Shqipëria dhe Maqedonia hedhin hapat e para për ndërlidhjen me rrjet gazi
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ka pritur në një takim zyrtar ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ministrat e dy vendeve fqinje realizuan një takim, pas së cilit në prezencën e dy ministrave u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për koordinimin e përpjekjeve në kuadër të projektit të interkonjeksionit të rrjeteve të gazit natyror mes dy vendeve. Memorandumi u nënshkrua nga ana e drejtorit të kompanisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz, Arbër Avrami dhe nga Agjencia e Burimeve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë bëri të ditur se sipas ministrit Gjiknuri, tanimë të dy vendet e kanë drejt fazaës finale procesin e tenderimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV dhe në këtë shembull duhet ecur edhe me gazin.
“Ky nënshkrim i sotëm mes dy kompanive tona të gazit, është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne kemi mundësi që me këtë projekt të përbashkët që sapo nisim dhe me këtë bashkëpunim të mund të aplikojmë edhe në Bashkimin Evropian për mbështetje financiare, pasi është një axhendë që përputhet plotësisht qoftë me procesin e Berlinit apo axhendën e konektivitetit rajonal. Jam i bindur se lidhja me gazsjellës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë me shumë rëndësi për të dyja vendet. Do të jetë një projekt shumë fizibël, sepse janë shumë afër, pra pika e daljes afër Bilishtit apo Korçës do të jetë shumë afër me kufirin e Maqedonisë, çka bën që projekti të ketë një kosto më të ulët, por edhe përfitimet të jenë të mëdha”, theksoi ministri Gjiknuri.
Në vlerësimin e ministrit Bekteshi, Shqipëria dhe Maqedonia janë pjesë e Komunitetit të Energjisë nga ku rrjedhin edhe shumë obligime të cilat përmbushen vetëm përmes hapave konkrete.
“Marrë parasysh edhe procesin e Berlinit, ne si dy vende fqinje integrohemi, lidhemi me njëri-tjetrin, jo vetëm me largpërçues siç e theksoi zoti Gjiknuri, por njëkohësisht fillojmë hapat për ndërlidhjen edhe me gaz. Ndaj, dua të theksoj faktin se jemi më shumë se të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin dhe dua t’u dëshiroj të dyja kompanive respektive që sa më shpejt grupet e punës të fillojnë të punojnë në mënyrë teknike, që në një afat sa më të shkurtër këtë projekt ta kemi realitet midis dy vendeve”, tha ministri Bekteshi.
Ministria shqiptare thekson se memorandumi i firmosur mes kompanisë shqiptare dhe maqedonase parashikon themelimin e një grupi pune të përbashkët të gazit, vlerësimin dhe hartimin e projekt idesë për linjën e interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve, si dhe përcaktimin e parametrave teknik, harmonizimin e studimeve të të dyja vendeve përkatëse, përgatitjen e një dokumenti final ku të bëhet prezantimi i korridorit si një i vetëm, si dhe aplikimi në Sekretariatin e Energjisë për të vendosur projektin në listën PMI dhe PECI.