Kosova

Shkeljet e kontratave milionëshe për lobim, i çelet dera Prokurorisë

Hashim Thaçi ka lidhur kontratat lobuese në secilin post që ka mbajtur. Janë nënshkruar në emër të shtetit, ndërsa detaje të publikuara nga këto kontrata kanë dëshmuar se i kanë shërbyer edhe atij personalisht. Për to është krijuar një Komision Hetimor Parlamentar. Gazeta Express sjell raportin e plotë me të gjeturat e komisionit rreth kontratave për Liderin, në emër të Kosovës

Komisioni Parlamentar për Hetimin e Shpenzimeve të Lobimit i ka krijuar bazë të fuqishme prokurorisë së shtetit për të hetuar kontratat që janë nënshkruar nga institucionet shtetërore për lobim, e që janë përdorur për promovim personal.

Katër kontrata të nënshkruara nga Presidenca dhe Qeveria i janë dorëzuar Komisionit Hetimor. Sipas raportit të Komisionit, që e ka siguruar Gazeta Express, dëshmohet qartazi se kontratat kanë shërbyer në baza individuale, ndonëse për to janë ndarë mjete nga buxheti i Kosovës.

Disa kontrata të lobimit janë fshehur nga Presidenca dhe Qeveria. Të tjera nuk janë publikuar në tërësi.

Në raportin e Komisionit Hetimor bëhet e ditur se janë marrë në pyetje persona kompetentë, të cilët kanë qenë të angazhuar rreth kontratave që ka lidhur presidenca dy viteve të fundit, dhe nga qeveria prej vitit 2010.

Protagonisti i kontratave, presidenti Hashim Thaci nuk i është përgjigjur tri herë komisionit. Nuk ka pranuar që të raportojë as ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli. Është intervistuar Enver Hoxhaj e Avdullah Hoti. Ndërsa, kanë dëshmuar edhe Vlora Çitaku, Petrit Selimi, Ardian Arifaj, të cilët kanë menaxhuar kontrata të caktuara.

Në raport thuhet se një nga arsyet kryesore të formimit të këtij komisioni ka qenë letra që avokati britanik, Geoffrey Nice, dërguar Qeverisë së Kosovës. Letra e Nice’it , që është publikuar ekskluzivisht nga Gazeta Express, zbulonte se si ai kishte bërë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, sa Thaçi ishte kryeministër.

Avokati britanik, i cili kërkonte borxhin prej 500 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, ka treguar se ishte kontaktuar ish-zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, për të kryer shërbime për qeveri, respektivisht për ish-kryeministrin Hashim Thaçi.

Raporti tregon se avokati Nice, – i cili thotë se kishte asistuar me pagesë në librin biografik të Presidentit Thaci – ka refuzuar të flasë për komisionin hetimor, për shkak se ka kërkuar paraprakisht t’i lexoj pyetjet me shkrim.

Kërkesa e Nice’it është refuzuar, ndërsa komisioni i është referuar letrës që Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës.

E, Petrit Selimi, kur ka dalë para Komisionit, ka mohuar se avokati britanik është angazhuar ndonjëherë nga Qeveria. Selimi e ka pranuar vetëm se është takuar me të.

“Dëshmia e zv.Ministrit të Punëve të Jashtme Selimi, është në kundërshti të plotë me letrën e avokatit Geoffrey Nice dërguar Qeverisë së Kosovës. Derisa z. Selimi dëshmon se avokati Nice nuk është kontraktuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës; ky i fundit përmendë pagesa e ekzekutuara dhe të ndërprera më pas nga llogaritë e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në raport.

Qeveria e Presidenca i kanë ofruar katër kontrata lobuese Komisionit Parlamentar, ndërsa asnjëra nuk ka të bëjë me angazhimet e Geoffrey Niceit.

Ky raport ka intervistuar zyrtarë të tjerë Presidencës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Financave.

Dëshmitë e të intervistuar shpesh bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Një kontratë tjetër e Presidencës, për të cilën e pati publikuar Gazeta Express, është ajo mes Presidencës dhe kompanisë amerikane “Ballards & Partners”.

Rreth kësaj kontrate është intervistuar Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Thaci, i cili ka qenë i angazhuar për marrëveshjen me Ballards.

Raporti i Komisionit tregon se Presidenca nuk i ka ofruar asnjë dosje rreth kontratës, ndërsa  ka konfirmuar vetëm çmimin e marrëveshjes që është 1.240.000 dollarë për 24 muaj.

