kohën. Të parët që reagojnë janë kryepleqtë, forcat tona, që njohin vendin, kanë harta të qarta, dinë rrugët, hilet e motit. Ata mund të ndihmojnë shumë mirë për të kryer një operacion.

Nuk janë kursyer dhe ura nga përmbytjet…

Është diskutuar, madje kishte dhe zëra që urat nuk janë bërë mirë, me cilësi nga ministria. Urat që ndërton MM janë të përkohshme, për një periudhë 3-6 mujore dhe bashkitë duhet të investojnë për të ndërtuar ura të përhershme. Është harruar të mirëmbahen ato ura nga pushteti lokal. MM e ka ngritur këtë shqetësim, që bashkitë, komunat duhet të investojnë për të mirëmbajtur dhe ruajtur këto ura.

Sa ura kemi problematike dhe improvizore?

Bëhet fjalë për rreth 75 ura të dëmtuara në gjithë Shqipërinë, edhe disa nga ato provizoret. MM ka riparuar deri tani gati 10 ura, dhe disa të tjera në proces.

A mund të themi që kemi probleme me urat?

Po situata është alarmante, ndërtimi i urave është i kushtueshëm, ne duhet të kujdesemi që urat të mos dëmtohen nga gërryerjet, kalimi i mjeteve me tonazh të rëndë, mos mirëmbajtja.

Nëse do kemi përmbytjet e para 3 muajve, me këtë lloj situate çfarë do ndodh?

Ne kemi bërë vlerësim, por kapacitetet tona janë të limituara. Pas vlerësimit, kemi bërë një plan për ndërhyrje. Janë të kushtueshme urat, ndaj kemi kërkuar ndërhyrje nga aleatët, pasi mund të përballemi me situata katastrofale.

Shkodra në rrezik, jemi të gatshëm?

E ndjekim me vëmendje situatën e motit. Nuk e ndalojmë dot shiun e borën, por marrim masat për të qenë në gatishmëri. Kemi strukturat tona në Shkodër, kemi njësi nga Tirana me mjete dhe personel të trajnuar të gatshëm për të ndërhyrë, nëse do të kërkohet.

Po sa i përket Fierit e Vlorës…

Forcat tona janë atje dhe do qëndrojnë deri sa njësia në terren e vlerëson që janë të nevojshëm. Tani kemi trupa dhe mjete, kryesisht me evakuimin dhe rikthimin, apo largimin e ujërave në ndërtesat e përmbytura. Forcat tona do qëndrojnë aty.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button