Shehu: Krijimi i kushteve për arsimim dhe mundësive për punësim do të jetë prioritet
Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu, së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan një takim me të rinjtë në Peshkopi. Krijimi i kushteve për arsimim dhe mundësive për punësim janë prioritet i tij.
Mes entuziazmit të të rinjve, zoti Shehu tha se që në moshën 22 vjeçare ka punuar me të rinj dhe sot të rinjtë janë energjia që do të mundësojë realizimin e projekteve të tij.
“Ju na jepni zemër. Ju jeni dëshmia që fitorja vetëm pret datën 11. Edi Rama ka thënë që unë jam pak i vjetër, por fatmirësisht unë jam rritur me rininë. Që në moshën 22-vjeçare unë kam qenë profesor. Ju do të jeni pjesa e ndryshimit të qytetit. Unë do t’ju mbështes që të shkolloheni ashtu siç e meritoni ju edhe Dibra. Dibra është vendi me pasuri intelektuale. Dibra është vendi me një trashëgimi të madhe dhe kësaj pasurie ne do ia rrisim vlerat duke sjellë investime në Dibër. Flasim për investime private. Ne do të krijojmë një vizion të ri, por realizimi i tyre kërkon energji dhe atë energji do e marrë tek ju. Ju do të jeni energjia e realizimit të projekteve të zhvillimit të Dibrës”, tha Shehu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se rinia është pararendëse e fitores së PD-së në Dibër dhe gjithë Shqipërinë. Ashtu si në vitet ‘90, edhe sot është detyrë e rinisë të largojë të keqen dhe t’ua kthejnë dibrën, dibranëve: “Ju jeni paralajmëruesit e parë të fitores tonë. Fitorja nuk është kurrë më e sigurtë sesa kur është në duart e rinisë dhe fitorja në Dibër është në duart e rinisë dibrane”.