Shenja pozitive për zgjatjen e huasë greke në takimin e Eurogrupit
Sot pasdite fillon në Bruksel takimi i Eurogrupit, ku do të diskutohet kërkesa e Greqisë për zgjatjen e marrëveshjes së huasë.
Siç bëhet e ditur nga Uashingtoni, në takimin e ministrave të Financave të eurozonës do të marrë pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine Lagarde.
”Gjithësesi, me shenja pozitive kanë përfunduar dje në mbrëmje vonë punimet e Euro Working Group, ku u shqyrtua kërkesa e qeverisë greke”, thanë burime diplomatike që kërkuan të mos identifikoheshin.
Burimet gjithashtu thanë se nuk duket se do të ketë ngërç dhe se ministrat e Financave të eurozonës do të orientoheshin drejt një zgjidhjeje që mund të jetë e pranueshme nga tërësia e vendeve anëtare të zonës së euros.
Ndërkohë, Ministria gjermane e Financave vlerësoi dje se kërkesa e depozituar nga ana e Greqisë për zgjatjen e ndihmës nga partnerët e saj evropianë nuk përfaqëson një zgjidhje të qenësishme dhe nuk u përgjigjet kushteve të fiksuara nga zona euro.
“Propozimi i Athinës nuk është i qenësishëm”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë së sipërcituar, Martin Jager në një komunikim të shkurtër me median.
“Kjo kërkesë nuk u përgjigjet kushteve të përcaktuara të hënën e kaluar nga Eurogrupi”, theksoi ai.
Po dje, kryeministri grek, Aleksis Cipras zhvilloi biseda telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, François Hollande për këtë çështje