Shkëlqe me mungesë, z. Rama!
ARBEN MANAJ – Kështu e ka përjetuar ish-kryeministri Berisha mungesën e ministrit të Jashtëm grek, pas mosardhjes së këtij të fundit për festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kur Berisha përmendi Prevezën, dy vjet më parë, kur tha se “miku shkëlqen me mungesën e vet”.
Edhe pse konteksti është në invers, ky rast dëshmon se nuk është një precedent i paprecedentë, refuzimi për të shkuar në një takim ndërkombëtar.
Kryeministri Rama do të shkëlqente, nëse nuk do të shkonte në Beograd, edhe pse duket se ai e ka vendosur ta injorojë atë çka ngjau në dhe pas një ngjarjeje sportive, e cila faktikisht shënoi një “Lidhje të re Shqiptare” jo në Prizren, por në Beograd.
Kjo ishte në thelb rezultantja e asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit, ngjarje që shërbeu si një mastiç i ri Shqiptarie, e ku simbolet tradicionale shqiptare ishin mbizotëruese, madje asnjë simbol i Kosovës së re, flamur i saj zyrtar, nuk u pa në festimet që pasuan, përveç flamurit kuqezi.
Ky sensibilitet do të duhet të kishte qenë pjesë e konsideratës politike dhe diplomatike të Kryeministrit, i cili nuk ka luksin ta injorojë dhe sfidojë këtë ngazëllim mbarëkombëtar, për të bërë Eshtënin e Ballkanit.
Normalisht politika dhe diplomacia nuk ngrihet mbi ngazëllime të tilla, do të argumentonin kozmodiplomatët e Tiranës, por edhe as që mund t’i injorojë ato tërësisht, sipas “neo-autochthonous-ve“.
Nëse nuk do të ndodhte ajo që ndodhi në Beograd, vizita e Ramës do të ishte një avantazh i jashtëzakonshëm politik dhe diplomatik personal i Kryeministrit, dhe Shqipërisë në raport me Serbinë, në një analizë të hollë, pasi kishte më shumë vlerë vajtja e mikut sesa mikpritja e të zotit të shtëpisë në këtë vizitë të parë që nga koha e komunizmit ballkanik.
Ajo do të konfirmonte edhe rolin emancipues me sponsorizim dhe instruksion të dukshëm gjerman të Shqipërisë pas takimit të udhëheqësve të Ballkanit me Kancelaren gjermane.
Por sot nuk jemi në rrethanat e parandeshjes, por në post-ndeshjen e asaj që zbuloi se në Ballkan, për shkak të nacionalizmit ende në koma e përpëlitjeve artificialisht të induktuara, ka ende vlerë aksioma se “asgjë nuk është kurrë e thjeshtë në atë siujdhesë”.
Rama do të duhej vetëm ta shtynte këtë vizitë për një moment më oportun politik dhe diplomatik dhe kaq.
Nuk besoj se Rama është nisur nga ndonjë kompleks mëkatari për këtë vizitë, sesa kam drojë se ka edhe një dozë deliri protagonizmi ballkanik, duke bërë që të ndodhet në kohën e gabuar në vendin e gabuar, në Beograd.
As Brukseli apo Europa nuk është se do të kishte aq qejfmbetje nga një shtyrje kohore e vizitës, që faktikisht, nga mënyra se si shprehën zëdhënëset e tij, tregon se çështjet e Shqipërisë apo Serbisë, ia kanë lënë fantazisë dhe joseriozitetit profesional të ndonjë çupëline.
Sfida hipotetike e Ramës ndaj Europës, është nga këndvështrimi i Shqipërisë, më pak dëmtuese se sfida që Shqipëria dhe shqiptarët i bënë mikut më të madh të tyre politik, Shteteve të Bashkuara me armët kimike.
Unë gjithmonë e kam vlerësuar Ramën për një qasje ndryshe me çështjet e politikës ndërkombëtare, pasi kisha vënë re shenja të munguara më parë dinjiteti dhe autoqefalie në politikën e jashtme dhe qëndrimet ndërkombëtare, për t’u zhgënjyer keqas me këtë këmbëngulje për vizitë në Beograd, ku edhe siç pranohet zyrtarisht ka dhjetë ditë, madje që përpara ndeshjes, që serbët nuk e konfirmojnë planin e vizitës së tij.
