Maqedonia

Shpallet thirrja për projekte për bashkëpunim ndërkufitar Maqedoni-Shqipëri

Në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup u shpall thirrja e parë publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë 2014-2020, fonde të siguruara nga Instrumenti i Ndihmës së Para Aderimit (IPA 2) të BE-së.

Për këtë thirrje, nga ana e BE-së në dispozicion janë 2.890.000 euro për projekte të dy vendeve, ndërsa të drejtë aplikimi kanë instutcionet e sektorit publik, organizatat e shoqërisë civile, dhomat e tregtisë, qendrat për menaxhimin e krizave, shkollat fillore dhe të mesme, ata profesionale, universitetet, etj.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, theksoi se projekti në fjalë kontribuon në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve dhe ndihmon në perspektivën ekonomike dhe stabilitetin politik në rajonin e gjerë. Ai bëri të ditur se nga BE-ja gati 3 milionë euro janë siguruar për tre prioritete të të dy vendeve, në turizmin dhe kulturën, rritjen e investimeve të aftësive të biznesit dhe në mbrojtjen e mjedisit.

“Bashkëpunim ndërkufitar do të thotë pasurim i së ardhmes dhe jo vetëm në mirëkuptim më të mirë dhe jetë më të mirë, por edhe në afrimin e qytetarëve të të dy vendeve me ofrimin e shërbimeve publike dhe të infrastrukturës. Bëhet fjalë për një sinergji që vendet nuk do të mund të jetojnë pa të”, deklaroi Zhbogar.

Ndërkaq, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, Shyrete Elezi, theksoi se në suaza të periudhës së parë programore 2007-2013, përmes instrumentit IPA janë financuar 51 projekte për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, në vlerë prej 7.2 milion euro.

Ndërsa, siç tha ajo, në këtë periudhë të dytë programore dikasteri që drejton ajo do të jetë përgjegjëse për realizimin e rreth 100 milionë euro për gjithsej pesë programeve për bashkëpunim ndërkufitar, ndër to edhe me Shqipërinë në vlerë prej 12 milionë euro.

“Në periudhën e parë programore, kemi arritur të realizojmë rreth 85 përqind të mjeteve që i kishim në dispozicion përmes instrumentit IPA. Të inkurajuar nga kjo përvojë, synojmë që në periudhën e dytë programore të arrijmë shkallën e realizimit prej mbi 90 përqind”, deklaroi Elezi, duke ftuar shfrytëzuesit e mundshëm të marrin pjesë me projekte konkurruese dhe inovative.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeminstri për Çështje Evropiane i Qeverisë së Maqedonisë, Arbër Ademi, tha se me realizimin e projekteve të suksesshme të periudhës së parë programore është fituar një përvojë dhe është ndërtuar partneritet ndërkufitar të cilët mund të jenë bazë për avancimin e suksesist të programit të ri.

Qëllimi i komponentit për bashkëpunim ndërkufitar është nxitja e zhvillimit ndërkufitar ekonomik, ekologjik dhe social, me theks të veçantë në avancimin e turizmit, zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit jetësor në mbrojtjen, avancimin dhe përparimin e pasurive natyrore dhe ekosistemit, si dhe nxitja e zhvillimit të kohëzionit social dhe kulturor nëpërmjet aktiviteteve të llojit nga njerëzit për njerëzit dhe nga institucionet për institucionet.

Instrumenti i Ndihmës së Para aderimit (IPA) është pjesë e pakos për marrëdhënie të jashtme me BE-në. Qëllimi themelor gjatë krijimit të IPA-s ishte koordinimi i ndihmës gjithëpërfshirëse parashikuar për fazën e para-aderimit, nën një kornizë të vetme si dhe bashkimi i shteteve kandidate për anëtarësim dhe shtetet potencialisht kandidate për anëtarësim nën një rregullativë të vetme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button