Opinion

 Shkruan Berat Buzhala: Z. Thaçi, Haradinaj, Veseli, Lumezi, lexojeni një histori lufte nga fshati im

Nga: Berat BUZHALA

Jam i përgatitur të etiketohem pishpirik, kolaboracionist, frikacak, por nuk jam i përgatitur të gënjej. Nëse tash nuk ngrihemi në këmbë kundër jush, ka mundësi që dikur do të bëhet vonë.

Në pjesën e parë të verës së vitit 1998, në territorin e Llapushës, diku prej Rahovecit e deri në në kufi me rajonin e Drenicës, me kryeqendër Malishevën, forcat serbe e patën toleruar njëfarë zone të lirë. Në eufori e sipër, ata që e kontrollonin këtë hapësirë gjeografike, autoritetet ushtarake të UÇK’së, filluan madje që në Malishevë të lëshonin edhe mjete te identifikimit – thuhet edhe pasaporta.

Në pjesën më të madhe të periudhës për të cilën unë po flas, ndodhesha në Prishtinë, në studime. Forcat e shumta policore serbe e patën bllokuar magjistralen Prishtinë – Pejë, e edhe trenin që i lidhte këto dy qytete. Kjo ishte edhe arsyeja përse unë bashkë me disa kushërinj të tjerë mbetëm të ngujuar në kryeqytet. Familjet tona brengoseshin shumë, sepse sipas tyre pjesa ku ata jetonin ishte çliruar, kurse ne edhe më tutje po jetonim nën robëri në Prishtinë. Bënë e ç’bënë familjet, dhe na intriguan që të ktheheshim në territore të lira.

Disi me shumë peripeci, duke udhëtuar në mënyrë klandestine, arritëm të shkonim deri në Malishevë, përmes fshatit Kleçkë. Më kujtohet edhe momenti kur i takova për herë të parë ushtarët e UÇK’së, por këtë fragment nuk po e zgjas më tepër, sepse kam shkruar edhe në një tjetër rast. Në Malishevë, e cila po gëlonte nga masat e entuziazmuara popullore, prindërit na pritën krahëhapur. Duhet të ketë qenë 30 qershori i vitit 1998. Ata ishin rreshkur nga dielli dhe puna në fusha, kurse ne dukeshim si të sapo dalë nga spitali. Të bardhë bilur. Pasi u tallën fillimisht me çehret tona, na futën në vetura dhe na nisën në disa rrugë zigzage për në Çabiq. Në mes të fshatit dhe Malishevës qëndronte e pa çliruar Kjeva, një fshat tjetër, që në atë kohë ishte multietnik. Kishte serbë dhe shqiptarë. Aty ishin të stacionuara forcat serbe, që nuk lëkundeshin dot, ani pse ishin të rrethuara nga të katër anët.

Dikur pasdite kemi mbërritur në shtëpi. Isha i lumtur, por edhe mjaft skeptik. Nuk e besoja assesi që këto zona ishin të lira, sepse forcat serbe nuk mund të futeshin aty. Sigurisht që nëse i gjithë fshati insiston që saktësisht kjo është arsyeja, pra që forcat serbe nuk kanë guxim që të futen, atëherë kush isha unë që të mendoja ndryshe. Nuk guxojnë, nuk guxojnë. Edhe pikë.

Dy tri ditë më vonë, dy ose tre korrik, forcat serbe dëshironin ta tërheqnin një grua shtatzënë prej aty, për ta dërguar në spital për të lindur. UÇK’ja nuk ishte pajtuar që t’i hapte rrugë, edhe përkundër ndërmjetësimit ndërkombëtar. Meqë ishte vendosur, atëherë forcat serbe u futën me helikopterë dhe artileri në Kjevë, i vranë disa civilë shqiptarë, e tërhoqën gruan për ta dërguar në spital, dhe u tërhoqën përsëri.

Ky ishte testi i parë i matjes së forcave. Rezultati nuk ishte ashtu siç e priste fshati. Sido që të jetë, prapë u rikthye normaliteti. Mendimet ndryshe gjatë luftës, kur çdokush ka armë në dorë, nuk janë gjëja e duhur. Akuzat për defetizëm vazhdimisht janë në dispozicion.

Kështu që vera vazhdoi normalisht, sikur ai episod të mos kishte ndodhur fare. Zëreni që nuk e pamë.

Në fshat gjatë asaj kohe ishin, pa frikë, mbi 50 ushtarë. Disa familjarë tonë nga Lugu i Drinit kishin ardhur për t’iu bashkuar luftës. Dikush një pisqolle në xhep, dikush një kallashnikov në krah. Meqë luftime nuk kishte, shumica e tyre silleshin nëpër oborret e shtëpive të tyre, ose nëpër mahallë, të armatosur dhe me rroba militare. Disa më gjaknxehtë uleshin edhe para shitoreve duke u freskuar me birra, të cilat i shoqëronin me narezak dhe vegetë. Tek tuk shkrepej edhe ndonjë fishek, e pse jo, në eufori e sipër edhe ndonjë dajak ndonjë kushëriri me të cilin ke pasur ndonjë hasmëri përpara se gjendja të eskalonte në këtë far derexheje.

