Ekonomia

Shefi i sigurisë së “Bankers” u heq lirinë tre gazetarëve

Shpërthimi

Në Marinzë vijon situata e rënduar, Avokati i Popullit pengohet për të hetuar

fontana shatervan nafte Fier Banker PetroliumBanorët e fshatit Marinzë vijojnë të shfaqin probleme intoksikimi, ndërsa qendra shëndetësore e fshatit vijon të jetë e populluar çdo ditë. Drejtuesit e qendrës shëndetësore ngurrojnë të japin të dhëna për numrin e pacientëve, ndërsa në këtë qendër nuk mungojnë as fëmijët. Kjo situatë duket se ka irrituar jo vetëm banorët, por edhe përfaqësuesit e kompanisë kanadeze, të cilët kanë filluar të bllokojnë edhe gazetarët në punën e tyre, siç ndodhi para dy ditësh, kur shefi i sigurisë ka “mbajtur peng” për 40 minuta tre reporterë, duke kërkuar t’u merrte filmimet.

Incidenti me gazetarë

Për këtë arsye, shefi i sigurisë së kompanisë është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Policia tha se ka dërguar për ndjekje penale kanadezin S. Bidwell, pasi dy ditë më parë, për rreth 40 minuta ka mbajtur të bllokuar tre gazetarë, duke u kërkuar pamjet filmike që kishin xhiruar në zonën e Marinzës në Rrethin e Fierit, ku më datë 1 prill shpërtheu fontana e një pusi nafte. Burime zyrtare të Policisë së Fierit sqaruan se ndaj 59-vjeçarit ka kryer kallëzim një prej gazetarëve. Gazetari ka deklaruar në polici se rreth orës 11:00 të së enjtes, në vendin e quajtur ish-kaldaja e Albpetrolit, ku ka qenë duke udhëtuar së bashku me dy gazetarët e tjerë, janë ndaluar nga kanadezi. Madje, sipas denoncuesit, Bidwell u ka kërkuar edhe filmimet që kishin bërë në zonën e puseve të administruara nga kompania “Bankers Petroleum”, thuhet në njoftimin e policisë. Sipas bluve, ai procedohet në gjendje të lirë për veprën penale heqja e paligjshme e lirisë së personit.

Banorët e helmuar

Nga ana tjetër, në fshatin Marinzë vazhdojnë të kryhen vlerësimet e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet. Banorët e zonës ankojnë ende simptoma të helmimit. Në qendrën shëndetësore mësohet se paraqiten çdo ditë banorë të fshatit, të cilët kanë marrje mendsh, të vjella apo hipertension. Gjatë ditëve të fundit, aty kanë mbërritur ministri i Mjedisit, ai i Shëndetësisë, i Energjetikës dhe disa politikanë, të cilët kanë premtuar se do të zhdëmtohet çdo dëm i shkaktuar nga shpërthimet. Qeveria ka kërkuar pezullimin e punimeve në zonën e dëmtuar nga shpërthimet. Ndërkohë, edhe vetë kompania “Bankers” ka njoftuar zyrtarisht se do të zhdëmtojnë çdo dëm dhe se do të kërkojnë marrjen me qira të terreneve dhe zonave të dëmtuara, me qëllim që t’i rikthejnë në gjendjen e mëparshme.

Avokati i Popullit

Për situatën në Marinzë ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili deklaroi se ka nisur hetimin administrativ mbi ngjarjet e ndodhura. “Me qëllim marrjen e informacionit të saktë lidhur me numrin e personave të zonës ku ka ndodhur shpërthimi, si dhe mbi simptomat që ata kanë paraqitur, është kryer inspektim në Spitalin e Fierit dhe në Qendrën Spitalore të Marinzës. Pas deklarimit në media të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Shëndetësore Fier, lidhur me gazin që gjendet në këtë zonë, kërkuam takim me përfaqësues të kësaj drejtorie, por në mungesë të drejtuesit të këtij institucioni, Avokatit të Popullit iu mohua aksesi në informacion dhe në dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftimin zyrtar të AP-së. Por, sipas tij, mohimi i aksesit të Institucionit të Avokatit të Popullit në informacion dhe dokumente, vjen në kundërshtim me ligjin dhe veprimtarinë e këtij institucioni kushtetues në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Nga E. Hoxhaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button