Shndërrimi i SHQUP-it në “bunkerin” politik të PD-së
YLLI PATA
Zgjedhja e Arben Ristanit në postin e numrit dy të Partisë Demokratike ka çuditur opinionin publik jo vetëm votues të së djathtës, pasi ky katapultim përbën një eveniment dukshëm dhe të pastër ekstrapolitik. Kjo, sepse karriera në ngjitje e zotit Ristani nuk erdhi as nga një kontribut i fuqishëm në shoqëri, shkencë apo art, por as nga një “galop” elektoral, që zakonisht e arrijnë ata politikanë që janë “makineri” votash në zonat apo komunitetet e tyre.
Arben Ristani, përpara se të zgjidhet deputet i PD-së e të bënte “stazhin” politik si zv.ministër i Brendshëm, njihet në opinionin publik shqiptar si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kohën e “vlimit” politik, kur arbitri zgjedhor ishte më i kontestuari që prej zgjedhjeve të vitit 1996.
Me votat e vetëm katër anëtarëve të KQZ-së, në qershor të vitit 2011, zoti Ristani mori një veprim “ekstraligjor” (siç është cilësuar nga raporti zyrtar i misionit të OSBE/ODIHR-it) për të numëruar votat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të cilat ndodheshin jo në kutinë e përcaktuar për kryetarin, por në atë të përcaktuar për këshillin e bashkisë. Vendim që u mor pasi loja kishte përfunduar, votat ishin numëruar dhe kutitë nuk kishin më sigurinë e parë. Me numërimin e këtyre votave, që u nxorën nga disa kuti andej-këtej, kandidati i PD-së, Lulzim Basha, përmbysi avantazhin e Edi Ramës, i cili kishte fituar pas numërimit të kutive të 11 Komisioneve Zonalë të Tiranës.
Pas këtij vendimi të KQZ-së, Partia Socialiste ka depozituar një padi penale ndaj ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, padi që edhe sot e kësaj dite është e depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ka gjasa që dosja të mos jetë mbyllur akoma.
Pra shkurtimisht, kjo ishte CV-ja publike e Arben Ristanit, një biografi që e bën politikisht të brishtë dhe lehtësisht të sulmueshëm nga kundërshtarët politikë. Por, pak ditë më parë, u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike dukshëm i mbështetur nga lidershipi aktual, por edhe nga vetë doktor Berisha, të cilin Ristani e falënderoi publikisht.
Ndaj dhe përfundimi i një analize të çfarëdoshme është se kjo zgjedhje ose është bërë për ta “blinduar” Ristanin ose për të shfrytëzuar vetitë e çmuara të oratorisë politike (gjë që nuk është se e disponon), ndaj versioni mbetet i parë.
Nëse u kthehemi vendimeve dhe veprimeve të kupolës së Partisë Demokratike që pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, shumë prej tyre janë bërë ngjashëm si vendimi final që kulmoi me largimin e “senatorëve” apo dhe “qëndrestarëve”, duke sjellë një grup të ri drejtues luajal me kryetarin Lulzim Basha.
Vendimi më i bujshëm dhe që nuk u kuptua atëherë plotësisht, ishte zhvendosja e PD-së në selinë e SHQUP-it (Shtëpinë e Ushtarakëve), e cila as funksionalisht, por as simbolikisht, nuk përputhej me PD-në që synonte të transformohej pas humbjes së thellë.
E ndodhur “rastësisht” pranë një korpusi të sapopajisur me leje nga kryebashkiaku Basha për të ndërtuar një qendër multifunksionale ngjitur me Xhaminë e Namazgjasë, SHQUP-i i kthyer në PD, krijonte imazhin e një strehimi të inkorporuar në një “minikozmos” parash dhe besimi shpirtëror. Një mjedis ideal për shumëçka, por jo për të bërë politikë reale e për të mbledhur militantë. Shkëputja e lejes së ndërtimit të qendrës tregtare nga ajo e xhamisë, shkëputi selinë e re të PD-së me atë të xhamisë, duke krijuar një distancë vizuale dhe rikthyer normalitetin urban.
Ky koncept bunkeri, edhe pse u diskutua në atë kohë në opinionin publik, kurrë nuk u analizua në hollësi, për faktin se kjo përbën një ndërtesë dhe asgjë tjetër. Por, edhe pse faktet flisnin për më shumë se logjistikë, kurrë në panelet apo sallonet e debatit, nuk u diskutua qoftë ana simbolike apo ajo analitike e këtij zhvillimi.
Ndërkohë që SHQUP-i u kthye në kantier, PD-ja zhvilloi me shpejtësi garën për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, e cila u kontestua menjëherë jo vetëm nga rivali i Bashës, i ndjeri Sokol Olldashi, por edhe nga shumë pjesë të medias dhe opinionit publik. Në legjislaturën e re me PD-në në opozitë, grupi i rrudhur startoi fuqishëm në kundërofensivë ndaj mazhorancës gjigante PS-LSI, duke zhvilluar debate të egra në Kuvend, në të cilat Berisha komandonte hyrjet dhe daljet e deputetëve të PD-së. Në këtë performancë, u vu re një dalje nga rreshti, kryesisht e disa prej senatorëve”, si Astrit Patozi, por edhe të tjerë. Megjithatë, “aventura” e grupit luftarak parlamentar përfundoi sapo u penalizua Berisha për shkelje të rregullores, ndërsa ofendoi me fjalor jashtë politik të motrën e ministres Mimi Kodheli, duke sulmuar edhe ambasadën e SHBA-së në Tiranë.
Grupi u rikthye në SHQUP-in e restauruar në një “resort” politik luksoz, që ka gëlltitur miliona e miliona nga ky operacion.
Aty bëhen mbledhje, mbahen fjalime apo konferenca vetëm me regji qendrore. PD-ja bën mbledhje Parlamenti paralel, komisionesh paralele, “qeverie” paralele dhe dikastere paralele. Njerëzit lëvizin me urdhra që xhirojnë në mënyrë të mistershme. Por, megjithatë, dy nga aktorët dukshëm më afër realpolitikës: Eduard Selami dhe Enkelejd Alibeaj, tentuan të hyjnë në garën për sekretarin e përgjithshëm. Të dy kishin më shumë potencial dhe arsye për t’u zgjedhur në postin e numrit dy, duke i dhënë një fytyrë tjetër PD-së, jo vetëm atë të zotit Basha dhe selisë hijerëndë të SHQUP-it. Por, papritur, në fundin e ditës, pranë portretit të Bashës u afrua pamja e tendosur e Arben Ristanit, që riktheu kohën tre vjet pas, pikërisht atëherë kur ky “çift politik” ishte “preja” e opozitës së atëhershme, madje edhe të opinionit publik. Në sfond, normalisht shfaqet tabloja hijerëndë, pak e anuar majtas e ish-kryeministrit Sali Berisha …
Sfida më e re janë zgjedhjet vendore, që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të bëhen me ndarjen e re territoriale. Dhe nga selia e PD-së, gjithnjë e më shumë po dalin sinjale apo deklarata që i afrohen bojkotit dhe largimit nga politika reale e normale. Dyshja Basha-Ristani, po përgatiten mbi betejën e radhës me Edi Ramën jo në shesh apo debat i hapur, por duke u mbyllur brenda SHQUP-it, tashmë të pajisur me gjithçka për një sezon të gjatë rezistence. Po ndaj kujt? Ndaj një vendimi ekstrapolitik, por që vjen jo nga pallatet e politikës? Ku i dihet! Por a janë ndërtuar tunele të nëndheshme nën godinën e SHQUP-it?