Shqipëri – Austri, së shpejti marrëveshja e sigurimeve shoqërore
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi një vizitë pune dy ditore në Austri, ku u takua me Ministrin Federal të Punës, Cështjeve Sociale dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Alois Stoger.
Mes dy ministrave, u ra dakort për arritjen e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore mes dy vendeve. Kjo marrëveshje do të finalizohet me nënshkrimin shumë shpejt nga të dyja shtetet, të njohjes së kontributeve shoqërore për shqiptarët që kanë ndarë vitet e punës mes Shqipërisë dhe Austrisë.
Ministri Klosi falënderoi shtetin austriak për mbështetjen e vijueshme që i ka dhënë dhe i jep vendit tonë në rrugën e zhvillimit dhe integrimit europian. Ai veçoi ndihmën e madhe që ky shtet po i jep zhvillimit dhe fuqizimit të arsimit profesional në vendin tonë.
Gjatë takimit, ministri Klosi bëri një panoramë të reformave të ndërrmarra në drejtim të fuqizimit të arsimit profesional, lidhjes së tij me tregun e punës, reformimit të shërbimeve sociale dhe rritjes së dimensionit social të shtetit shqiptar.
Nga ana e tij, Ministri austriak i Punës, Stoger përgëzoi përpjekjen e madhe të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, për fuqizimin e tregut të punës, lidhjen e tij me arsimin profesional dhe siguroi mbështetjen e plotë të vendit të tij në këtë drejtim.
Ministri Federal i Punës, Cështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Alois Stoger dha mbështetjen dhe konfirmoi ndihmesën e vendit të tij në reformën e shërbimeve sociale që MMSR ka ndërrmarrë.
Gjatë qëndrimit në Austri ministri Klosi u prit nga Ministria e Familjes dhe Rinisë në qeverinë e Austrisë. Ministri Klosi njohu ministren austriake me punën që po bëhet nga dikasteri i tij për mbrojtjen e familjes, fuqizimin ekonomik të gruas, mbrojtjen e fëmijëve, ofrimin e shërbimeve për familjen.
Në takimin në Agjensinë e Zhvillimit Austriak theksi u vu tek mbështetja që do të jepet për dy shkollat e Hoteleri-Turizmit, në Sarandë dhe Korçë, projekt përmes të cilit shteti austriak do të japë ndihmesën për fuqizimin e tyre dhe shndërrimin në shkolla model.