Shkeljet statutuore shprehje e neperkembjes se demokracise
Mirëdihet që partitë qofshin moniste apo demokrate kanë statutet e tyre. Në to përcaktohen qartë rregullat e organizimit të jetës së brendshme që duhen respektuar e zbatuar nga çdo anëtar dhe nga drejtuesit e tyre. Kur është e nevojshme statutet edhe korrigjohen e plotësohen. Shtesat diskutohen nen për nen dhe miratohen nga asambletë e partive. Në vendet ku ka demokraci reale liderët e kanë të vështirë të ndryshojnë statutet për interes të tyre dhe aq më pak të mos i respektojnë ato, sepse anëtarët e partive dhe të zgjedhurit e forumeve drejtuese kishin për t’i anatemuar. Po në Shqipëri nuk ndodh kështu. Po e nis me statutin e Partisë Republikane. Kur u hartua ai, për të shmangur uzurpimin e drejtimit nga lideri, u vendos që ai të zgjidhej me afat kohor dyvjeçar me të drejtë që të rizgjidhej edhe një herë. Më bukur nuk kishte si të bëhej. Zoti Sabri Godo nuk do të kthehej në një Enver i dytë. Po çfarë ndodhi kur i erdhi radha të linte drejtimin?! U tha se dy vjet është pak për të plotësuar programin ambicioz të partisë. Mbase ishte e drejtë. U propozua dhe u vendos që kryetari të zgjidhej çdo katër vjet, me të drejtë për t’u rizgjedhur vetëm edhe një herë. Përsëri ishim brenda normave të demokracisë, se edhe presidenti Amerikan ka të drejtë të zgjidhet vetëm dy herë rresht. Do të pyesni, të respektuar lexues, a u zbatua shtesa e re e statutit të partisë Republikane? Jo dhe jo. Sabri Godo e mbajti postin aq sa deshi dhe aq sa pati forca ta drejtonte partinë duke anashkaluar statutin e saj demokratik të vitit 1992. Kur pleqëria bëri të vetën i zgjuari Godo ia la postin Fatmir Mediut, po ama ai mbeti kryetar nderi?! Gjithashtu zoti Mediu, në vijim të traditës së keqe të Godos mund të them se e ka kthyer partinë në domen të vetin. Me që nuk është në moshë i vjetër si Godo, kushedi dhe sa dhjetëra vite të tjerë ka për të qëndruar në krye të saj për ta mjelë “lopën” pambarimisht. Kjo ndodh se disa republikanë nuk shqetësohen për respektimin e rregullave të lojës dhe jo pak i gëzohen ndonjë thelle që u afron lideri mjeshtër. Këto që shkruaj i kam shënime nga koha kur militoja në atë parti dhe i di ngjarjet nga “brenda”. Nga “jashtë” kam shembullin e politikanit të famshëm Skënder Gjinushi që ka afro 25 vjet kryetar i Partisë Social Demokrate. Mund të them pa frikë se ajo është pronë e tij me regjistrim kadastral?! Ec e pretendo të kemi demokraci me liderë që nuk i shkul as topi nga kryekarrikja që kanë zënë. Shembuj ka edhe nga partitë e tjera. Madje socialistët e “rinovuar” me votim nga baza miratuan jetëgjatësinë pa kushte të udhëheqësit të tyre?! Doemos hap pas ky.
Po më e keqja, me më shumë pasoja negative si për partinë ashtu edhe për Shqipërinë është mospërfillja ose shkelja hapur e neneve të statutit. Shembulli më i freskët dhe më skandaloz është lista e deputetëve për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 që përpiloi dhe shpalli zoti Lulzim Basha. Sipas statutit të Partisë Demokratike kandidatët për deputetë i propozon baza, i shqyrton kryesia dhe i miraton me votim Këshilli Kombëtar i PD-së. Pse u shmang me këtë rast miratimi nga Këshilli Kombëtar i asaj liste?! Ku e pati hallin zoti Basha, pas të cilit ose në krye të të cilit qëndron zoti Berisha, nuk mund ta them me siguri. Mbase mund t’u vrisnin sytë deputetët që ishin kundër bojkotimit të Parlamentit dhe ultimatumeve absurde të çadrës?! Nuk është e thënë që ata të ishin përsëri në listën e kandidatëve, po ama për këtë do të vendoste ky forum drejtues i partisë dhe jo vetëm zoti Basha. Me naivitet ai mburret se ka bërë zgjedhjen më të mirë, kur ka shkelur me të dy kembët statutin e partisë…. Ka vepruar sikur të ishte neodiktator, pavarësisht se nga pamja e bukur e fytyrës nuk ta krijon atë imazh.
Le të kthehem te qëndrimi deputetëve që nuk u përfshinë në listë. Si mund të jetë dakord çdo intelektual, qoftë ky edhe deputet, kur kryetari i PD-së kërkon rrëzimin e qeverisë së zgjedhur nga populli, me që atij nuk i pëlqen kryeministri që e paska kthyer Shqipërinë në plantacion droge dhe me ato para ka për të vjedhur votat?! Propozon qeveri teknike, përndryshe nuk marrim pjesë në zgjedhje?! Harron se nga Lazarati i Berishës droga u përhap në mbarë vendin. Harron që populli e mirëdi se për vjedhje votash PD-ja është po aq mjeshtre sa PS-ja. Harron se me kushtetutë zgjedhjet i organizon qeveria e asaj partie që është në pushtet. Ai harroi edhe kryesoren: që Amerika dhe Europa do t’i thoshin …: ne duam që ju të ktheheni në parlament, që të merrni pjesë në votime, po edhe po nuk morët pjesë , zgjedhjet do të quhen të ligjshme… Pra, lamtumirë rrogë e majme si deputet dhe mbështetja financiare si parti?! Kryesorja, Basha nuk mendoi që Amerika do t’i kthente në Parlament për të firmosur edhe VETINGUN? Atëherë pse deputetët me dinjitet do të shkonin verbërisht pas qerres së Bashës?!…Sigurisht ata kanë gabimet e tyre si tërë deputetët e anëtarët e PD-së që lejuan Berishën të mos analizonte menjëherë në kuvendin qendror apo në Këshillin Kombëtar humbjen e zgjedhjeve. E shtyu analizën, e shtyu… Dha dorëheqjen me fjalë, po jo realisht.Fitoi kohë deri sa si kryetar zgjodhi besnikun e vet që me pasion vazhdon të këndojë me zërin e çjerrë të doktorit.
A mund t’i besojë populli shqiptar drejtimin e fatit të vet Lulzim Bashes kur ky shkel si pa gjë të keq edhe statutin e partisë së tij?! Kur ky është zëdhënës i zellshëm Berishës për të cilin populli në mënyrë plebishitare katër vjet më parë votoi kundër tij, po që tani ka nxjerrë si manekin para vetes zotin Basha?!…Le të presim dhe disa javë…
Do të ishte mirë, që për kushtet e veçanta të trashëgimisë moniste të Shqipërisë dhe të situatës aktuale, në kushtetutë të shtohet një nen ku të shkruhet se kryetarët e partive ( me që financohen nga shteti) të mos kenë të drejtë të zgjidhen më shumë se dy herë nga katër vjet. Boll më me pronarë “demokratë” partish.