Shitësja e bajameve
ARTAN MULLAJ
Ka dy vathë të ndryshkur në veshin e majtë, asnjë në të djathtin dhe disa vrima të shpuara. Sy të zinj depërtues, të futur thellë në zgavra; dhëmbë të palarë, dhëmballë të prishura. Kur buzëqesh, në fytyrë i lexohet mungesa e qartë e kujdesit, por jo e mprehtësisë … Është një fëmijë i lexueshëm, faqe e një libri historie të vrazhdë, por me një siguri mbërthyese në vetvete, për shkak të kthjelltësisë që ka. E kam përballë ndërsa jam ulur në njërin nga lokalet bri shëtitores së Liqenit të Tiranës. Në dorë mban disa kaushë letre, secili me disa kokrra bajame të pjekura. Është shitëse. Më lutet t’i blej një ose dy kaushë. E veshur keq, por mjaftueshëm, retina të zmadhuara, vështrim i shkujdesur, sfidë e gjallë ndaj vetvetes në një jetë të mjerë, që s’mund ta kuptojnë veçse ata që e kanë të tillë. Gjithçka e kësaj gjallese kumbon një melodi të trishtë varfërie. E pyes për emrin dhe më shikon thellë në sy; e pyes a shkon në shkollë dhe nuk më përgjigjet. Më pas më pyet ajo e bezdisur: “Të lutem, a mund të blesh një?”
E pyes përsëri si shkon në shkollë, duke i premtuar se do t’i blej një kaush për çdo përgjigje, dhe ajo hesht. Është vetëm 10 vjeçe, por di të vështrojë e të flasë me sy, di të heshtë, di të shpërfillë. E pyes pse nuk përgjigjet dhe më thotë se nuk i pëlqen të gënjejë … por as mund të thotë të vërtetën. Më në fund u rrëfye. Kjo ndodhi mbas një mijë dilemave, derisa ramë në pazar: unë i bleva të 5 kaushët me bajame që kish dhe, pasi më bëri madje edhe një “skonto”, meqë ia mora me shumicë – çka prodhoi shumë besim mes nesh – pranoi të ulet me mua për të më hapur zemrën …
Fëmija që shet bajame të pjekura në kaushë, cigare, çakmakë, çamçakëzë, stilolapsa është një personazh i njohur. Sillet dëshpëruar si grerëza lokal më lokal, tryezë më tryezë për të shitur, për t’u lutur. Mbas bredhurish, ky personazh pothuaj përfiton dy gjëra, të cilat lodhja e skajshme i bën të tmerrshme: paratë, nënkupto vlerën e trishtë të punës rraskapitëse që bën, dhe përvojën, nënkupto përplasjen shpirtërore me një realitet të egër, të pamëshirshëm. Shpeshtësia e shfaqjes nëpër gjithë kategoritë e lokaleve të kryeqytetit i ka dhënë kësaj fëmije një përmasë përfaqësimi: përfaqësimin e mbijetesës, përfaqësimin e turpit, përfaqësimin e mizerjes. Për të mos thënë që ky përfaqësim i miksuar është shndërruar vit pas viti, pushtet pas pushteti në simbolin e një shoqërie të paaftë që të kujdeset për fëmijët e saj. Krijimi i një simboli ka përherë arsye; arsyeja është morali i munguar, vëmendja e munguar e një shoqërie që tej çdo limiti dhe logjike hesht, ngurron, fshihet përpara një problemi të tillë madhor, të pafalshëm dhe të tmerrshëm njëherësh, siç është përdorimi apo shfrytëzimi i fëmijëve nga vetë prindërit e tyre …
Quhet Vanesa! Ka dy prindër të papunë dhe ka braktisur shkollën para disa muajve për të shitur bajame. Thotë që është familje socialiste. Një drejtoreshë e Rilindjes e pati gënjyer babanë e Vanesës; ky e kish ndjekur atë në fushatë, në këmbim të futjes në punë, por drejtoresha e pati thyer premtimin. Pastaj edhe babai i Vanesës e kish gënjyer mamin e Vanesës, duke i premtuar se do t’ia bënte jetën më të bukur kur drejtoresha të vinte në pushtet. Me dy prindër të papunë, 10-vjeçarja Vanesa ditën shet bajame në kaushë, të cilat i pjek nëna natën dhe i kripos babai …
Një realitet i shëmtuar, që rrjedh si një postulat makabër drejt e nga papunësia, e cila është padyshim problemi i problemeve të këtij vendi. Kush është imazhi? Dy prindër në agoni që detyrohen të heqin vajzën nga shkolla për të shitur bajame në rrugë. Dhe jo thjesht në rrugë, por në skëterrë; në errësirën e frikshme të gjërave që për këtë vend ka sjellë gjithë këto vite papunësia, mosshpresa, pabarazia, padrejtësia …
Si një problem i madh social, papunësia është edhe sfida madhore e Rilindjes. Një sfidë madhore që fton urgjent qeverinë të bëjë strategjinë e duhur.
