Shitja e “Bankers Petroleum”, nuk ndryshojnë kushtet e kontratës
Pas deklarimit të shitjes së aksioneve të “Bankers Petroleum” tek një kompani kineze, u shfaq shqetësimi se si do të vijojë kontrata me qeverinë tonë.
Por siç deklarojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, kushtet e kontratës nuk ndryshojnë dhe kjo shitje nuk përbën problem për qeverinë shqiptare.
Shitja e aksioneve të Bankers Petroleum nëpërmjet bursës tek kompania kineze, Geo-Jade Petroleum Corporation nuk do të ndryshojë asnjë detaj me kontratën koncensionare që kompania Bankers ka me qeverinë shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i AKBN-së, Dael Dervishi është shprehur për revistën Monitor se kinezët kanë blerë aksionet e Bankers në bursë bashkë më operacionet e Shqipërisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Koncesionarët e naftës kanë të drejtë të njoftojnë qeverinë shqiptare paraprakisht për shitjen e aksioneve dhe në rastin e Bankers njoftimi është bërë dje.
“Ne do të monitorojmë kontratën pikë për pikë detyrimet aktuale që rrjedhin nga marrëveshja koncesionare me Bankers pavarësisht blerësit”, u shpreh Dervishi, duke shtuar se “nëse kontrata nuk zbatohet sipas përcaktimeve ligjore qeveria shqiptare dhe përkatësisht AKBN propozon heqjen e licencës”.
Por në rastin e këtij transaksioni ai tha se aksionet kanë kaluar tek një kompani shumë e më e fuqishme se Bankersi, e aftë për të përballuar investimet e reja në kushtet e çmimeve tepër të ulëta në Shqipëri. Dervishi tha se një çmim në bursa më pak se 40 dollarë i nxjerr me humbje koncesionarët e nxjerrjes së naftës.
Për këtë arsye kompanitë janë vënë në vështirësi dhe nuk po përballojnë humbjet pasi në Shqipëri kostot e nxjerrjes së naftës janë shumë më të mëdha se në vendet e tjera naftëmbajtëse.
Fundjavën që lamë pas kompania Bankers Petroleum që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës bëri të ditur zyrtarisht shitjen tek kompania kineze Geo-Jade Petroleum Corporation.
Nga Ministria e Energjetikës u pohua se kompania që ka marrë në pronësi aksionet e Bankers ka likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar pasojat e krizës. Bankers Petroleum Ltd. Deklaroi se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (“Bankers Shares”) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share).
Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers në rreth 575 milionë dollarë kanadezë (C$) përpara vlerësimit të borxheve të papaguara të Bankers.
Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë. Marrëveshja ka marrë miratimin unanim të Bordit të Drejtorëve të Bankers dhe të stafit menaxhues. Blerësi do të sjellë një fokus të konsiderueshëm investimi në portofolin e aseteve të Bankers.