Ekonomia

Shqipëri-Kanada marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore, përfitojnë rreth 60 mijë shqiptarë

Rreth 60 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada nuk do të humbasin asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku kanë punuar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë të ditur sot nënshkrimin e marrëveshjes për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

Për Kanadanë, marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Chrystia Freeland, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, nënshkroi ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është shmangia e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’u paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Nënshkrimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje erdhi pas një periudhe të gjatë negociatash për njohjen reciproke të skemave të sigurimeve shoqërore dhe hartimit të marrëveshjeve administrative, duke nisur që prej vitit 2013.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Kanada, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe u trajtuan disa çështje me interes të ndërsjellë si dhe u theksua vullneti i përbashkët i të dy vendeve tona për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh. Ndërkohë që Ambasada Shqiptare në Kanada dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jenë të gatshëm të asistojnë me informacion komunitetin e interesuar shqiptar të Kanadasë në lidhje me procedurat e mëtejshme për njohjen e kontributeve.

Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 7 vende të Evropës, dhe aktualisht ndodhet në proces negociatash dhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë qytetarët shqiptar.

Ndërkohë zv.ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Dajna Sorensen, gjatë një interviste televizive, bëri të ditur se marrëveshja hyn në fuqi brenda dy muajsh pasi të miratohet nga dy parlamentet.

Ajo tha se në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribut, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

“Shqiptarët që ndodhen në Kanada apo në Shqipëri dhe që kanë vite në Kanada, mund të zgjedhin të aplikojnë aty ku ata jetojnë. Nëse ndodhen në Kanada, mund të aplikojnë pranë institucionit përkatës në Kanada, në të kundërt në Shqipëri pranë degëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, – sqaroi zv.ministrja.

Sorensen theksoi se ”për ata që nuk i kanë të gjitha dokumentacionet, Kanadaja jep një pension rezidencial për të gjithë ata që kanë jetuar 10 vjet në atë vend. Nëse një shqiptar ka jetuar 10 vite në Shqipëri dhe 10 vite në Kanada, ai e përfiton pensionin pavarësisht se ku ndodhet rezidenca e tij”.

“Në rastin konkret, vitet e punës që ata kanë në Shqipëri ose Kanada në totalin e tyre i shërbejnë sipas skemës së pensioneve në të dyja vendet, në Shqipëri 15 vjet, në Kanada minimumi 20 vjet për të përfituar pensionin kudo që ata ndodhen”, – sqaroi më tej zv.ministrja.

E pyetur nëse ka marrëveshje me shtetet e tjera, Sorensen tha se janë 7 marrëveshje që janë në fuqi, me Belgjikën, Luksemburgun, Bullgarinë, Çekinë, Austrinë dhe Gjermaninë, ku kemi rreth 660 mijë shqiptarë të cilët janë duke përfituar në sajë të këtyre marrëveshjeve.

Gjithashtu, ajo shtoi se kemi marrëveshje edhe me Rumaninë që është ratifikuar nga parlamenti shqiptar në 2016 dhe shumë shpejt pritet firmosja e marrëveshjes administrative.

Sorensen deklaroi se janë përfunduar negociatat me Zvicrën, ku kjo marrëveshje është dakordësuar në mesin e vitit të kaluar dhe aktualisht po ndiqen procedurat ligjore për ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Ajo tha negociata për njohjen e pensioneve të shqiptarëve do të ketë edhe me Italinë, Greqinë, Malin e Zi, Francën apo edhe Australinë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button