Në fund të fundit, nën qiejt e Europës të respektojnë më shumë kur je vetvetja dhe dinjitoz, pasi si të tillë sillen pak a shumë të gjithë, për interesat dhe dinjitetin e tyre kombëtar apo kur ato cenohen në një moment të caktuar.
Pakrahasueshmërisht, edhe Merkeli ka interesa të mëdha ekonomike dhe vitale për ekonominë gjermane, siç është vartësia fytshtrënguese nga gazi rus, por sërish vendosi të mos e takojë Putinin.
Trimërisht, edhe serbët në kundërpërgjigjen ndaj shqetësimit europian për vizitën e Putinit në Beograd, përdorën argumentin së nëse Gjermania ka të drejtë të bashkëpunojë me Rusinë, përse jo Serbia?!
Ndaj askush nuk do të habitet, nëse Rama do ta shtynte për më vonë vizitën, siç edhe ia shtynë serbët disa herë deri më 22 tetor, apo siç ia shtyu Shqipëria e Berishës vizitën Presidentit Tadiç kohë më parë.
Shqipëria, edhe në një kuptim më të ngushtë ekonomik, nuk është se do të dëmtohej nga një shtyrje në kohë e kësaj vizite, që edhe me projektet e përfolura gjermane në infrastrukturën e gadishullit, nuk është se kalojnë nga territori serb aq shumë, pa folur se janë serbët që kërkojnë dalje në det, e jo ne.
Emancipimi europian i politikës serbe, siç duket, ka një rrugë më të gjatë sesa bërja njerëz dhe me shtet e shqiptarëve, siç shfrynte tërë mllef Presidenti serb këto ditë.
Vizita e Ramës nuk është se ndihmon në këtë drejtim, pasi serbët do të inkurajohen dhe nuk korrigjohen me një vizitë të tillë, pasi do të mendojnë se çfarëdo transgresioni që të bëjnë ata, ne dhe bota, sërish do t’ua krehim bishtin, siç ka ndodhur historikisht.
Nuk them që Rama të mos shkojë kurrë në Beograd, por është infuzuar kaq shumë gjak i keq në këtë histori dhe është rënduar aq shumë ajri saqë, projektet fillestare të rakordimit të planeve të sponsorizuara nga gjermania Merkel, apo traktatet e bashkëpunimit dypalësh, do të sfumoheshin dhe nuk do të kishin atë vëmendje, qoftë politike nga bashkëbiseduesit e ngarkuar emocionalisht, por dhe nga media reflektuese e këtyre gjendjeve dhe rrethanave politike në marrëdhëniet serbo-shqiptare.
Do të ishte shumë ndryshe edhe i shtensionuar takimi dhe bisedimet shqiptaro-serbe, nëse ato do të zhvilloheshin pas disa javësh apo muajsh, por brenda këtij viti, qoftë edhe pas një takimi më shumë kortezie në Beograd, kuptohet nëse gdhihet me humor të mirë Vuçiç këtë të diel.
Rama, edhe përkundër tekave dhe dorashkave diplomatike të hedhura nga homologu i tij serb, i cili duket se e ka çështje humori politik dhe personal ta ftojë ose jo Kryeministrin fqinj, a thua se e ka nomenklaturë të tij, do të duhet të shkëlqejë me mungesën e tij në Beograd, qoftë edhe duke u “sëmurë” diplomatikisht javën që vjen, një mungesë që mund të eliminojë “ringritjen për së dyti” të flamurit shqiptar si protokoll dhe jo me drone, në takimet me mikpritësit qejfmbetur me vetveten.
Por mungesa, padyshim, do të shmangë rënien e nderit dhe dinjitetit kombëtar të rispikatur të shqiptarëve, çka është ajo që po i tërbon më së shumti serbët, pas ngjarjes politiko-sportive në Beograd.
Kryeministri serb, dhe më ndjeni për fjalorin apo siç thonë anglezët, “Excuse my French”, është i dhjerë, por kërkon të ndihet krenar medoemos, ndërkohë që Rama është krenar e s’ka përse të menderoset, për nevojat e brendshme e ndërkombëtare të Vuçiçit.