Të dashur drejtues të shtetit,

Unë, ky që jam sot, dy a tri herë kam bërë roje natën me një pushkë të ndryshkët. Askush nuk e dinte nëse ajo mund të nxjerrte fishek nga gryka, po të vinte nevoja që të përballëshe me një polic serb. Nuk ma merr mendja që do të bënte bam. Për të qenë më i saktë, unë, sipas shortit, bëja rojën me mixhën, Pjetrin. Meqë ky i fundit e ka një ironi fantastike, gjatë kohës që po qëndronim në qiell të hapur, në një mot të kthjellët, ishte i prirur për të prodhuar situata komike.

“Sa të jam unë qitu, rri flej shlirë”, më thoshte, duke e pasur fjalinë me një nënqeshje.

Unë nuk kam qenë ushtar. Thjesht i sapokthyer nga Prishtina dhe po i nënshtrohesha rregullave të caktuara më herët. Madje me një lloj kënaqësie.

Pra, gjatë verës së vitit 1998, derisa nuk kishte pasuar ofansiva e madhe serbe, numri i ushtarëve në fshat ishte për çdo lakmi. Që të mos e lakoj në asnjë moment realitetin e asaj kohe, edhe pse tash kanë kaluar rrafsh 20 vjet, situata organizative kishte eskaluar. Nuk dihej se kush pinte e kush paguante. Pushka në krah, mungesa e frikës nga dhënia e përgjegjësisë, çdonjërin prej nesh e tjetërson për të keq. Këtë e kam parë me sytë e mi. I kam parë të njohurit e mi se si tjetërsoheshin, se si ndërronin pikëpamjet e tyre.

Ata që kishin veshur uniformat, shumica ishin të rinj, por kishte edhe më në moshë. Një numër i tyre kishin shkuar edhe në Shqipëri për të marrë armë. Kur ktheheshin tregonin për bëmat. Ne që nuk e kishim guximin për t’u bërë ushtarë, dëgjonim me kujdes.

Në këtë dalldi, më kujtohet mirë fytyra e një bashkëfshatari, tek e godiste me qytën e armës banakun e drunjtë të shitores, duke i bërë kështu birrat që të tundeshin dhe grumbullin e vegetës të shpërndahej.

“Kam shkau mo në Çabiq nuk ka me shkelë”, klithte ai, e ne të tjerët e aprovonim në heshtje me lëvizje të kokës.

Prej këtij momenti, kur ishte dhënë betimi që këmbë e serbit nuk do të futet më në Çabiq, e deri në momentin kur këmba e serbit u fut në Çabiq, nuk kishin kaluar më shumë se 48 orë. Kishte filluar, ajo që njihet, si ofansiva e gushtit e forcave serbe që për disa javë, jo vetëm që u fut në fshatra, por po na ndiqte edhe nëpër mal e shkurre.

Nga mbi 50 ushtarë që kishin qenë në fillim të gushtit, numri i ushtarëve në Çabiq pas disa ditësh kishte zbritur në rreth 10. Mujë Krasniqi, Kapuçi, të cilin e kam njohur, e më të cilin edhe kemi luajtur futboll, në atë kohë ka qënë i plagosur rëndë. Për t’iu dhënë zemër ushtarëve, ai kërkonte që ta dërgonin në barelë ku ishte i shtrirë tek ndonjë pikë prej ku mund të shtiente në drejtim të forcave serbe. Mirëpo Mujës i kishin ngelur shumë pak ushtarë.

Ata që kishin ardhur nga viset tjera, disa të afërm, i kishin hedhur armët dhe kishin gjetur mënyra për zbarkuar në Ulqin, ku e kishin vazhduar jetën e tyre. Disa të tjerë thjesht i kishin lëshuar armët. Disa të tjerë kishin gjetur mënyra për të ikur ku kokën këmbët. Në këtë mënyrë kishte marrë fund zallahia dhe rrëmuja disa mujore. Unë, me bisht nën shalë, bashkë edhe me qindra bashkëfshatarë të tjerë, në mungesë të shpresës, arritëm që t’i gjenim disa rrugë anësore për t’u rikthyer prapë në Prishtinë. Në një hark kohor prej një muaj e pak unë isha në Prishtinën e okupuar, shkova në Çabiqin e lirë dhe u riktheva përsëri në Prishtinën e okupuar. Ashtu siç ishim zhele – zhele, plot pisllëk, të palarë për javë të tëra, u futëm në kryeqytet. Kjo pjesë tash është e parëndësishme.

Të dashur drejtues të shtetit,

Kam dëgjuar që numri i veteranëve në Çabiq tash është shumëfish më i madh. Asnjërin prej tyre nuk e fajësoj. Gjendja e rëndë ekonomike, papunësia ekstreme, i ka detyruar që të kërkojnë shpëtim duke rendur pas alternativave të ndihmave sociale. Ne të gjithë e dimë, e edhe ata të gjithë e dinë, kush ka qenë e kush nuk ka qenë ushtar. Sa herë shkoj në fshat e takoj Naserin, i quajtur në luftë Rrëmoku, i plagosur rëndë gjatë asaj periudhe.

“Marre çka kanë bo”, është komenti që e dëgjoj çdo ditë.

Të dashur drejtues të shtetit, marrë çka keni bërë. E keni shndërruar në biznes një çështje shumë të shenjtë. Ata, që në vende normale, do të duhej të ndiqeshin për dezertim, i keni bërë veteranë. Ata që janë plagosur duke ikur, i keni shndërruar invalidë të luftës.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button