Ekonomia

Shërbimet online, një nga potencialet ku mund të rritet punësimi

A mund të shndërrohet Shqipëria në një qendër të shërbimeve të specializuara të nënsektorëve BPO / IT në vitet e ardhshme? Bizneset besojnë se potencialet e tregut shqiptar janë të mëdha, por duhet punuar më shumë për të standardizuar bashkëpunimin Shtet – Biznes – Universitetet/Edukim

 

Hapja e vendeve të reja të punës është sot një nga sfidat më të rëndësishme për çdo qeveri. Sektorët potencialë që planifikohen të gjenerojnë vende të reja pune në vitet e ardhshme konsiderohen: shërbimet, bujqësia, turizmi, tregtia apo nënsektorë që lidhen me energjinë, etj. Një sektor me shumë potencial për punësimin e të rinjve, është dega e nënkontraktimit të shërbimeve të biznesit BPO-ve (business process outsourcing) me nënsektorë si p.sh., shërbimet online, duke përfshirë call center, marketing online, data entry, shërbime kontabiliteti, etj.

Në vend, aktualisht numërohen rreth 30 mijë të punësuar në këtë sektor, por potencialet mendohet se janë për një dyfishim të këtij numri në vitet në vijim. Drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka thotë se biznesi ka konfirmuar gjatë konsultimeve, veçanërisht në kuadrin e potencialeve të këtij sektori, se ka shumë interes për të zgjeruar investimet në këtë sektor. Kështu nga një anketim në shkurt 2017 (me 17 CEO të kompanive që punësonin rreth 10,000 veta) rezultonte që – “kompanitë BPO parashikojnë të rriten në vitin në vazhdim, por kryesisht (88%) në shërbimet ekzistuese dhe një pjesë shumë e vogël parashikon diversifikim në shërbime të reja.”

 

monitor 787.indd

 

“Ne kemi iniciuar një ‘diskutim/debat’ mbi problematikën e tregut të punës së sektorit dhe potencialet përkatëse dhe në bazë të anketimeve, intervistave dhe takimeve me palë të ndryshme të interesit rezulton se ky sektor dhe nënsektorët (p.sh., shqyrtimi i Ankesave, regjistrimi i pagesave të kompanisë, përpunimi i transaksioneve, shqyrtimi i menaxhimit të pyetjeve/kërkesave, shqyrtimi i administrimit të klientelës, kanë një potencial të madh rritjeje në vend. Studimi më i thelluar mbi tregun u bë nga projekti RISI Albania/AVASANT dhe mendohet se ky numër mund të dyfishohet duke marrë për bazë numrin e studentëve që studiojnë teknologji informacioni apo degë të ngjashme, por edhe planet e kompanive për të shtuar apo për të diversifikuar shërbimet”, thotë znj. Leka.

Kosto e lirë nuk është i vetmi avantazh, por dëshira dhe motivimi për punë është më i lartë, sidomos në disa profesione. Shqipëria ka potencial për t’u bërë Data Warehouse (sistemet e përdorura për raportim dhe analizim të dhënash) në sektor, teksa investimet në dhënien e shërbimit të internetit janë bërë tashmë. Në Shqipëri ka staf, ka aftësi shumë të mira të gjuhës italiane dhe angleze, ndoshta për italisht jemi më të mirët në rajon, ndërsa gjermanishtja është në “potencial sepse po kërkohet”, por duhet të punojmë ende për të përgatitur “aftësitë profesionale”. Tregu nuk e zgjidh, por vetëm e evidenton problemin.

Problemi

Anketa të vazhdueshme të kryera nga bizneset vendase kanë treguar ekzistencën e mangësive të rëndësishme te pjesa më e madhe e të diplomuarve veçanërisht për sa i përket komunikimit, punës në grup, aftësive të zgjidhjes së problemeve, si dhe cilësisë e nivelit të njohurive (terminologjisë profesionale) në gjuhët e huaja kryesore

 

Përputhshmëria e njohurive dhe aftësive të fituara në auditor me nevojat e tregut të punës përbën një sfidë të vazhdueshme jo vetëm për sistemin e edukimit në përgjithësi apo dhe universitetet shqiptare, por edhe për ato perëndimore. Është koha dhe momenti që sa më parë ky hendek të fillojë të zvogëlohet. Anketa të vazhdueshme të kryera nga bizneset vendase kanë treguar ekzistencën e mangësive të rëndësishme te pjesa më e madhe e të diplomuarve veçanërisht për sa i përket komunikimit, punës në grup, aftësive të zgjidhjes së problemeve, si dhe cilësisë e nivelit të njohurive (terminologjisë profesionale) në gjuhët e huaja kryesore. Është e qartë që këto mangësi krijojnë kosto shtesë për punëdhënësit, veçanërisht për bizneset, që kërkojnë punë intensive “labor intensive”.

