Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së, Rama: Të mbajmë dialogun të hapur edhe kur të gjitha shanset janë kundër
“Të mbajmë dialogun të hapur në një bashkësi shtetesh edhe kur të gjitha shanset janë kundër saj”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ku paraqiti përparësitë e Shqipërisë në kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë gjatë vitit 2020.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama veçoi dialogun mes vendeve si përparësi të kryesisë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020.
“Jam këtu duke marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe me shumë përulësi presim me padurim thjesht që të bëjmë më të mirën, duke mos pretenduar të bëjmë më shumë se sa më të mirën. Pres me padurim të dëgjoj zërin tuaj dhe tonë, si një dialog që do të zgjasë një vit të tërë dhe me shpresë do të na sjellë të gjithëve në një vend më të mirë se sa jemi sot (dhe këtu nuk e kam fjalën për Vjenën)”, tha Rama.
Rama përgëzoi ekipin sllovak që ka kryesuar në mënyrë të dalluar OSBE-në gjatë vitit të shkuar që ishte sfidues.
“Mblidhemi sot këtu për të shënuar fillesën e kryesisë shqiptare. Jam besimplotë se rruga që është shtruar nga kryesia sllovake do të na shërbejë për këtë. Do të jetë detyra e Shqipërisë për të bashkërenduar përpjekjet tona kolektive në kuadër të sfidave tona të përbashkëta”, shtoi ai.
“45 vjet më parë, kur u themelua OSBE, Shqipëria ishte e vetme, vërtetë një Kore e Veriut e Europës, një shoqëri e izoluar në mënyrë kokëforte dhe e nxitur nga urrejtja kundër botës së lirë. Shqipëria ishte i vetmi shtet europian, që jo vetëm refuzoi të bëhej pjesë e OSBE-së, por edhe të denonconte krijimin e saj në momentin e vetëkrijimit si një shprehi e degjenerimit moral të vetë anëtarëve të saj. Asaj kohe unë kam qenë një pioner me shall të kuq në qafë, ndërkohë që sot ju drejtohem si kryetar i kësaj organizate të 57 vendeve dhe më shumë se 1 miliard banorësh nga Vankuveri në Vladivostok. Çfarë jete për brezin tim në një periudhë të pabesueshme transformimesh historike për botën”, tha ai.
Rama i kushtoi një homazh të gjithë atyre që luftuan si mundën dhe vuajtën në burgim apo internim për lirinë e Shqipërisë.
“Falënderoj ata që kanë kontribuar fort në rrugëtimin e vështirë të tranzicionit demokratik nga një diktaturë brutale në një demokraci funksionale. Duke përfshirë të gjithë ata që na kanë shoqëruar në këtë rrugëtim sfidues, mes tyre OSBE ka qenë një prej pranive kyçe. Më lejoni t’ju rrëfej se nuk më pëlqente shumë OSBE ndërkohë që partia ime ishte në qevri më dukej shumë e ashpër, ndërsa në krye të opozitës më dukej shumë e butë. Pavarësisht këtyre shakave një gjë është e qartë si kristal: nëse hedh sytë pas dhe imagjinoj rrugëtimin e Shqipërisë drejt ndryshimit pa praninë e OSBE-së, kjo është thjesht e pamundur”, shtoi Rama.
Rama tha se “OSBE-ja mund të mos jetë në gjendje që të zgjidhë të gjitha problemet, por pa OSBE-në, gjithçka që ne dëgjojmë do të ishin më shumë probleme për t’u zgjidhur”.
Kryeministri tha se “ndjen sot përgjegjësinë e jashtëzakonshme si dhe mundësinë e madhe që të jap diçka mbrapsht për organizatën tonë, pasi OSBE i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë në kaq shumë vjet”.
“Ndërkohë që Europa shenjohet nga konfliktet dhe bota nuk është në formën e saj më të mirë puna jonë në një organizatë kaq unike dhe me përvojë si dhe vullneti i mirë i gjithë anëtarëve të saj është i nevojshëm edhe më shumë. Për të qenë kuptimplotë dhe relevante, paqja dhe demokracia nuk duhet të jenë thjesht fjalët tona kyçe të përbashkëta dhe horizonti ynë i përbashkët, por duhet të jenë objektivat tona të përbashkëta për oganizatën dhe këtë Këshill të nderuar. Unë besoj se parimet bazë të Helsinkit, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbeten ende sot, siç ishin në të shkuarën, një recetë e thjeshtë dhe efektive”, tha Rama.
Rama tha se “kjo është arsyeja se pse kemi zgjedhur të zbatojmë angazhimet së bashku si moton e kryesisë shqiptare të OSBE-së”.
“Kjo shprehje përmban 3 elemente kryesore: Së pari, rëndësinë për të nderuar angazhimet dhe detyrimet tona të përbashkëta sepse nuk mund të marrim në mënyrë të besueshme angazhime të reja nëqoftëse nuk respektojmë ato ekzistuese. Së dyti të përqendrohemi te instrumentet e vlefshme që zotërojmë dhe së treti që përgjegjësia jonë të bashkëndahet mes të 57 vendeve. Që kryesia të çojë para axhendën e përbashkët duhet që të kemi vizion e vullnet politik të përbashkët që është thelbësor”, tha Rama.
