Ekonomia

Shqipëria, me më pak doktorë në rajon, emigracioni përkeqësoi numrin e mjekëve për banorë

Sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë.

Aktualisht janë 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë, teksa edhe këto burime të pakta njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.

Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.

Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.

Sipas një raporti të qeverisë shqiptare në lidhje me emigracionin, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor: Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.

Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë.

Sakaq, migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë. Trupa mjekësore prej zonave rurale, sidomos të thella, ka lëvizur drejt zonave urbane. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button