Ekonomia

Shqipëri-Kosovë: Si të përparojmë më tej?

10 Vite Marrëdhënie tregtare Shqipëri – Kosovë: Situata, Potenciali, Problematikat dhe disa sugjerime

Cilët janë faktorët që pengojnë rritjen edhe më të vrullshme të tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës? Si shpjegohet që megjithëse pjesë të të njëjtit komb, gjeografikisht afër, me infrastrukturë lidhëse të përmirësuar veçanërisht pas investimit madhor e hapjes së Rrugës së Kombit që padyshim ndihmon tregtinë, me pengesa tregtare të reduktuara në vazhdimësi, me vullnet të përbashkët e të padiskutueshëm politik e shtetëror midis dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, ende marrëdhëniet tregtare me Kosovën përbëjnë një pjesë tepër të vogël të tregtisë së jashtme të Shqipërisë?

Nga Ilir Ciko*

Përgjatë muajve të fundit janë hedhur një sërë propozimesh mbi modelet e mundshme të thellimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve të Ballkanit, ndër të cilat si më i përmendur në nivelet politike, është krijimi i një bashkimi doganor, një model i përdorur me sukses në Traktatin e Romës, që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Europian që ishte bërthama e Bashkimit Europian të sotëm. Ndonëse bashkimi doganor është një formë e njohur integrimi ekonomik, e përdorur edhe në raste të tjera veçmas atij të Bashkimit Europian, përpara angazhimit të mundshëm në një proces të tillë, vlen të analizohen me vëmendje kostot dhe përfitimet që mund të burojnë prej tij.

Si në çdo rast tjetër të analizës së modeleve ekonomike, parashikimi për ç’mund të ndodhë në të ardhmen me një rajon që kërkon të thellojë integrimin ekonomik e tregtar, është jo vetëm i vështirë, por njëkohësisht edhe i ndërvarur nga faktorë të tjerë të jashtëm, të cilët mund të rezultojnë edhe më të rëndësishëm se modeli i zgjedhur i integrimit. Ndaj në mungesë të garancive mbi qëndrueshmërinë e këtyre faktorëve, mënyra më e drejtpërdrejtë për të menduar mbi të ardhmen mbetet analiza dhe kuptimi i asaj ç’ka ndodhur gjatë viteve të fundit me këtë proces integrimi të nisur në rajon që prej thuajse njëzet vitesh, pavarësisht se historia jo gjithnjë është treguesi më i mirë i së ardhmes.
Viti 2016 shënoi plotësimin e një dekade të funksionimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA midis vendeve të rajonit të Europës Juglindore, që vijoi procesin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis vendeve, nisur në fund të viteve 90’ dhe konkretizuar në marrëveshje bilaterale bashkëpunimi dhe tregtie të lirë. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e rëndësishme dhe aktive e këtij procesi, duke kontribuar pozitivisht në drejtim të suksesit të tij. Plotësimi i harkut kohor dhjetëvjeçar në historinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit është një rast i mirë për analizimin, reflektimin dhe nxjerrjen e mësimeve mbi arritjet, por pse jo dhe mbi sfidat dhe dështimet e mundshme, bazuar në rezultatet dhe objektivat parësorë të tij.

Në funksion të synimit kryesor të marrëveshjes CEFTA, nxitjes së tregtisë e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve dhe përgatitjes së tyre për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian, progresi ka qenë i padiskutueshëm. Shifrat e rritjes së tregtisë me vendet e rajonit kanë qenë të larta për thuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në CEFTA, e madje në shumë raste, përfshirë Shqipërinë, edhe më të larta se rritja mesatare e tregtisë për këto vende, duke na paraqitur një ilustrim të qartë të rolit dhe funksionimit të një marrëveshjeje tregtare preferenciale. Dy vende themeluese të CEFTA 2006 – Bullgaria dhe Rumania – dolën nga marrëveshja ende pa nisur funksionimi i saj, për shkak të pranimit të tyre me të drejta të plota si anëtare të Bashkimit Europian, dhe të njëjtën rrugë ndoqi edhe Kroacia në vitin 2013. Vendet e tjera të rajonit kanë kryer gjithashtu përparim në shkallë të ndryshme drejt afrimit me Bashkimin Europian, ndonëse mjaft punë mbetet ende për t’u kryer deri në arritjen e këtij objektivi i cili mbetet i papërcaktuar në kohë.