Për këtë arsye, ai tha se “përparësia e kryesisë shqiptare të OSBE-së mbështetet në vendosmërinë tonë për ta nisur nga bazat dhe për t’i bërë ato sa më mirë”.
“Së pari, të bëjmë dallimin në terren. OSBE-ja e ka dëshmuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjedise konflikti dhe paskonflikti shpesh aty ku dhe askush nuk mundet. Ne duhet të promovojmë punën e organizatës sonë aty ku është pranë njerëzve tanë”, tha Rama.
“Ndërkohë që kriza në Ukrainë e përreth saj mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Europë, kontributi unik i ofruar nga misioni i posaçëm monitorues për të reduktuar tensionet dhe për të nxitur paqen, stabilitetin dhe sigurinë është thelbësor. Ndërkohë që ka pasur sinjale inkurajuese që i përgëzojmë, rruga për paqen e qëndrueshme mbetet, siç të gjithë e dimë, e gjatë. Kryesia shqiptare do të bëjë rolin e saj për të inkurajuar respektimin e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh dhe procesin e formatit të Normandisë”, tha Rama.
Ai theksoi se “Misioni i Posaçëm dhe Ukraina do të jenë po ashtu destinacion i vizitës time të parë në javët në vijim, si kryesues i OSBE-së.
“Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të axhendës sonë dhe sidomos në atë të bashkëkryesuesve të grupit të Minskut të OSBE-së, të diskutimeve ndërkombëtare të Gjenevës dhe mekanizmave përkatëse si dhe procesin e zgjidhjes Trans-Dniestriane”, tha ai.
“Shqipëria e di personalisht mbështetjen që mund të ofrojë një operacion në terren i OSBE-së. Na duhet të maksimizojmë potencialet e tyre dhe të zgjerojmë horizontin e tyre planifikues në mënyrë që të sigurojmë një përputhje më të mirë me ciklet politike të qeverive mikpritëse. Në muajt në vijim do të kemi nevojë të rekrutojmë një numër të konsiderueshëm krerësh dhe zv/krerësh misionesh. Ndërkohë që shenjojmë përvjetorin e rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit, që frymëzon bashkëpunimin e përgjithshëm me Kombet e Bashkuara ju bëj thirrje ju dhe kryeqyteteve tuaja të na sillni sa më shumë të jetë e mundur emra të kandidateve femra të kualifikuara. Le të udhëheqim nëpërmjet shembullit në avancimin e rolit të grave në paqe dhe siguri”, tha Rama.
Ai tha se “duke qenë se kam një qeveri që është krenarisht në 5-shen botërore për balancën gjinore, mbështetur në përvojën time ju siguroj të gjithëve ju, sidomos burrave në këtë sallë, që sa më shumë gra të angazhohen në punë reale, aq më shumë punë reale do të bëhet”, tha Rama.
“Instrumentet e OSBE-së luajnë një rol thelbësor në nxitjen e të drejtave themelore dhe lirive themelore të njeriut. Institucionet tona autonome janë unike dhe instrumente të shtuara që i shtojnë vlerë jo vetëm OSBE-së, por po kështu komunitetit më të gjerë ndërkombëtar. Ndërkohë që shohim nga e ardhmja, le t’i shfrytëzojmë plotësisht këto asete që ne zotërojmë”, tha Rama.
Sips tij, “nxitja e lirisë së shprehjes dhe medies, lufta kundër dhunës ndaj grave, janë përparësi të menjëhershme urgjente”. “Çuarja përpara e mirëqeverisjes është po kështu një sfidë tjetër që jam i sigurt ndihet nga të gjithë kolegët e mi. E pres me padurim që ta trajtoj në një konferencë të nivelit të lartë kundër korrupsionit në Tiranë”, shtoi ai.
Duke folur për sfidat dhe kërcënimet, Rama vlerësoi se “OSBE ka krijuar një ekspertizë mbresëlënëse”. “Ne synojmë që të përcaktojmë si përparësi luftën kundër përhapjes së armëve të vogla, armatimeve të lehta si edhe luftën kundër krimit të organizuar. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një prej fushave ku OSBE po bëhet lojtar global. Do të maksimizojmë aksionin tonë kundër kësaj dukurie. Po kështu, organizata jonë shkëlqen në reagimin ndaj sfidave të fundit si lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe siguria kibernetike, me një grup masash të rëndësishme për ndërtimin e besimit”, tha Rama.
