Shpresat e Estonisë: çfarë mund të ofrojë Obama?
Presidenti i SHBA do të ndalojë në Estoni në rrugën e tij për në samitin e Natos në Wales. Estonezët dëshirojnë që Obama të angazhohet për një shtim të prezencës së NATO-s, por sa realiste është kjo, pyet Raimo Poom.
Ka kaluar pak më shumë se një javë, ishte pikërisht para kryengritjes së fundit terroriste të mbështetur nga rusët në Ukrainën Lindore, kur forcat e Kievit kapën disa armatime të rënda të palës tjetër. Tipi i pajisjeve- që përdoret ekskluzivisht nga ushtria ruse- dhe dokumentat e “luftëtarëve” të kapur, tregon se ata nuk ishin “terroristë” lokalë, por forca të rregullta të armatosura të Moskës.
Një vështrim më nga afër tregon se pajisjet dhe ushtarët ishin të njërës nga njësitë më me prestigj të ushtrisë ruse, nga Divizioni elitar i Parashutistëve Pskov.
Vetëm 50 km e ndajnë kufirin e Estonisë dhe të Lituanisë, pra kufirin e NATO-s nga Pskovi. Përballë këtij sfondi në Ukrainë, është shumë e kuptueshme që estonezët, ashtu si dhe letonezët, lituanezët dhe polakët janë të shqetësuar. Çfarë do t’i pengojë trupat parashutiste të Putinit që për çfarëdo arsye të kalojnë një kufi, që është vetëm sa të hedhësh gurin larg kufirit rus, kur ata e bëjnë këtë mijëra kilometra më tej në Ukrainën Lindore?
Skenar pa gjasa?
Sado pa gjasa që të jetë ky skenar në jetën reale, më e mira është të jesh i kujdesshëm. Kështu, që në pranverë u vendos që pjesa lindore e Aleancës ka nevojë për prezencë të shtuar të forcave të NATO-s, të cilat do të ofronin siguri. Masa të para u vunë në zbatim, me shpresën që udhëheqësit e NATO-s do të aprovojnë një paketë më të gjerë në samitin e Wales-it këtë javë.
Bazuar në këtë, është e lehtë që të shpresosh se vizita e Presidentit Barack Obama në Talinn të mërkurën do të sjellë disa mesazhe për t’u përshëndetur. Së pari, ai do të vijë këtu për ta siguruar personalisht Estoninë dhe shtete të tjera baltike për angazhimin e SHBA ndaj NATO-s dhe kufijve të saj. Mesazhi për Vladimir Putinin, që as duhet ta shkojë në mend që të bëjë rrëmujë këtu, është i qartë si kristali.
Së dyti, në ambjentin e sigurisë më fort në qendër të vëmendjes në Evropë, Obama do t’u tërheqë vëmendjen edhe shteteve të tjera të NATO-s me një vizitë në një vend që shpenzon 2 përqind të PBB për mbrojtjen dhe i ofron burime të konsiderueshme NATO-s. Fakti që merret si shembull për të tjerët sigurisht do t’i bëjë mirë vlerësimit të estonezëve për veten.
Po duke e lënë simbolikën mënjanë, estonezët do të presin nga Obama që ai të shpallë masa signifikante dhe të prekshme, që do të ofrojnë praninë e premtuar të dukshme të NATO-s.
Angazhim konkret
Dhe këtu punët nisin të ngatërrohen. Kur kancelarja gjermane, Angela Merkel e vizitoi Rigën në mes të gushtit, ajo e përjashtoi “praninë e përhershme dhe stacionimin e trupave luftarake” në rajon. Reagimi në Talin ishte gati histerik dhe ndoshta jo fair ndaj kancelares. Siç doli, fjalia që shqiptoi ajo ishte vetëm një linjë e pjesës së pranuar të negociatave për pakon e masave. Atë që ajo nuk mund ta merrte me mend, është fakti që si politikanët lokalë, ashtu edhe vetë shefat e NATO-s kishin harruar ta informojnë publikun.
Suksesi i vizitës së Obamas do të varet nga ajo që ai mund të projektojë në Talin, por edhe nga vënia e shpresave në një kontekst realist.
Por sërish, një derë më tej është një diktator, që nuk mendohet dy herë pa t’i sulmojë fqinjët e tij me fuqi ushtarake. Dhe NATO-ja mund të jetë një frikësues i besueshëm ndaj këtyre udhëheqësve të gatshëm për të tërhequr këmbëzën e armës vetëm nëse nenet e Marrëveshjes së saj mbështeten në një mënyrë të besueshme.