Nuk duhet mohuar fakti që përveç arritjeve në drejtim të nxitjes së aktivitetit tregtar, mes vendeve të rajonit, jo rrallë gjatë këtyre viteve janë shfaqur edhe pakënaqësi, konflikte dhe përfitime të pabalancuara prej funksionimit të CEFTA-s, të cilat lidhen jo vetëm me faktorët e orientimit të tregtisë por edhe me shkallën e pabarabartë të zhvillimit të sektorëve ekonomikë të vendeve, mundësitë e kufizuara të ofertës në këto vende, qasjen mbrojtëse ndaj aktiviteteve vendase, orientimit të tregtisë drejt partnerëve jashtë zonës së CEFTA-s, klimës politike brenda dhe mes vendeve të rajonit, efekteve të krizës globale dhe kërkesës e rritjes së dobët ekonomike në vendet e rajonit dhe tregjet globale, apo lidhur me këto të fundit, mungesës së investimeve të huaja, e veçanërisht atyre rajonale, aq të shumëpritura në kuadër të funksionimit të CEFTA-s.

Synimi kryesor i këtij punimi është paraqitja e përmbledhur e faktorëve të mësipërm, duke u fokusuar në marrëdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, përgjatë shtrirjes në kohë të CEFTA-s në periudhën 2006-2016. Këtu vlen të theksohet një faktor i rëndësishëm. Tregtia e jashtme e Shqipërisë, gjatë dy-tre viteve të fundit, për shkak të kombinimit të një morie faktorësh, analiza e të cilëve del paksa jashtë synimit të këtij punimi, është karakterizuar nga një rritje përgjithësisht e dobët, e cila nuk lidhet veç me tregtinë me rajonin, por pasqyrohet në të. Kjo prirje negative ka qenë më e theksuar veçanërisht në drejtim të eksporteve, të cilat kanë pësuar madje edhe ulje nga viti në vit. Ndaj eksportet e Shqipërisë në vitin 2016, ishin më të ulëta në vlerë se eksportet e tre viteve më parë (gjatë vitit 2013), duke shënuar një ecuri të rrallë që nuk ka ndodhur as në vitin 1997.

Rritja anemike e tregtisë së jashtme të vendit gjatë 2-3 viteve të fundit, ndërkohë që vendet e rajonit kanë përjetuar ritme të kënaqshme rritjeje të tregtisë, pasqyrohet dhe ndikon edhe në tregtinë me rajonin dhe Kosovën, duke zbehur disi rezultatet e arritura në vitet e para të kësaj periudhe dhjetëvjeçare. Pikërisht për këtë arsye, tregtia me rajonin arriti kulmin e saj me eksportet në vitin 2015 dhe importet në vitin 2014, ndërkohë që në tregtinë me Kosovën, eksportet arritën kulmin e tyre në vitin 2015 dhe importet në vitin 2013, duke pësuar një prirje uljeje në periudhën e mëpasshme.

1. Tregtia me Kosovën si pjesë e tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, tregtia në mallra me jashtë e Shqipërisë është rritur me ritme të kënaqshme, prej mesatarisht 9.1 % në vit: kështu eksportet kanë pasur rritje mesatare vjetore më të shpejtë prej 12.1% dhe peshë më të ulët në shkëmbimet tregtare (rreth 29.6% gjatë 2016), ndërsa importet, rritje rreth 6.8% dhe peshën kryesore të tregtisë në mallra (rreth 70.4% gjatë 2016).
Që prej viteve ‘90, Bashkimi Europian ka qenë dhe mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Tregtia me Bashkimin Europian sot përbën 67% ose 2/3 e tregtisë së jashtme të Shqipërisë, me një ulje të lehtë nga 71% e tregtisë që ajo përbënte 10 vite më parë. Rreth 1/3 e tregtisë me Bashkimin Europian, përbëhet nga eksportet, të cilat janë rritur mesatarisht 10.6% në vit gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa importet zënë 66% të tregtisë me Bashkimin Europian, dhe ato janë rritur mesatarisht prej rreth 6.2% në vit. Italia, Gjermania dhe Greqia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë nga Bashkimi Europian, pasi 76.6% e tregtisë me BE-në gjatë vitit 2016 ishte e përqendruar vetëm me këto tri shtete.

Ulja relative e peshës së tregtisë me Bashkimin Europian gjatë 10 viteve të fundit (nga 71% në 67%) është kompensuar kryesisht nga thellimi më i shpejtë i marrëdhënieve tregtare me vendet e rajonit, përfshirë Kosovën. Si rezultat i një klime më bashkëpunuese në rajon dhe falë funksionimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA, tregtia me Kosovën sot përbën 2.7% të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, nga vetëm 1.1% që ajo ishte në vitin 2006, ndërsa tregtia me vendet e tjera të rajonit (Mali i Zi, Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë) përbën mbi 5% të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, gjithashtu me rritje relative në peshën e tregtisë së jashtme prej vitit 2006.
Grupimi i tretë i vendeve partnere në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, që përbën rreth ¼ e saj, përfshin të gjitha vendet e tjera të botës ku peshën kryesore e kanë Turqia dhe Kina. Në dallim nga dy grupimet e tjera të përmendura më sipër, shkëmbimet tregtare me këtë grup vendesh janë thellësisht të mbizotëruara nga importet prej këtyre vendeve ndërsa eksportet përbëjnë vetëm rreth 11% të tregtisë.

