Kronika

Shqipëria dërgon mision solidariteti në ndihmë të operacioneve të kërkim-shpëtimit në Türkiye

Shqipëria është solidarizuar me Türkiyen pas tërmetit shkatërrimtar duke dërguar një mision solidariteti në ndihmë të operacioneve të kërkim-shpëtimit, transmeton Anadolu.

Në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe shtatë mjete, janë nisur drejt Türkiyes ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit për të “lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie”.

“Pjesëtarët e ekipit që do të marrin pjesë në këtë mision solidariteti u përcollën në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Teksa shprehu mirënjohjen edhe në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion, Peleshi tha se ky është një kontribut që i kthehet Türkiye-s, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019”, thuhet në njoftim.

Ministri Peleshi është shprehur se Türkiye është një vend mik shumë i rëndësishëm “për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht”.

“Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falënderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar në Türkiye.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Shqipërisë në reagimet e tyre shprehën solidaritetin me shtetin dhe popullin turk pas tërmetit shkatërrimtar.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button