“Shqipëria drejt Expo Milano 2015” prezantohet në “BUNK’ART”
“Shqipëria drejt Expo Milano 2015” , ka qenë ky aktiviteti i organizuar ditën e sotme nga ambasada italiane në qendrën historike-artistike të quajtur “BUNK’ART”, në sallën e amfiteatrit për të shpalosur mesazhet e panairit ndërkombëtar që do të zhvillohet në maj 2015.
Në aktivitetin e organizuar ishin të pranishëm ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani, zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Brunilda Paskali, drejtori i projektit “Expo 2015″ Filippo Ciantia, komisarja e Përgjithshme në Shqipëri për “Expo 2015″, Manjola Gjoni dhe Dario Cartabellotta, përgjegjës për produktet bio-mesdhetare në rajonin e Siçilisë.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se “ky aktivitet na bashkon me moton – Të ushqejmë planetin, energji për jetën – dhe nuk ka rast më të mirë sesa ky aktivitet universal”. Kjo është një mundësi që nëpërmjet “Expo 2015″ Shqipëria shpalos vlerat në këtë nivel eventesh, si bartëse e të gjitha vlerave dhe mundësive për të ofruar produkte bio si dhe e pasur me minerale dhe pasuri të tjera. Kjo për shkak të larmishmërisë së klimës dhe relievit të duhur për prodhime të ndryshme në zona të caktuar. “Expo 2015″ do të jetë një përfaqësim dinjitoz për Shqipërinë”.
Nga ana tjetër, Massimo Gaiani tha se “ kjo ekspozitë e zhvilluar në këtë qendër na kthen pas në kohë, por unë jam i lumtur që po hap workshopin shqiptar, në të cilën Shqipëria do të mund të prezantojë agro-kulturën”. “Expo 2015” do të zhvillohet përgjatë periudhës 1 maj-31 tetor 2015 dhe sigurisht nuk mund të kishte vend tjetër më të përshtatshëm sesa ky bunker, simbol i izolimit të asaj kohe”.
Ndërsa Cantia përmendi në fjalën e tij ardhjen e Papa Franceskut në Shqipëri, çka e shndërroi Shqipërinë në një shembull bashkëjetese për të gjithë botën. Shqipëria ka marrë pjesë edhe herë tjetër në këtë aktivitet, por për herë të parë merr pjesë e vetëfinancuar nga shteti shqiptar, me të gjitha kapacitetet e saj.
Ndërkaq, ai shtoi se “kjo është hera e parë që vij në një vend kaq të veçantë, i pasur me kujtime “. Ekspozita ndërkombëtare “Expo 2015″ është një mjet dialogu, bashkëpunimi, vlerësimi për të gjithë popullin shqiptar. Ky workshop do të zhvillohet në maj të 2015 dhe do të mbulojë rreth 90 % të vendeve nga e gjithë bota, që do të paraqesin mënyrën e tyre të jetesës, kulturën, ushqimet etj”.
Nga ana e saj, Komisarja e Përgjithshme shqiptare për “Expo 2015″, Manjola Gjoni nënvizoi se “sfida jonë më e madhe është sepse kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë e vetëfinancuar dhe kjo është përgjegjësi, ndërsa sfida tjetër është që ne të thithim investime në arenën ndërkombëtare”.
Për Dario Cartabellotta, përgjegësin e produkteve bio-mesdhetare në rajonin e Siçilisë, “ekspozita do të jetë një mundësi e mirë për t’u njohur me mënyrën e jetesës, ushqimit, të vendeve të ndryshme, sepse ne duam të japim idenë e jetës, të produkteve bio dhe jo të ushqimeve të fabrikave”.
Ndërsa zv/ministrja e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Brunilda Paskali u shpreh se ‘tematika e “Expo 2015 është ushqimi dhe Shqipëria do të përfaqësojë veten si një vend shumëplanësh. Ashtu siç është pikëtakimi mes lindjes dhe perëndimit , e njëjta gjë të ndoshë edhe me ushqimin dhe kulturën shqiptare të ushqimeve dhe produkteve. Kjo është një mundësi shumë e mirë që i ofrohet Shqipërisë. Aktiviteti i zhvilluar këtu tregon prezencën e dy ekstremeve, atë të izolimit të dikurshëm dhe hapjes me botën e tanishme”.