monitor 775.indd

Grafiku Nr. 1 paraqet në mënyrë të përmbledhur këtë evolucion të tregtisë së jashtme të Shqipërisë gjatë periudhës 2006-2016, në total, sipas tre grupimeve kryesore tregtare të përmendura më sipër, si dhe veçmas për Kosovën. Grafiku gjithashtu paraqet edhe tendencën e rritjes së eksporteve dhe importeve përkatëse, shprehur sipas rritjes mesatare vjetore të tyre përgjatë dimensionit horizontal për eksportet, si dhe atij vertikal për importet. Grafiku dëshmon se rritja e tregtisë së jashtme të Shqipërisë me Kosovën ka qenë e lartë në të dy dimensionet e saj, si në eksporte (rritja mesatare vjetore 19%), ashtu edhe në importe (rritja mesatare vjetore 15.3%), e madje në rastin e importeve prej Kosovës, ritmi mesatar vjetor i rritjes ka qenë më i lartë se i njëjti tregues për tre grupimet kryesore të partnerëve tregtare të Shqipërisë.

Por po të lëmë mënjanë tregtinë me vendet e tjera e BE-në, dhe të kemi një vështrim më të fokusuar vetëm mbi tregtinë me vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, vërehet se gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Shqipëria ka rritur me ritme të larta eksportet drejt gjithë vendeve të rajonit (përjashtuar Bosnjë-Hercegovinën, e cila si pasojë e distancës gjeografike dhe nivelit të zhvillimit, mbetet më e izoluar në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë), pasi eksportet në rajon kanë shënuar rritje në nivelin mesatar vjetor 15-27% me të çdo vend. Si rrjedhojë, gjatë dhjetë viteve të fundit, tregtia jonë me rajonin është katërfishuar në vlerë, nga rreth 140 milionë euro në mbi 560 milionë euro, ndërsa eksportet shqiptare në rajon janë rritur mbi 6 herë gjatë së njëjtës periudhë.

Ndërkohë importet nga rajoni për të njëjtën periudhë janë rritur në masë të ndryshme: në nivel të ulët me Maqedoninë dhe Kroacinë , të lartë me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, dhe mesatarisht mbi 20% në vit me Serbinë dhe Malin e Zi. Dy shtetet e fundit të rajonit, së bashku me Kosovën, janë pikërisht ato që kanë thelluar tregtinë me Shqipërinë më shumë se të tjerat, si në importe ashtu edhe në eksporte, përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

monitor 775.indd
Pavarësisht ritmeve të larta të rritjes së tregtisë, Shqipëria ashtu si dhe dhjetë vite më parë, vazhdon të ketë një bilanc negativ tregtar me rajonin dhe çdo vend të tij, me përjashtim të Kosovës. Niveli i mbulimit të importeve nga eksportet në rajon arriti në 80.1% në vitin 2016, nga 42.6% që ky raport ishte në vitin 2006.

2. Tregtia në mallra me Kosovën.

Kosova është i vetmi partner tregtar në rajon, me të cilin Shqipëria gjatë viteve të fundit ka një bilanc tregtar pozitiv. Kështu në vitin 2016, eksportet përbëjnë 74% të tregtisë me Kosovën dhe mbulimi i importeve nga eksportet në Kosovë është në nivelin 285%, nga 208% që i njëjti tregues ishte në vitin 2006. Por më i rëndësishëm është fakti se tregtia mes dy shteteve shqiptare është mbi pesëfishuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nga rreth 30 milionë euro gjatë 2006, në 165 milionë euro në 2016 (theksojmë se tregtia me Kosovën arriti vlerën më të lartë në vitin 2015, me 194 milionë euro). Sikurse u përmend më parë, kjo rritje është thelluar si në importe nga Kosova, ashtu edhe në eksporte drejt saj dhe ecuria vjetore e kësaj tendence pasqyrohet në grafikun nr. 3

