Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare lindi në 28 janar të 1936 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Ai është njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi. Shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në mbi dyzetepesë gjuhë të botës.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin Princi Asturias për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Me pëlqimin e tij, duke filluar nga viti 2015, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.
Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.
Disa nga veprat e Ismail Kadare
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Kështjella”
“Kronikë në gur”
“Ura me tri harqe”
“Kush e solli Doruntinën”
“Prilli i thyer”
“Dosja H”
“Pallati i ëndrrave”
“Piramida”
“Pasardhësi”