Strategji e duhur do të thotë që qeveria e Rilindjes të ketë përparësi në fillim sigurinë e jetës, pastaj cilësinë dhe përmirësimin e saj. Strategji e duhur do të thotë që qeveria të fokusohet ashpër te lufta ndaj papunësisë; të ndihmojë njerëzit të punësohen brenda vendit ose jashtë, që këta të mos nxjerrin fëmijët të shesin bajame të pjekura në rrugë, por t’i shkollojnë. Strategji e duhur do të thotë të ndihmosh bizneset, duke i mbështetur ato me programe zhvillimi dhe të legalizosh mijëra biznese të tjera, që lulëzojnë në të zezë periferive … Strategji e duhur do të thotë të ndihmosh prodhimin bujqësor dhe të zhvillosh shitjen e organizuar në tregje.
Për sa kohë ekonomia është e dobët, e mbërthyer nga kriza dhe vendi nuk prodhon aq sa duhet, strategji e duhur do të thotë të nxitësh me çdo mjet apo formë prodhimin – që është fuqia dhe autoriteti i një vendi – por, në kushtet e papunësisë ekstreme, të organizosh edhe punësimin e kontrolluar në vendet që kanë nevojë për fuqi punëtore sezonale. Strategji e duhur është të përqendrohesh fort tek ekonomia; strategji e duhur do të thotë të fokusohesh te morali i popullit tënd. Nuk mjafton vullneti për të bërë shtet, nuk mjaftojnë as reformat; nevojiten edhe qytetarë që kanë dëshirë, fuqi dhe vetëdije për të mbështetur reformat e duhura që një shtet të bëhet i tillë.
Një shtet i fuqishëm ndërtohet me qytetarë të bindur, të fuqishëm dhe të suksesshëm. Të tillë i bën ata ekonomia, mirëqenia, shpresa …
Ekonomia, ekonomia, ekonomia!
Një ekonomi e shëndetshme do të sillte një lehtësim kombëtar të situatës, një lehtësim të dhembjes. Do të forconte besimin e njerëzve te këto reforma, çka është kushti kryesor që ato të zhvillohen si duhet dhe të përkrahen nga njerëz që nuk do të kenë nevojë të pjekin dhe shesin bajame përmes duarve të fëmijëve të tyre. Strategji do të thotë përzgjedhje përparësish. Mrekulli që u rrafshuan ndërtimet pa leje. Por para se të shkatërroheshin bizneset në ndërtime pa leje, ndoshta duhej të legalizoheshin bizneset e fshehura në periferi të Tiranës dhe qyteteve të tjera, të cilat sjellin zhgënjim popullor, por edhe dëme të pallogaritshme buxhetit të shtetit. Shumë mirë që u vu dorë në transportin publik. Por para se të hiqeshin qindra furgonë njerëzish nga qarkullimi, çka solli mjaft të papunë, duhet të krijoheshin alternativa moderne transporti, të cilat do të konkurronin dhe do të nxirrnin natyrshëm nga tregu ato …
Meqë jemi te strategjia: strategji e duhur do të thotë t’u kursesh qytetarëve luksin e imazhit që prodhojnë palmat në rrugë, për t’u siguruar atyre më parë kushte, mjete dhe mjekime të nevojshme që mungojnë nëpër spitale dhe shkolla.
Pa asnjë dyshim duhen reforma: reforma në mjekësi, në arsim, në psikologjinë e njerëzve, në mentalitetin e tyre. Nevojiten përmbysje të mëdha, shkulje të mëdha, sakrifica të mëdha dhe, natyrisht, edhe dhembje të mëdha … Por çdo gjë në kohën e duhur, me strategjinë e duhur. Në kohën tonë, epokë reformash do të thotë epokë dhembjesh!
Gropa e zezë që krijoi tranzicioni në Shqipëri nuk mund të mbushet thjesht me fantazi, me vizion, me imazh dhe me vullnet të mirë. Nevojiten edhe dhembje.
Vanesa është simboli i dhembjes therëse që mund të përjetojë një shoqëri e papunë dhe e rrëmujshme.
***
Dhembja do të jetë bashkëshoqëruesja e shqiptarëve për një kohë të gjatë. Përballë ironisë së gjërave, Rilindja nuk është përgjegjëse për të, edhe për shkak se nuk është ajo shkaktarja e saj, por ç’rëndësi ka? Rilindja ka për detyrë të shërojë dhembjen e popullit të vet, por, nëse nuk ia del dot, së paku t’ia lehtësojë. Por nëse nuk mund t’ia lehtësojë, duhet t’ia respektojë … Ky është detyrimi i parë i një pushteti të shëndetshëm.
Lehtësim dhe respektim i dhembjeve kolektive të shqiptarëve, do të thotë të kesh vizionin e duhur, por edhe ekipin e duhur për të bërë gjërat që duhen bërë. Të kesh vizion dhe të kesh mision është një gjë, por të vësh në shërbim të tyre strategjinë e duhur, është një gjë tjetër. Vizioni dhe strategjia, afruar një shoqërie komplekse si kjo e jona, përcaktojnë fatin dhe përmasën historike të një lideri, misionin e tij në histori. Në të kundërt, një vizion i qartë, i ndjekur nga një strategji e paqartë apo e gabuar, nuk mund të jetë për shumë kohë i tillë dhe rrezikon misionin të mbetet një utopi.