monitor 775.indd

Prej të dhënave të pasqyruara në grafik vihet re se rritja e tregtisë me Kosovën ka qenë më e lartë deri në vitet 2012-2013 dhe pas kësaj periudhe, importet nga Kosova kanë pasur rritje modeste ndërsa eksportet kanë pësuar edhe ulje, duke shënuar vlerën e tyre më të lartë në vitin 2015. Si rezultat i këtij ngadalësimi gjatë 3-4 viteve të fundit, pesha relative që tregtia me Kosovën zë në tregtinë e Shqipërisë me vendet e rajonit, ka ardhur gradualisht në ulje, prej kulmit 32.5% arritur në vitin 2013, në 28% të tregtisë me rajonin gjatë vitit 2016.
Me gjithë ritmet e larta të rritjes së tregtisë me Kosovën dhe peshës së saj në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, ajo mbetet në një nivel të ulët krahasuar me partnerët e tjerë tregtarë, duke paraqitur aktualisht më pak se 3% të saj.
Cilët janë faktorët që pengojnë rritjen edhe më të vrullshme të tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës? Si shpjegohet që megjithëse pjesë të të njëjtit komb, gjeografikisht afër, me infrastrukturë lidhëse të përmirësuar veçanërisht pas investimit madhor e hapjes së Rrugës së Kombit që padyshim ndihmon tregtinë, me pengesa tregtare të reduktuara në vazhdimësi, me vullnet të përbashkët e të padiskutueshëm politik e shtetëror midis dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, ende marrëdhëniet tregtare me Kosovën përbëjnë një pjesë tepër të vogël të tregtisë së jashtme të Shqipërisë?

Shpjegimi kryesor që teoritë e integrimit tregtar japin në raste të tilla lidhen me përfitimet e kufizuara që vendet e përfshira në procese integruese arrijnë të marrin në rastet kur niveli i zhvillimit ekonomik të tyre është krahasimisht i ngjashëm (Michael Porter: The Competitive Advantage of Nations, New York: Free Press, 1990). Sa më i ngjashëm është niveli i zhvillimit dhe struktura ekonomike mes vendeve të përfshira në një proces integrimi, aq më lehtë e shpejt realizohet procesi i integrimit në praktikë, por po aq më të vogla janë edhe përfitimet përkatëse nga vendet që integrohen ekonomikisht me njëri-tjetrin. Rasti i Shqipërisë me Kosovën duket se është një ilustrim i këtij faktori të rëndësishëm, sikurse e njëjta teori vërtetohet edhe në modelin e anasjelltë, sipas të cilit vendet që integrohen kanë përfitime shumë më të larta dhe procesi është më i vështirë në rastet kur ekzistojnë ndryshime thelbësore të strukturave ekonomike dhe nivelit të zhvillimit mes tyre. Marrëdhëniet tregtare dhe orientimi i tregtisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, edhe në sajë të proceseve integruese me Bashkimin Europian (kujtojmë që Shqipëria ndodhet gjithashtu në tregti të lirë me Bashkimin Europian në kuadër të MSA-së), sikurse dhe pesha e reformave të ndërmarra në kuadër të këtij procesi, ilustrojnë më së miri vërtetësinë e të njëjtit argument.

Përjashtim nga ky shpjegim përbëjnë aktivitetet ekonomike komplementare në të dy vendet. Rasti i sistemeve energjetike që realisht (mund të) plotësojnë njëri-tjetrin për të krijuar një vlerë ekonomike shumë më të madhe se shuma e vlerave të izoluara të tyre, njihet mirë dhe është kthyer thuajse në një simbol të përhershëm të diskutimeve mes vendeve. Progres drejt këtij synimi ka pasur, por sot jemi ende larg funksionimit të një modeli të integruar që do t’i shërbente sipas këtij modeli ekonomisë së përbashët të të dy vendeve. Turizmi malor shoqëruar me atë të detit, prodhimet bujqësore e blegtorale e disa industri të caktuara si ato minerare dhe përpunimit mund të konsiderohen deri diku raste të ngjashme komplementare, por numri i tyre është i kufizuar dhe pritshmëritë mbi zhvillimin e tregtisë nuk mund të bazohen veç mbi to.

Një tjetër faktor që ndikon në kufizimet e tregtisë Shqipëri-Kosovë lidhet jo vetëm me ngjashmërinë, por edhe me nivelin real të zhvillimit të ekonomisë së dy vendeve, e cila bazohet kryesisht në biznese të vogla dhe të mesme, përgjithësisht me natyrë aktiviteti lokal dhe pa ambicie të dukshme eksportuese. Mund të tingëllojë paradoksale, por në të vërtetë, sa më tepër hapet tregu, aq më shumë theksohen prirjet e bizneseve me fuqi të ulët konkurruese për të kufizuar aktivitetin e tyre brenda zonës lokale ku ndihen më të sigurta dhe të izoluara nga risqet e konkurrencës. Një argument i tillë tregon jo vetëm përse bizneset e vogla mbeten të tilla, por shpjegon se edhe sikur realisht të mos kishte aspak kufi dhe doganë mes dy shteteve shqiptare, sërish pjesa më e madhe e bizneseve nuk do të kishin prirje për të zgjeruar aktivitetin nga njëri vend në tjetrin, ashtu sikurse ndodh rëndom që një biznes në cilindo qytet të Shqipërisë nuk ka përparësi kryesore të zgjerojë aktivitetin në një qytet tjetër, pa përmendur hapësirat që ai mund të gjejë në tregun e Kosovës, apo dhe më gjerë në rajon.