Arifaj, sipas raportit, gjatë dy  herëve kur është intervistuar, ka dhënë deklarata kontradiktore.  Fillimisht ka thënë se do të provojë të sjellë dokumente rreth marrëveshjes, pastaj ka thënë se ato nuk ekzistojnë.

“Në dy intervistat e tij, Menaxheri i Kontratës, z.Ardian Arifaj, ka dhënë dëshmi kontradiktore. Në intervistën e parë të datës 12.10.2018, i njëjti ka dëshmuar se kontratat në fjalë nuk mund të bëhen publike për komisionin sepse ato “konsiderohen si sekret”. I njëjti ka kërkuar kohë shtesë konsultimi me zyrën ligjore për të ofruar dokumentet në fjalë ose jo”, thuhet në raport.

“Në intervistën e dytë ndërsa, të datës 12.11.2018, i njëjti ka ndryshuar dëshminë, duke dëshmuar se raportet e punës janë bërë në ‘formë gojore’”.

Rreth kontratës me kopmaninë amerikane, e afërt me Presidentin Donald Trump, Presidenca ka fshehur të gjithë detajet, duke ndarë vetëm ato që tashmë janë ditur.

Komisioni pohon se ka bazë serioze për dyshime rreth kësaj kontrate, prandaj fton organet e shtetit që ta hetojnë atë.

Në raportin e komisionit konstatohet se është shfrytëzuar buxheti i shtetit, për shërbime personale ndaj presidentit Thaci.

Faturën e kryerjes së pagesës për kompaninë e “Alston & Bird”, e ka konfirmuar ambasadorja e Kovës në Uashington, Vlora Citaku. Fatura dëshmon se janë paguar 65 mijë euro kompanisë së senatorit ameirkan, Bob Dole,  për punët e kryera në qershor të 2017’ës. Përshkrimi i shërbimeve të kompanisë përfshin redaktimin e parathënies së librit biografik të Presidentit Thaçi, i cili ka mohuar se e ka porositur librin “Shteti i ri, burrështetas modern”, e shkruar nga Suzi Jagger dhe Roger Boyes.

“Senatori Dole, ka edituar dhe reviduar fjalën e tij hyrëse në librin e ardhshëm të Presidentit Thaçi”, thuhet në përshkrimin e punëve që i ka kryer kompania e Dole-it.

Në lidhje me faturën në fjalë, Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar Ministrin e Punëve të Jashtme gjatë kohës kur është dorëzuar fatura, Enver Hoxhajn. Ish-ministri gjatë dëshmisë ka deklaruar se nuk i ka parë të gjitha raportet e dorëzuara nga kompania “Alston & Bird”.

Komisionit Hetimor nuk i janë ofruar edhe shumë dokumente të tjera, që i ka kërkuar për qartësim rreth kontratave. Gjatë intervistimit të disa prej zyrtarëve që janë marrë me këto marrëveshje, bëhet e ditur se ekzistojnë raportet e kontratave. Të njëjtat nuk janë ofruar nga Presidenca.

“Menaxherja e Kontratës me me “Alston & Bird” znj. Vlora Citaku; si dhe Menaxherja e Kontratës me “Patton Boggs” znj. Heroina Telaku gjatë intervistimit të tyre kanë dëshmuar se raportet e dy kontratave kanë ekzistuar dhe do të duhej të ekzistonin dhe sot në arkivat e MPJ-së. Ekzistenca e raporteve është konfirmuar edhe nga dëshmia e ish-Ministrit të Punëve të Jashtme z. Enver Hoxha”

Raporti i Komisionit përfshin edhe të gjetura rreth dy kontratave të tjera me karakter lobuese. Një nga to është kontrata me komopaninë Squirte Patton Boggs në vlerë prej 1,331,407.8 dollarë.

Për këtë kontratë, e cila është nënshkruar për 30 muaj, Presidenca nuk i ka dorëzuar të gjitha raportet, ndonëse dëshmitarët e kishin pranuar se ekzistojnë ato. Është intervistuar edhe menaxherja e kësaj kontrate, Heroina Telaku, e cila ka pohuar se raporti i kontratës ka ekzistuar dhe do të duhej të ekzistonin dhe sot në arkivat e MPJ-së

Ndërsa kontrata e fundit, është ajomë kompaninë “Cambidge Academy of Global Affairs”, me kohëzgjatje prej katër muajve. Komisionit Hetimor i janë dorëzuae dy raporte për muajin tetor dhe nëntor të 2017’ës, ndërsa mungojnë dy raporte tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button