Z. Agron Shehaj, drejtuesi i kompanisë më të madhe në këtë sektor, IDS, në Shqipëri thotë se ka shumë të rinj që diplomohen në degët e teknologjisë, dinë gjuhë të huaja dhe kanë ambicie për të mësuar, por mungon orientimi i tyre në tregun e punës.
“Pikë e fortë që ka tregu shqiptar është fakti se përgjithësisht të rinjtë njohin gjuhën italiane dhe angleze, ku kemi edhe kontrata të shumta dhe gjithashtu kanë njohuri të mira në IT. Por, për sa kohë universitetet nuk kanë bashkëpunim të ngritur, të vazhdueshëm e të fortë me bizneset në këtë sektor do të jetë e vështirë që ne të shndërrohemi në një treg potencial në rajon dhe të tërheqim edhe më shumë investime”, thotë z. Shehaj.

Arsimi dhe tregu i punës

“Pikë e fortë që ka tregu shqiptar është fakti se përgjithësisht të rinjtë njohin gjuhën italiane dhe angleze, ku kemi edhe kontrata të shumta dhe gjithashtu kanë njohuri të mira në IT. Por, për sa kohë universitetet nuk kanë bashkëpunim të ngritur, të vazhdueshëm e të fortë me bizneset në këtë sektor do të jetë e vështirë që ne të shndërrohemi në një treg potencial në rajon dhe të tërheqim edhe më shumë investime”, thotë z. Agron Shehaj.

 

Platformat e bashkëpunimit

Por pas evidentimit të kërkesës nga ana e bizneseve të sektorit, dhe potencialit e interesit të universiteteve gjithashtu, Këshilli i Investimeve në shkurt shërbeu si një katalizator i idesë për të standardizuar urën lidhëse universitet-biznes privat për sektorin e BPO-ve dhe nënsektorëve të tjerë. Disa universitete po ngrenë platforma bashkëpunimi me kompanitë, të cilat operojnë në një prej sektorëve më potencialë të së ardhmes. Propozimi për ngritjen e një qendre informatike për tërheqjen e talenteve erdhi në Sekretariat nga vetë bizneset në shkurt.

“Më konkretisht, zoti Agron Shehaj, drejtues i kompanisë IDS, është një nga propozuesit kryesorë të kësaj iniciative. Kur e takuam në kuadrin e përgatitjes së analizës së cilësisë së tregut të punës – z. Shehaj propozoi domosdoshmërinë e ngritjes së platformave të qëndrueshme inovative Shtet-Biznes-Universitet, si parakusht për të përgatitur cilësi në tregun e punës pasi në përvojën e tij tregu i punës mbetet larg cilësisë së kërkesave të biznesit shqiptar apo të huaj që kërkon të vijë në Shqipëri”, veçanërisht për disa sektorë të rinj si BPO-të – tregon znj. Diana Leka. Në praktikën e tij, si punëmarrësi më i madh i nënsektorit, por edhe të përfaqësuesve të tjerë të konsultuar nga Sekretariati – Shqipëria mbetet mjaft konkurruese në sektor, ka potenciale për investime, por duhet një bashkëpunim i aktorëve për të investuar në tregun e punës tani për të mbetur konkurrues dhe për të kaluar nga shërbime data – entry (hedhje të dhënash), në shërbime me vlerë të shtuar e më cilësore në vend.

Kjo është një nga arsyet përse Këshilli i Investimeve e konsideroi menjëherë këtë sugjerim dhe propozoi Memorandume Mirëkuptimi me disa universitete dhe aktualisht ka firmosur me Universitetin Epoka, dhe është në proces me disa të tjerë etj. Ndërkohë, menjëherë u punua me Innovation Hub për të bashkëpunuar për modelin se si ky instrument mund të ishte më i qëndrueshëm dhe të kontribuonte më shumë në cilësinë e tregut të punës dhe ideve inovative.

Niuton Mulleti, shef kabineti në Universitetin Epoka, thotë se Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet Universitetit dhe Këshillit të Investimeve përbën një dokument mjaft të rëndësishëm në kuadër të lehtësimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet universiteteve dhe biznesit privat përmes angazhimit aktiv edhe të autoriteteve publike në këtë proces.
Ky Memorandum i Mirëkuptimit bazohet në modelin “Triple Helix”, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bashkëpunimin biznes-akademi-qeveri për të zhvilluar inovacionin, si dhe për të ndihmuar kompanitë shqiptare të kuptojnë dhe të korrin përfitimet e njohurive akademike, me qëllim rritjen e produktivitetit. Edhe Këshilli i Investimeve ka një rol kyç në këtë proces, duke qenë se ai shërben si një organ i specializuar këshillimor që lehtëson dialogun dhe ndërmjetësimin midis përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, donatorëve ndërkombëtarë dhe qeverisë në lidhje me zhvillimin e një klime biznesi të favorshme dhe transparente.