monitor 775.indd

Nën të njëjtin këndvështrim, për shkak të nivelit ende të ulët të zhvillimit të Shqipërisë dhe Kosovës, kufizimet në tregti burojnë edhe prej mundësive të kufizuara që bizneset e të dy vendeve mund t’i ofrojnë njeri-tjetrit, në kushtet kur kërkesa për produkte mund plotësohet në kushte më konkurruese prej vendeve të tjera. Edhe sikur kufiri të mos ekzistojë, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova do të jenë të varura nga shkëmbimet tregtare me vendet e tjera, pasi ekonomitë nuk munden që të plotësojnë nevojat e njëra-tjetrës për pjesën dërrmuese të produkteve të tregtuara.
Kjo vihet re edhe po të shohim strukturën e importit dhe eksportit drejt Kosovës gjatë viteve të fundit. Struktura e tyre është pak e diversifikuar, tepër e kufizuar dhe e përqendruar në produkte me vlerë të shtuar të ulët. Kështu eksportet dominohen nga metalet, çimento apo nënproduktet e naftës dhe në një masë më të ulët prej vajrave, bojërave, farmaceutikës, fruta-perimeve etj. Importet, që janë edhe më të kufizuara, përbëhen kryesisht prej pijeve (birra, uji, lëngjet e frutave), miellit, metaleve dhe perimeve. Grafikët e mëposhtëm pasqyrojnë strukturën e produkteve të shkëmbyera, përfshirë vlerën e tyre, peshën relative në import/eksportin total të secilit produkt si dhe tendencën e rritjes mesatare vjetore gjatë periudhës 2006-2016.

monitor 775.indd

Edhe pse vlera dhe struktura e produkteve të shkëmbyera me Kosovën është e kufizuar, për të parë më nga afër shkallën e orientimit të tregtisë mes dy shteteve sipas produkteve, grafikët e mëposhtëm pasqyrojnë përqëndrimin e produkteve të shkëmbyera drejt (eksportet) dhe prej (importet) Kosovës. Pra jo vetëm cilët janë produktet më të shkëmbyer, por dhe cilët janë produktet më të orientuar në tregti me Kosovën, krahasuar kjo në mënyrë relative me partnerët e tjerë tregtarë të Shqipërisë.

monitor 775.indd

Një analizë e tillë tregon se ka eksporte të Shqipërisë të cilat janë së tepërmi të orientuara drejt tregut të Kosovës, si tapat e shisheve (të cilat eksportohen plotësisht vetëm në Kosovë), gjithashtu produkte ushqimore, kimikatet etj., por vlera e tyre është realisht e vogël. Produktet me vlerë më të konsiderueshme rezultojnë vajrat dhe bojërat, eksportet drejt Kosovës së të cilave përbëjnë respektivisht 85% dhe 52% të eksportit total të Shqipërisë në këto produkte.

Analiza e importeve tregon se shkalla e ‘varësisë’ nga tregu i Kosovës është shumë më e ulët. Të vetmet importe të konsiderueshme janë mielli, zarzavatet dhe pijet, të cilat zënë respektivisht 22%, 15% dhe 9.5% të importit total të Shqipërisë për secilin produkt. Kjo analizë në nivel produktesh dëshmon se shkalla e specializimit të ekonomive në produkte që i shërbejnë tregut të të dy vendeve është shumë e kufizuar.

monitor 775.indd

Një rezultat i ngjashëm del edhe nga analiza e shkëmbimeve tregtare të Kosovës me Shqipërinë. Dallimi kryesor lidhet me faktin se tregtia mes dy shteteve rezulton më e rëndësishme për Kosovën se në rastin e Shqipërisë, fakt që shpjegohet me orientimin më të madh të tregtisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe përmasave të ndryshme të ekonomive të të dy vendeve. Kështu importet nga Shqipëria përbëjnë 6% të importeve të Kosovës, ndërsa eksportet drejt Shqipërisë mbi 12% të eksporteve të Kosovës gjatë vitit 2015.

