PolitikaRajoni

Shqipëri-Kosovë, nis mbledhja e përbashkët në Tiranë

Shqipëria dhe Kosova po zhvillojnë të hënën, mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, ku pritet të nënshkruhen edhe 11 marrëveshje bashkëpunimi.

Delegacioni i qeverisë kosovare u prit në pikën kufitare të Morinit nga zv/Kryeministri Niko Peleshi dhe Ambasadori Qemal Minxhozi, ndërsa mbërritën rreth orës 10:40 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku u organizua edhe ceremonia zyrtare e mirëseardhjes nën tingujt e himneve kombëtare të dy vendeve.

Gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se, “shqiptarët kërkojnë ekuilibër dhe bashkëpunim në rajon”. Sipas tij, “mbledhja e sotme e dy qeverive po zhvillohet në kohën e duhur”.
Rama kërkoi që të garantohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa siguroi angazhimin për bashkëpunim konstruktiv me Serbinë.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi gjithashtu se, “Shqipëria dhe Kosova nuk e shohin Europën dhe NATO-n si një biznes, por si një ideal që frymëzon zhvillim, harmoninë dhe që jetëson ëndrrën e tyre për bashkim”.

Kryeministri Rama u shpreh se shqiptarët nuk reshtin së ndërtuari ura lidhëse drejt ëndrrës europiane, duke shtrirë dorën për bashkëpunim. “Bashkëpunimi mes dy qeverive tona dhe krejt rajonit tonë në Europën e bashkuar është ajo që shqiptarët aspirojnë. Shqiptarët duan ekuilibër dhe jo prishje ekuilibrash, kërkojnë vetëm të drejtat e tyre. Shqiptarët sot janë një shembull fisnik i bahkëjetesës me etni të tjera”, u shpreh Rama, i cili shtoi se, Ballkani dhe si pjesë e tij, Kosova dhe Shqipëria, e kanë zgjedhur politikbërjen në bazë realitetesh, realitetin e një toke, një populli dhe një ëndrre.
Duke folur për bashkëpunimin mes dy vendeve, Rama tha se, Kosova dhe Shqipëria kanë një partneritet të thellë strategjik. Kreu i qeverisë njoftoi se do të vijojë procesi i çeljeve të konsullatave të përbashkëta, si ajo Mynihut, pas asaj të Milanos të çelur më parë.

Po ashtu, Rama kujtoi se shkëbimi ekonomik mes dy vendeve ka kapur vlerën e 160 milionë eurove, një shifër që është fakt, por që nuk kënaq, pasi duhet të dyfishohet. Rama tha gjithashtu se Kosova dhe Shqipëria kanë vënë themelet e një bashkëpunimi në fushën energjetike, arsimit, kulturës, turizmit dhe bujqësisë, duke kujtuar këtu njehsimin e sistemit arsimor, bashkëpunimin për sigurinë ushqimore, apo dhe bashkëpunimet e ngushta në fushën e turizmit.

Gjithashtu, Rama i hapi rrugën bashkëpunimeve në fushën e sigurisë, në sistemin e kontrollit të brendshëm, në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar, etj, teksa nënvizoi rëndësinë e heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke i bërë thirrje BE-së të heq këtë regjim.

Ai deklaroi se regjimi i vizave për Kosovën duhet të marrë fund një orë e më parë dhe se sipas tij, mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave, është turp për Europën. Kreu i qeverisë deklaroi se, nismat e ndërmarra për partneritet strategjik të nënshkruara në Prizren, do të vijojnë të konkretizohen, ashtu si marrëveshja doganore, në kuadër të bashkërendimit strategjik të hapësirës së përbashkët. Ai tha se, instrumentet e bashkëpunimit që do të nënshkruhen sot nuk janë instrumente të zakonshme, por në funksion të mbrojtjes së lirive të shqiptarëve.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se “dy qeveritë po realizojnë ëndrrën për bashkëpunim pa pengesa”. “Bashkëpunimi mes dy vendeve tona është model për rajonin”, tha Mustafa. Ai theksoi gjithashtu se, “Shqipëria dhe Kosova kanë dëshmuar gatishmërinë për t’iu bashkuar luftës ndaj terrorizmit”.

Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të nënshkruajnë sot edhe 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, përmes të cilave pritet të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.
Rreth orës 12:20, do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e dy kryeministrave të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. (vijon)/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button