 

Sherbime online 787Nisma konkrete

Një ndër iniciativat mjaft konkrete dhe simbolizim kyç i modelit Triple Helix është dhe nisma e ndërmarrë nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike nëpërmjet Innovation Hub. Hapësira e parë publike e vënë në dispozicion Startup dhe nismave të të rinjve në fushën e biznesit dhe të ICT-së. E krijuar vetëm në maj 2016, brenda një viti, Innovation Hub arriti të shndërrohet në një ndër ambientet kryesore për zhvillimin e talenteve të reja si dhe “facilitatori” i mundësive për bashkëpunime rajonale të startup shqiptare në Europë.
Këshilli i Investimeve u kontaktua nga Innovation Hub në mars të vitit 2017 për të qenë pjesë e bashkëpunimit të grupit të interesit në formimin e modelit “Triple Helix”, duke sjellë së bashku Shtetin, përfaqësues të universiteteve dhe biznesin.

Ky model është finalizuar duke qenë një ndër hapat e parë të bashkëpunimit midis tre përfaqësuesve shtet, privat dhe universitet.
Nga pjesa dërrmuese e studentëve, praktikat mësimore janë vlerësuar si një përvojë pozitive që i shërben aplikimit në praktikë të njohurive dhe aftësive të fituara në auditor, si dhe përgatitjes për tregun e punës, i cili po bëhet gjithnjë e më konkurrues.
Ndërkohë, z. Shehaj tregon se reagimi nga universitetet pas ngritjes së bashkëpunimit përmes Këshillit të Investimeve ka qenë shumë i lartë. “Në fakt duhet të them se është e vërtetë që para 3-4 muajsh, marrëdhëniet me universitetet apo edhe institucionet shtetërore në drejtim të platformave të tilla, ishin thuajse të limituara, të paktën në rastin e biznesit tim. Kur unë i propozova Sekretariatit, të sugjeronte ngritjen e platformave Universitet – Shtet – Biznes – për të investuar në përafrimin e nevojave të cilësisë së tregut të punës me atë çka prodhojnë universitetet, sinqerisht nuk mendoja që në hapësirën e 3-4 muajve, do të kishim kaq shumë interes, aktivitete dhe platforma bashkëpunimi”, thotë ai.

Më konkretisht, janë realizuar shumë aktivitete përmes Innovation Hub, platforma bashkëpunimi, ndërkohë që kanë nisur edhe bisedimet për ngritjen e një kampusi ku studentët do të mund të marrin vazhdimisht praktikën e duhur dhe bashkëkohore.
“Pavarësisht faktit që nuk ka ende statistika të sakta për nënsektorët e shërbimit të teknologjisë së informacionit, që të mundësojnë identifikimin e saktë të nevojave të këtij nënsektori sipas kategorizimit në Qendrën Kombëtare të Bisnesit” – thotë znj. M. Farka, eksperte e menaxhimit të talenteve. Shqipëria duhet promovuar për avantazhet e saj edhe në vendet e Europës Qendrore si Gjermani, Holandë, Zvicër, Austri, Francë etj. Ky promovim mund të koordinohet me iniciativat që ndërmerren për turizmin. Gjithashtu znj. Farka thekson se nga përvoja e saj me kompani-klientë nga Europa Qendrore, rezulton që për këto kompani është shumë e rëndësishme të gjejnë fillimisht partneritet me institucionet publike në aftësimin e punonjësve, sidomos atyre që janë të sapodalë nga universitetet. Në Shqipëri ka ende mbivendosje të programeve të mbështetjes/nxitjes së punësimit dhe një koordinim më i mirë i punës me donatorët do t’i shërbente vërtet nxitjes së investimeve në fushën e shërbimeve të kontraktuara me vlerë të shtuar të lartë.

Problematikat

– Informaliteti ka dëmtuar imazhin, standardin dhe rregullat e tregut të sektorit të shërbimeve të nënkontraktuara;
– Mungojnë statistikat e madhësisë reale të Sektorit të Shërbimeve/BPO për të mundësuar një skanim të sektorit dhe analizë më të thelluar; ka një sektor informal të konsiderueshëm
– Bashkëpunim jo i strukturuar Universitet-Biznes;
– Hendek aftësish praktike ndërmjet kurrikulave dhe kërkesave të tregut, sidomos në IT.
– Zbatim i pakët i modelit të internshipeve. Praktikat e detyrueshme konsiderohen si formale nga bizneset dhe studentët;
– Mungojnë incentivat nga shteti për profesione të caktuara si p.sh., në fushën e IT;
– Trajnimet fillestare bëhen kryesisht nga bizneset, ndaj ka pak interes nga biznesi për trajnime cilësore;
– Zyrat e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional nuk u përgjigjen nevojave të sektorit. Rekrutimin, kompanitë e bëjnë kryesisht vetë;
-Në Shqipëri ka staf, por vështirë të kemi “aftësi profesionale” sepse mungojnë “aftësitë e kombinuara”;

Potenciali

Shqipëria mbetet mjaft konkurruese në sektor, ka potenciale për investime, por duhet një bashkëpunim i aktorëve për të investuar në tregun e punës tani për të mbetur konkurrues dhe për të kaluar nga shërbime data – entry (hedhje të dhënash), në shërbime me vlerë të shtuar e më cilësore në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button