Të dhënat e mësipërme tregojnë kufizimet që ekzistojnë në tregtinë Shqipëri-Kosovë, por njëkohësisht ato tregojnë edhe potencialin ende të pashfrytëzuar të përfitimeve që burojnë prej këtij bashkëpunimi, i cili për produkte të caktuara ka ardhur duke u konsoliduar ndër vite, duke thelluar aktivitetin ekonomik në të dy vendet.

monitor 775.indd

Një element tjetër që duhet përmendur si faktor ndikues në tregtinë midis Shqipërisë e Kosovës lidhet me traditën historike të funksionimit dhe shkallën e inercisë së kanaleve të tregtisë, të cilat kërkojnë kohën e nevojshme për t’u riorientuar drejt mundësive të reja ne treg. Është pikërisht ky faktor që mban Shqipërinë në vazhdimësi të hapur drejt tregut europian, ndaj të cilit Shqipëria është nisur të orientohet që në fillim të viteve 90’, sikurse edhe Kosovën ndaj vendeve të tjera të rajonit, për shkak të marrëdhënieve historike tregtare me këto vende.

Fakti që shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë e Kosovës dominohen nga produktet e ‘rënda’ dhe me vlerë të shtuar të ulët reflektohet jo vetëm në shifrat e importeve dhe eksporteve, por edhe në vlerën reale të tyre. Të dhënat e disponueshme nga Eurostat dhe INSTAT na tregojnë se vlera mesatare për 1 ton mall që qarkulloi në Bashkimin Europian gjatë vitit 2016 ishte 1,732 euro, ndërkohë që i njëjti tregues për tregtinë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian është 1,147 euro dhe për tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës vetëm 171 euro. Grafiku i mëposhtëm tregon gjithashtu të njëjtin tregues në tregtinë me disa vende të tjera të rajonit dhe na shpjegon ngarkesën e Rrugës së Kombit me makina të rënda transporti që qarkullojnë përgjithësisht skrap, hekur, çimento apo produkte të tjera me vlerë të shtuar të ulët, gjë që shtyn nevojën e ndërtimit të politikave të përbashkëta për ndërtimin e fuqizimin e industrive shumë më produktive dhe konkurruese në tregun e përbashkët.

monitor 775.indd

Së fundmi, nuk mund të mohojmë se edhe pse mjaft përparim është arritur në lehtësimin e tregtisë midis Shqipërisë dhe Kosovës, situata mbetet ende larg asaj ideale. Bizneset e të dy anëve të kufirit shqiptar ankohen vazhdimisht për pengesat e ndryshme administrative, infrastrukturore, të kostove të panevojshme për të kryer tregti apo dhe masave mbrojtëse, shoqëruar me ekzistencën e ekonomive të karakterizuara nga pozicione oligopoliste apo monopoliste në treg, faktorë të cilët së bashku dëmtojnë edhe më tej mundësitë e kufizuara që ekzistojnë për tregti midis dy vendeve.

3.Tregtia në shërbime me Kosovën

Edhe pse tregtia në shërbime nuk përfshihet në këtë analizë, është e nevojshme të theksohet se pesha e saj është jashtëzakonisht e rëndësishme në bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. Në të dy vendet, shërbimet përbëjnë mbi 50% të prodhimit të brendshëm dhe po kështu importi dhe eksporti i tyre është i krahasueshëm në vlerë me tregtinë në mallra, e madje për rastin e eksporteve të Shqipërisë, edhe më i madh në vlerë se eksporti i mallrave.

Por ka disa faktorë që ndihmojnë sektorin e shërbimeve që të jetë edhe më efikas se tregtia në produkte nën këndvështrimin e integrimit midis ekonomive të Shqipërisë dhe Kosovës. Nga vetë natyra e tyre, shërbimet nuk hasin pengesa doganore apo kosto të tjera që ndikojnë në tregtinë në mallra. Kalimi i një fundjave apo pushimeve në bregdetin e Durrësit apo Grykën e Rugovës nuk paraqet asnjë lloj pengese për cilindo që dëshiron të përfitojë shërbimet e ofruara në të dy anët e kufirit shqiptar. Po kështu, përdorimi i gjuhës shqipe lehtëson padyshim përthithjen e shërbimeve dhe i vendos ato në pozitë avantazhi krahasuar me shërbime të ngjashme të ofruara nga operatorë të tjerë në treg, për rastet kur cilësia e këtyre shërbimeve është e ngjashme – rasti i shërbimeve në zgjidhjet IT, multimedia, televizione etj., e dëshmon këtë fakt. Natyrisht edhe preferencat e konsumatorëve në të dy tregjet ndikohen drejtpërdrejt nga origjina e shërbimeve të ofruara, madje një ndikim i tillë për shumë shërbime është edhe më i fuqishëm se preferencat e konsumatorëve për produktet e prodhuara në të dy vendet krahasuar me ato që kanë origjinë prej vendeve të tjera.