Kjo, tha ai, “më çon te pika e tretë e përparësive, dialogu”. “Ndaj shumicën e shqetësimeve të shprehura në analizën e fundit të paraardhësit tim dhe besoj se ka ardhur tashmë koha të sinjalizojmë një përgjigje, një reagim, ndaj një rritje të pamohueshme të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në mbarë rajonin e OSBE-së. Nxitja e tolerancës dhe mosdiskriminimit do të mbetet një përparësi madhore e kryesisë sonë. Shpresoj se do të jemi në gjendje që së bashku të formësojmë një përgjigje të depolitizuar ndaj kësaj dukurie alarmuese”, tha Rama.
Ai tha se “një takim madhor do të jetë edhe konferenca e afërt për luftën kundër antisemitizmit në Tiranë”. “Do të ndajmë historinë krenare të Shqipërisë, të shpëtimit të popullit hebre në vend. Ne ishim vendi që kishim më shumë hebrenj pas luftës se sa më parë. Ne do të përkujtojmë së bashku 75-vjetorin e përfundimit të kampeve të përqendrimit naziste. Më lini që t’ju them se lufta kundër antisemitizmit sot nuk është thjesht përballja me të, por gjithashtu edhe marrja në mënyrë të vendosur me qëndrimin relativist ndaj sjelljes antisemitike. Si shoqëri që jeton në vëllazëri fetare, siç e ka përmendur Papa Françesku, në Shqipëri e njohim vlerën e saj dhe do të ndihmojmë të ndajmë në këtë rast edhe përvojën tonë të kësaj harmonie. Po, ajo që dua të them këtu është që marrja e saj për të mirëqenë është e rrezikshme”, tha Rama.
Ai shtoi se “do të përpiqemi të shfyrtëzojmë të gjitha instrumentet e OSBE-së për të çuar më tej kuptimin e përbashkët të sfidave aktuale të sigurisë, duke nisur me dialogun e strukturuar dhe duke ulur rreziqet nëpërmjet masave tona për ndërtimin e besimit dhe sigurisë”.
“Dialogu do të jetë për çështje politike, për mbrojtjen e mjedisit si edhe politik, me organizata simotra si BE dhe shoqërinë civile. Diplomacia parlamentare është thelbësore për të shkuar te qytetarët tanë dhe pres me padurim që të bashkëpunoj me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së”, tha Rama.
Ai theksoi se “duke qenë se shumë prej sfidave dhe mundësive tona vijnë prej përtej rajonit të OSBE-së, na duhet të forcojmë platformat tona të dialogut me partnerët aziatikë e mesdhetarë për bashkëpunim”.
“Situata aktuale në brigjet jugore është një shembull se sa ngushtë e ndërlidhur është siguria jonë e përbashkët. Meqë ra fjala po flas në emër të një vendi që dje u përcaktua si një vend djallëzor në mes të Europës nga autoriteti i lartë i rejgimit totalitar të Teheranit”, tha Rama.
“Programet tona të hartuara pas bisedimeve në kryeqytete dhe në Vjenë do të mbeteshin vetëm në letër pa përbërësin më të rëndësishëm, ekipin kryesues të Shqipërisë në Tiranë dhe këtu në Vjenë. Kemi angazhuar diplomatë e profesionistë, një ekip të talentuar dhe shumëkombësh të ndërtuar falë mbështetjes së shumë vendeve partnere të cilat i falënderoj nga thellësia e zemrës”, tha Rama.
Sipas tij, “detyra e tyre e vështirë do të jetë të arrijnë konsensus duke punuar krahë për krahë ne ekipin e shkëlqyer të Sekretariatit dhe institucioneve autonome”.
“Lidhur me përparësitë tona të menjëhershme, negociata e parë është miratimi i një buxheti të unifikuar. E di që kjo është diçka që shkakton dhimbje koke por besojmë se propozimi aktual është realist dhe një bazë e mirë për konsensus. Në këtë pikë, protokolli më kërkon që t’ju bëj thirrje të angazhoheni në mënyrën më konstruktive të mundshme. Të gjithë kemi një rol të barabartë në funksionimin e OSBE-së. Nuk e shoh miratimin e buxhetit që është një hap thelbsor i çdo organizate si një fitore të kryesisë shqiptare. Do të thoja që duhet të jetë dhe është detyra jonë kolektive drejt mbi 2800 pjesëtarëve të personelit të OSBE-së, që u shërbejnë mbi 1 miliard qytetarëve, ndaj besoj fort se ndërkohë që flasim për buxhetin, duhet të mendojmë për ta, për familjen e tyre, nevojat e tyre, që janë kaq shumë të rëndësishme dhe për nevojat e vetë organizatës dhe ne nuk duhet t’i lëmë në baltë”, tha Rama.
Negociata e dytë, sipas tij, “është sigurimi i udhëheqjes së strukturës së OSBE-së përtej 2020. Në muajt që vijojnë do të nisim një proces konsultimi në Vjenë. Ajo që mund t’ju them është se ne do ta kemi të hapur dhe transparent. Jam i gëzuar që të gjithë ata që janë pjesëtar kanë konfirmuar disponueshmërinë për një mandat të dytë. Kjo është një gjë e mirë”, tha Rama.