Shpresë për armëpushim në Izrael
Ende nuk ka konfirmim, por në medie qarkullojnë informacione për një armëpushim midis izraelitëve dhe palestinezëve. Megjithatë, Izraeli vazhdon të hapë zjarr ndaj objektivave palestineze.
Gazeta palestineze “Al-Quds” informon të premten, se Hamasët palestinezë dhe Izraeli kanë rënë dakord për një ndalim të sulmeve reciproke. Dakordimi mendohet se është arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit. Objektivi është një armëpushim i plotë brenda 72 orësh.
Izraeli i ka kaluar forcat e tij në gatishmëri të lartë, për shkak të trazirave të mundshme: të premten (04.07) varroset palestinezi 16 vjeçar, i cili u gjet i vrarë të mërkurën pranë Jeruzalemit. Spekulohet se mund të jetë një akt hakmarrjeje: Izraeli kishte akuzuar Hamasët për rrëmbimin dhe vrasjen e tre nxënëse hebrej të fesë dhe pati thënë se do të marrë hak. Vrasja e të rinjve e pati nxitur konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Kundërsulm deri tani nuk ka
Të premten pasdite gjendja ishte fillimisht e qetë. Pastaj udhëheqja izraelite njoftoi se e pati goditur me artileri Rripin e Gazës – si reagim ndaj sulmeve palestineze me raketa të premten në mëngjes. Sipas të dhënave të ushtrisë izraelite, u shkrepën gjithsej katër predha në drejtim të jugut të vendit. Njëra predhë u shkatërrua nga sistemi antiraketor “Kupola e hekurt”, dy të tjera patën rënë në fushë.
Për shkak të vazhdimit të sulmeve me raketa nga rripi i Gazës, të enjten Izraeli i përforcoi trupat në kufi me zonat palestineze. Sipas të dhënave ushtarake, të enjten ranë më shumë se 40 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael. Në qytetin kufitar Sderot u goditën dy shtëpi, por informacione për viktima nuk pati.
Hedhje reciproke faji
“Mënyra jonë e veprimit ka gjithmonë synin deeskalimin e gjendjes”, tha një zëdhënës i ushtrisë. Por nga ana tjetër ushtria është e përgatitur, nëse pala tjetër nuk e qetëson situatën.
Banorë të Rripit të Gazës deklaruan nga ana e tyre se aviacioni izraelit, në sulmet ndaj institucioneve të Hamasve radikalë islamikë plagosi 15 vetë. Një zëdhënës i Hamasve e akuzoi Izraelin se ka thyer armëpushimin e vendosur që në vitin 2012.
Gjendje delikate në Gazë
Përballë shtimit masiv të tensioneve midis Izraelit dhe palestinezëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Izraelit që ta zbusë bllokadën e Rripit të Gazës. Gjendja ekonomike në rajonin e bllokuar bregdetar po keqësohet gjithnjë e më shumë “për shkak të pasigurisë së shtuar politike”, paralajmëroi drejtori i FMN në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perëndimor, Christoph Duenwald. Kështu, një ndër dy të rritur në zonat palestineze është i papunë.