Shpirti në eptim dhe universi letrar i zija çelës
Veprat e Zija Çelës nuk janë thjesht kronika ngjarjesh, por struktura reflektimi mbi natyrën njerëzore.

Letërsia e vërtetë rrallë kufizohet vetëm në tregimin e një historie. Ajo depërton në hapësirat e padukshme të njeriut, aty ku mendimi, ndjenja dhe përvoja bashkohen në kërkimin e përhershëm për kuptim.
Në këtë horizont letrar vendoset edhe krijimtaria e shkrimtarit Zija Çela, një univers narrativ ku realiteti i përditshëm dhe reflektimi filozofik ndërthuren në mënyrë të pandashme, dhe ku lexuesi nuk përballet vetëm me histori, por me vetveten.
Një nga veprat më të spikatura të tij është romani “Ora e Zooparkut” (2017), i konsideruar nga kritika si një arritje e rëndësishme e prozës shqipe bashkëkohore. Në këtë roman, Zooparku shndërrohet në metaforë të izolimit të njeriut, të një shoqërie të kontrolluar dhe të absurditetit të realitetit social. Në këtë hapësirë simbolike, Zija Çela sfidon lexuesin të reflektojë mbi tensionin mes lirisë individuale dhe kufizimeve kolektive, siç përmblidhet në fjalinë : “Secili dëgjon tingullin që i duhet atij.”
Kjo fjali sintetizon filozofinë e romanit. Tingulli nuk është vetëm një element akustik, por një metaforë e perceptimit subjektiv të realitetit. Personazhet e romanit jetojnë në të njëjtën hapësirë simbolike, zooparkun, por secili interpreton realitetin sipas nevojave dhe kufizimeve të veta psikologjike.
Metafora dhe simbolika te Zija Çela nuk janë thjesht figura dekorative, por mjet interpretimi që i jep narrativës dimension filozofik. Përqasja me “Fermën e kafshëve” të George Orwell-it, ndihmon të shpërfaqet veçoria e Zija Çelës: ndërsa Orwell-i përdor alegorinë për të ilustruar një kritikë politike lineare, te “Ora e Zooparkut” simbolika është më komplekse dhe ekzistenciale, duke ofruar hapësirë për interpretim të shumëfishtë.
Një dimension më intim i krijimtarisë së tij shfaqet në librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” (2007). Në këtë elegji në prozë, dhimbja dhe kujtesa shndërrohen në meditacion mbi dashurinë dhe humbjen, ku autori artikulon mesazhe etike dhe estetike: “Thonë se vyrtytet dhe talentet janë xhevahirët më të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun.”
Kohezioni i universit letrar të Zija Çelës bëhet më i qartë kur kthehemi pas në kohë, te veprat e tij të hershme të viteve 1970–1980.
Romani “Një verë pa lamtumirë” i botuar në vitin 1979, është një nga veprat e rëndësishme të letërsisë shqiptare të periudhës së pasluftës, ku autori eksploron temat e rritjes, identitetit dhe tensioneve të brendshme njerëzore.
Romani përshkon idenë filozofike të ekzistencializmit: individi përballet me humbjet, zhgënjimet dhe ndarjet, por kërkon të gjejë kuptim dhe përmbushje në momentet e përkohshme të jetës.
Në këtë perspektivë, krijimtaria e hershme Zija Çelës, pra ajo e shkruar para vitit 1990, fiton një rëndësi të veçantë edhe në raport me kontekstin letrar të kohës. Në një periudhë kur letërsia shqiptare funksiononte kryesisht brenda kornizave ideologjike të realizmit socialist, proza e Zija Çelës shfaq një prirje për të zhvendosur vëmendjen nga skemat kolektive drejt përvojës individuale dhe botës së brendshme të personazheve.
Kjo nuk realizohet përmes një kundërshtimi të hapur ndaj paradigmës dominuese, por përmes një zgjerimi estetik të saj. Simbolika, analiza psikologjike dhe ndërtimi i situatave me ngarkesë ekzistenciale krijojnë një hapësirë interpretimi më të gjerë sesa ajo që lejonte zakonisht narrativa ideologjike.
Në këtë mënyrë, shkrimtari dëshmon një orientim drejt një proze më refleksive, një prirje që në veprat e mëvonshme do të zhvillohet në mënyrë më të plotë dhe më të lirë.
Stili i Zija Çelës karakterizohet nga eleganca, ndjeshmëria estetike dhe një gjuhë e pasur me metafora dhe simbolika, ku çdo detaj ka rëndësi për perceptimin e lexuesit mbi karakteret dhe ambientin. Realiteti i përditshëm përshkruhet përmes detajeve që kapin emocionet, ambiciet dhe konfliktet e brendshme të individit, duke krijuar një mozaik narrativ ku dashuria, humbja, morali dhe përgjegjësia ndërthuren organikisht.
Pikërisht përmes këtij universi narrativ, veprat e Zija Çelës nuk janë thjesht kronika ngjarjesh, por struktura reflektimi mbi natyrën njerëzore.
Përmes historive të njerëzve të zakonshëm, përmes humbjeve, dashurisë, dyshimit dhe kërkimit për kuptim, ai ndërton një letërsi ku përvoja individuale shndërrohet në përvojë universale.
Në këtë kuptim, universi letrar i Zija Çelës mund të shihet si një eptimë e shpirtit: një hapësirë ku rrëfimi dhe reflektimi bashkëjetojnë, ku jeta konkrete dhe mendimi filozofik takohen për të zbuluar dimensionin më të thellë të qenies njerëzore, dhe ku lexuesi ftohet të reflektojë mbi vetveten dhe misterin e ekzistencës. Dhe pikërisht në këtë pikë qëndron edhe thelbi i asaj që mund të quhet “shpirti në eptim”: një mënyrë për të kuptuar letërsinë si vendin ku jeta konkrete dhe mendimi filozofik takohen për të zbuluar dimensionin më të thellë të qenies njerëzore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.