Së fundmi, afërsia gjeografike, kombinuar me avantazhin që shërbimet kanë krahasuar me mallrat për shkak të varësisë më të vogël të tyre ndaj infrastrukturës lidhëse midis dy vendeve, ka ndihmuar sidomos bizneset e Shqipërisë që të gjejnë një zgjerim natyral të aktivitetit të tyre përtej kufirit, pikërisht në Kosovë. Për këtë arsye për shembull, qysh herët dhe ende pa u ndërtuar Rruga e Kombit, ka mjaft biznese të suksesshme të Shqipërisë që kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Kosovë, sikurse dhe anasjelltas, ndërkohë që për tregtinë në mallra, infrastruktura lidhëse mes dy vendeve ka qenë, por edhe mbetet në disa faktorë problem i konsiderueshëm.
Pavarësisht se një pjesë e shërbimeve mes dy vendeve mbeten subjekt i rregullimit të tregjeve përkatëse, sikurse edhe hyrja në tregun e fushave të caktuara, nuk është e lehtë për shkak të strukturave ekzistuese që ato kanë dhe mungesës së një konkurrence të hapur, tregtia në shërbime është shembulli më i mirë i arritur në drejtim të një integrimi të thelluar ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Veçanërisht të suksesshme kanë qenë:
• kompanitë e sigurimeve
• turizmi mes dy vendeve
• kompanitë e ndërtimit dhe transportit
• bizneset me aktivitet në zgjidhjet e IT
• multimedia e televizione
• shërbime financiare, ligjore dhe këshilluese
• shërbimet shëndetësore etj.
Duhet theksuar gjithashtu se aktivitete të tilla kanë ardhur duke u rritur, duke krijuar edhe më tej premisa që ato të jenë njësoj të suksesshme edhe në vende të tjera të rajonit. Grafiku i mëposhtëm tregon numrin e vizitorëve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Duket qartë se vetëm brenda 4 vitesh, numri i vizitorëve është rritur nga 1.3 milionë në 2.2 milionë në vit, faktor që ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e sektorit të turizmit në Shqipëri.

4.Mundësi për një thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Shqipëri – Kosovë

Diskutimet mbi mundësitë për të shpënë më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë të vazhdueshme dhe ato burojnë natyrshëm prej perceptimit të drejtë, se këto marrëdhënie nuk kanë qenë dhe ende nuk janë në nivelin e dëshirueshëm jo vetëm nga faktorët politikë, por edhe nga bizneset, konsumatorët dhe mbarë shoqëria shqiptare e të dy anëve të kufirit mes saj. Rrjedhimisht, gjatë viteve të fundit janë konsoliduar një sërë propozimesh mbi drejtimet në të cilat duhet kërkuar thellimi i bashkëpunimit ekonomik, sikurse edhe modele, sipas të cilave ai mund të bazohet.

