Shqipëria dhe Kroacia, intensifikim të bashkëpunimit ekonomik rajonal
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, ka zhvilluar një viztë zyrtare në qytetin e Slavonski Brod, ku zhvilloi takime me Kryetarin e Bashkisë së qytetit, Prefektin e Brod-Posavina si dhe zhvilloi takim me shqiptarët në Slavonski Brod, njofton ambasada shqiptare në Zagreb.
Ambasadori Melo vizitë në Bashkinë e Slavonski Brod
Ambasadori Melo gjatë vizitës zyrtare në qytetin e Slavonski Brod u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i bashkisë së qytetit, Mirko Duspara. Në këtë takim ambasadori Melo shoqërohej nga Konsulli i Nderit, Basri Haliti dhe Kryetari i Pakicës shqiptare për qytetin, Nuri Ziberi. Në takim u nënvizuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe midis qeverive në nivel qendror, por u theksua se kjo atmosferë duhet të shtrihet edhe në qeverisjen lokale, si një domosdoshmëri për komunikim më të plotë midis njerëzve, si dhe për një intensifikim të bashkëpunimit ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik favorizohet së tepërmi edhe nga pozicioni gjeografik i qytetit të Slavonski Brod. Në kuadër të një diplomacie sa më efektive dhe praktike u ra dakord që të bashkërendohet puna për binjakëzim të Slavonski Broad me një qytet shqiptar, pjesëmarrja në panairet e dy vendeve, si dhe projekteve rajonale me fonde të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe shkëmbimin e eksperiencës në këtë drejtim. Po ashtu, në takim u theksua edhe roli i shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, të cilat, sipas ambasadorit Melo, janë një urë për forcimin e miqësisë midis dy kombeve tona, si dhe një urë për rrugëtimin e gjithë shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Ambasadori Melo kërkoi që brezi i ri i shqiptarëve të ketë një përfaqësim më të madh në administratën lokale dhe projektet komunitare.
Ambasadori Melo takim me Prefektin e Brod-Posavina
Gjatë vizitës zyrtare në Slavonski Brod, ambasadori Melo pati një takim të veçantë më Prefektin e Prefekturës së Brod-Posavina, Danijel Marušić. Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Dhomës Ekonomike Krešimir Rudec, si dhe përfaqësues nga prefektura dhe dhomat tregtare. Ambasadori Melo shoqërohej nga Konsulli i Nderit, Basri Haliti dhe Kryetari i Pakicës shqiptare për qytetin, Nuri Ziberi. Bashkëbiseduesit u përqendruan më së tepërmi në këtë takim mbi mundësitë që ofron Prefektura e Brod-Posavina dhe Shqipëria në kuadër të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në të kaluarën ka patur një bashkëpunim ekonomik me disa kompani të kësaj zone, veçanërisht kompania Gjuro Gjakovic në fushën e infrastrukturës. Por, të pranishmit nënvizuan se fusha të tilla si industria e përpunimit të metaleve, infrastruktura, energjia, industria kimike, mobileri, makinat e blinduara, etj mbeten me interes për bashkëpunimin në të ardhmen. Po ashtu, kjo prefekturë shënon edhe një seri të shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë, me disa mallra si birra, mishi, etj. Në takim u ra dakord që të vendosen kontaktet midis Dhomës Ekonomike të Prefekturës së Brod-Posavina dhe asaj shqiptare, si dhe të bashkëpunohet më mirë dhe më gjerësisht në projekte rajonale si ato Adriatiko-Joniane, apo të projekteve të financuara nga BE, duke patur parasysh se Prefekti Marušić është anëtar i Komisionit të Rajoneve në Bruksel. Bashkësia shqiptarë që jeton në këtë prefekturë ishte pjesë e bisedimeve, duke nënvizuar rolin dhe kontributin e tyre si gjatë luftës, ashtu edhe në ekonominë kroate. Ambasadori Melo përsëriti kërkesën që shqiptarët të jenë më të pranishëm në strukturat dhe administratën lokale të Prefekturës.
Lutja e Nënë Terezës
Një surpizë e këndshme gjatë vizitës së Ambasadorit Melo në zyrën e Prefektit të Brod―Posavina, Danijel Marušić ishte Lutja e Nënë Terezës, e cila qëndron prej vitesh në tavolinën e punës së Prefektit. Një lutje për të gjithë dhe që frymëzon çdo njeri.
Faleminderit Danijel Marušić për këtë surprizë dhe mikpritjen gjatë vizitës, shkruan ambasadori Melo në një postim në rrjetin social ‘Facebook”.
Ambasadori Melo takim me shqiptarët në Slavonski Brod
Në kuadër të vizitës zyrtare në Savonski Brod, ambasadori Melo pati një takim me bashkatdhetarët që jetojnë dhe punojnë në Prefekturën e Brod-Posavina. Në këtë aktivitet merrnin pjesë shqiptarë nga trojet mbarëkombëtare, si dhe Konsulli i Nderit, Basri Haliti dhe Kryetari i Pakicës shqiptare për qytetin e Slavonski Brod, Nuri Ziberi. Ambasadori Melo pati një bashkëbisedim të ngrohtë dhe vëllazëror me bashkëkombësit, gjatë të cilës u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, si dhe vlerave dhe traditave mbarëkombëtare. Ambasadori Melo vlerësoi këtë takim të sinqertë dhe të hapur dhe nënvizoi se forca e shqiptarëve dhe çështjes mbarëkombëtare buron në bashkimin dhe vëllazërimin e gjithë shqiptarëve pavarësisht se ku kanë lindur, ku jetojnë, apo çfarë besimi praktikojnë. Bashkëpunimi mbarëkombëtar avancon dhe përparon shqiptarizmin dhe integrimin e të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Evropian, tha ai. Në kuadër të këtij takimi, u hap edhe ekspozita me foto të veshjeve kombëtare, e cila u realizua nën patronazhin dhe kujdesin e Shoqatës kroato–shqiptare, Kryetarja e së cilës, Mirjam Bisha Deponte, ish–Ambasadore e Shqipërisë në Kroaci, ishte e pranishme në këtë aktivitet.