EkonomiaSporti

Shqipëria në “Gjermani 2024”, Silvinjo: Një ditë që do të mbetet gjatë ne zemrën time gjatë

Trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, duke komentuar rezultatin historik të kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e vitit 2024, që do të zhvillohet në Gjermani, ka theksuar se kjo është një ditë që do mbetet gjithmonë në mendjen dhe zemrën e tij.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të ndeshjes me Moldavinë, Silvinjo tha se grupi ishte tejet i vështirë dhe djemtë arritën t’i jepnin jetë ëndrrës “Euro 2024”.

“Ishte sfidë e bukur. Ky ishte një grup i balancuar. E thashë që kur m’u besua drejtimi i skuadrës, se grupi ka skuadra që mund të merrnin 20 pikë dhe rezultoi se gjithçka ishe e  hapur për kualifikim deri në fund”, tha Silvinjo.

Tekniku brazilian shtoi se kishte besim se djemtë do ia dilnin të siguronin kualifikimin.

“Isha i bindur se do ishim në garë për t’u kualifikuar dhe arritëm t’ia dilnim. Është një sfidë e vështirë, është një ëndërr. Duhet të kesh besim kur punon për t’ia rritur këtij qëllimi. Por nuk është fare e lehtë. Kjo është një ëndërr e madhe”, tha ai.

Sipas Silvinjo, Shqipëria ngjan me Brazilin për sa i takon bashkimit dhe unifikimit të skuadrës me tifozët. “Një unifikim me futbollistët, me tifozët dhe zyrtarët që është fantastik. Edhe në Brazil ka një nevojë për të qenë afër, për të qenë sa më pranë njëri-tjetrit. Kjo është një ditë që do mbetet në zemrën time gjithmonë”, tha Silvinjo.

Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani është shprehur se është ndjerë më i lumtur se kurrë për kualifikimin në finalet e Europianit 2024, të siguruar pas barazimit me Moldavinë në transfertë, i cili i dha Shqipërisë matematikisht kualifikimin për në Europianin “Gjermani 2024”.

Ramadani ka uruar të gjithë shqiptarët dhe falenderuar tifozët që ishin të pranishëm në stadium.

“Urime të gjithëve! Jam gëzuar shumë. Kjo arritje shkon për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Kjo i shkon dhuratë gruas time, çikës sime, është një ndjenjë e veçantë që s’do ta kisha besuar kurrë këtë emocion. Kurrë në jetën time, në karrierën time nuk kam përjetuar një emocion të tillë. Festë e çmendur në dhomat e zhveshjes. Ishalla e mbyllim grupin në vendin e parë. Doja të uroja shqiptarët anembanë dhe të falënderoja dhe tifozët të cilët ishin sot në stadium”, tha Ramadani.

Kapiteni Berat Gjimshiti, tha se fitorja me Çekinë ishte vendimtare për kualifikimin.

“Nuk ishte një nga ndeshjet më të mira, por ishte një pikë që na çoi në Evropian. Falënderoj dhe shikuesit që erdhën në stadium, falënderoj dhe tifozët. Ne e kuptuam që mund t’ia dilnim kur fituam ndaj Çekisë, ishte kyçe, na dha besim tek ekipi dhe tifozët. Shumë kanë thënë që ka një muaj që jemi kualifikuar, por nuk ishte kështu, tani jemi të kualifikuar, duhet të jemi me këmbë në tokë, dhe pse vetëbesimi na ndihmoi ta kalonim edhe këtë përballje. Edhe herën e fundit isha në eliminatore, por nuk isha dot në fazën finale, tani uroj të jem në formë për fazën finale. Jemi të gjithë të lumtur”, tha Gjimshiti.

Pas barazimit të arritur këtë të premte në Moldavi, Shqipëria do të jetë pjesë e finaleve të Europianit të vitit 2024, që do të luhen në Gjermani, duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm. Kualifikimi është siguruar matematikisht pas barazimit me rezultatin 1-1 në stadiumin “Zimbru” të Kishinaut përballë vendasve.

Sfida ishte e vlefshme për javën 7 të grupit “E”, ku “shqiponjat kuqezi” kanë grumbulluar deri më tani 14 pikë dhe udhëheqin grupin, ndërsa ndiqen nga Çekia me 11 pikë, Polonia me 10 pikë dhe më pas vjen Moldavia me 9 pikë, teksa në fund të kualifikimit janë Ishujt Faroe me 1 pikë.

Një gol i Sokol Cikalleshit në minutën e 24-t ka mjaftuar për t’i dhënë kuqezinjve mundësinë për të siguruar matematikisht kualifikimin për herë të dytë në finalet e një Europiani, pas pjesëmarrjes për herë të parë në finalet e Europianit “Francë 2016” tetë vite më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button