Pa hyrë në detajet e hollësishme të propozimeve, të cilat janë shtjelluar gjerë e gjatë në mjaft forume të niveleve të ndryshme, përmendim shkurtimisht se në pjesën më të madhe ato konvergojnë përgjithësisht në drejtimet e mëposhtme:
• Përdorimi i potencialit ende të pashfrytëzuar në shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke pasur parasysh mundësitë ekzistuese të kërkesës dhe ofertës në të gjithë hapësirën e tregut shqiptar, por edhe ato që mund të burojnë pikërisht në sajë të një integrimi më të thellë ekonomik brenda saj.
• Zhvillimi i infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve ku natyrshëm vëmendja, së pari përqendrohet në përmirësimin e infrastrukturës së rrugëve lidhëse, por edhe më gjerë, duke përfshirë rolin e porteve të Durrësit dhe Shëngjinit, ndërtimin dhe përmirësimin e rrjeteve rrugore kufitare dhe në zona të tjera veç asaj të Morinit, modernizimin e sistemit doganor, rrjeteve të energjisë elektrike dhe telekomunikacionit, përfshirjen në korridoret rajonale infrastrukturore etj. Vlen të përmendet në këtë aspekt se funksionimi i pritshëm me pagesë i Rrugës së Kombit, pavarësisht përfitimeve të kufizuara, bie ndesh me këtë frymë dhe do të sjellë efekte frenuese në drejtim të fuqizimit të kanaleve të tregtisë Shqipëri – Kosovë, por nuk ka ende ndonjë propozim konkret se si kjo pengesë shtesë në tregtinë mes dy vendeve do të trajtohet për zgjidhje në të ardhmen.
• Shfrytëzimi i përbashkët i mundësive komplementare (energji, turizëm, miniera etj.) dhe aktiviteteve ekonomike me vlerë të shtuar të lartë. Ky faktor i rëndësishëm u trajtua edhe më lart dhe ndonëse njihet mirë dobia e përfitimeve të përbashkëta nga një koordinim i mirë i shfrytëzimit të mundësive komplementare, si në aktivitetet private (p.sh., turizmi malor/deti) apo edhe publike (prodhimi i kombinuar i energjisë HEC/TEC), pavarësisht progresit të kryer, jemi ende larg arritjeve të prekshme në këtë drejtim që për raste të tjera ka qenë i suksesshëm. Në fakt, koordinimi sipas këtij faktori mbetet sërish ndër më të rëndësishmit për të ardhmen.
• Lehtësimi dhe eliminimi i mëtejshëm i procedurave dhe kostove doganore, i cili dukshëm mbetet problem shqetësues për bizneset e të dy vendeve dhe veçanërisht bizneseve të vogla që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre përtej kufirit. Ekzistenca e pengesave jo-tarifore – certifikatat, rregullat e origjinës etj., por edhe ato që lidhen me kostot doganore (çmimet e referencës, tarifat për shërbimet doganore etj.) kërkon një angazhim të plotë dhe serioz për identifikimin e plotë dhe marrjen e masave për eliminimin, ose së paku reduktimin e tyre.
• Harmonizimi i procedurave administrative nga institucionet e të dy vendeve buron si një nevojë e domosdoshme për të njehsuar çdo element të klimës dhe funksionimit të biznesit në mënyrë që bizneset e të dy krahëve të kufirit të ndihen si “në shtëpinë e tyre” kudo që ato ushtrojnë aktivitetin e tyre, në një ambient të qartë, të parashikueshëm dhe me të drejta të barabarta ushtrimi të aktivitetit apo procedurave të ankimit ndaj institucioneve.
• Koordinimi i politikave dhe instrumenteve të zhvillimit, për të përfituar nga sinergjitë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të zgjeruar dhe të integruar mes tij. Në këtë drejtim është arritur përparim nëpërmjet organizimit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, si dhe institucioneve homologe, qeveritare apo private dhe të shoqërisë civile, por mjaft punë mbetet për të kryer në drejtim të jetësimit të angazhimeve politike dhe realizimit të programeve të përbashkëta të financimeve dhe zhvillimit, veçanërisht në zonat pranë kufirit.
• Njehsimi i faktorëve të tjerë të klimës së biznesit, përfshirë qasjen fiskale kërkon harmonizimin e politikave përkatëse për zhvillimin e biznesit, me synim krijimin e një ambienti sa më uniform në trajtimin e biznesit, por që do të inkurajonte konkurrencën e lirë dhe zhvillimin e bizneseve bazuar në konkurrueshmërinë e tyre në treg.
• Angazhimi i diasporës, si një prioritet dhe avantazh i përdorur jo sa duhet prej të dy vendeve, do të krijonte potenciale edhe më të mëdha për pjesëmarrjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, duke forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes vendeve dhe duke fuqizuar aftësinë konkurruese të kompanive shqiptare në rajon dhe më gjerë.

Rruga me pagesë

Funksionimi i pritshëm me pagesë i Rrugës së Kombit, pavarësisht përfitimeve të kufizuara, bie ndesh me këtë frymë dhe do të sjellë efekte frenuese në drejtim të fuqizimit të kanaleve të tregtisë Shqipëri – Kosovë, por nuk ka ende ndonjë propozim konkret se si kjo pengesë shtesë në tregtinë mes dy vendeve do të trajtohet për zgjidhje në të ardhmen.

Edhe pse është e qartë që propozimet e mësipërme nuk mund të funksionojnë veçmas njëra-tjetrës, por duhet të mbështeten në sinergjitë që secila krijon, konsensusi i përgjithshëm mbi rëndësinë e tyre nuk mund të zëvendësojë modelin mbi të cilin ato mund të konkretizohen në marrëdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës. Për këtë qëllim, si në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, ashtu dhe në kuadër të të gjithë rajonit, janë propozuar disa modele të përdorura në përvoja të tjera në botë, të cilat paraqiten më poshtë:

a. Rajoni si pjesë aspiruese për në Bashkimin Europian
b. Bashkimi doganor
c. Thellimi i CEFTA-s
d. Hapësirë edhe më e integruar, si një treg i përbashkët shqiptar
Natyrisht që ka dhe propozime që vijnë si kombinime të modeleve të mësipërme, por duke konsideruar modelin ekzistues të shkëmbimeve tregtare si dhe vlerësimet historike mbi rezultatet e tij që u trajtuan më sipër, përpara se të analizohen modele alternative, natyrisht vlen të kuptohet sa i dobishëm ka qenë modeli ekzistues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button