Ekonomia

Shqipëria në listën “gri” të pastrimit të parave, cili është ndikimi në ekonomi

Në vitin 2015, Shqipëria do të dilte nga lista gri e vendeve që monitorohen nga Task Forca për Veprim Financiar. Kjo u trumbetua si arritje e jashtëzakonshme e atyre kohëve, por nuk vonoi shumë dhe në 21 shkurt 2020, vendi ynë i përfshi sërish në këtë listë për shkak të “dobësive strategjike”, që janë gjetur në regjimet e parandalimit të pastrimit të parave. Futja në këtë listë ka ndikime direkte te sektori bankar, të cilit i rriten kostot e transfertave, por edhe për tregtinë në marrëdhëniet import-eksport. Qeveria nga ana tjetër mund të hasë vështirësi në sigurimin e huamarrjes në tregun e jashtëm. Por ç’do të thotë “lista gri” sot për vendin tonë?

Nga Nertila Maho

Shqipëria është rikthyer në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar (FAFT). Për herë të fundit, vendi ynë kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015, pas një vlerësimi të përbashkët, i cili merr në analizë një sërë elementësh që nga kuadri rregullator e deri te zbatimi i tyre. Por çfarë do të thotë hyrja në listën gri dhe të qenit si një “juridiksion në monitorim të zgjeruar”?

Kjo do të thotë që vendet të cilat përfshihen në këtë listë do të punojnë ngushtësisht me FAFT për të adresuar dobësitë e gjetura në regjimet e tyre sa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Kur FAFT vendos një vend nën monitorim të zgjeruar, do të thotë që ky vend ka marrë angazhimin që të zgjidhë me shpejtësi dobësitë strategjike të konstatuara brenda një afati të dakordësuar më parë. Ajo që ndodh është që pranë FAFT, vendet e “listës gri” raportojnë në mënyrë periodike mbi masat e marra ndërkohë që merret në vlerësim zbatimi korrekt i kalendarit të dakordësuar për përmbushjen e angazhimeve.

Secili prej vendeve të përfshira në listën gri ka dobësitë e tij specifike, ndaj raportimi i secilit është i veçantë dhe orientimi i politikave bëhet qartësisht mbi pikat e dakordësuara më parë me FAFT. Por cilat janë dobësitë që gjeti FAFT te Shqipëria dhe që kanë nevojë për masa të shpejta?

Pse FAFT e futi Shqipërinë në listën gri?

Në seancën plenare të 21 shkurtit, Task Forca për Veprim Financiar mori një sërë vendimesh, ndër të cilat edhe vendet që hyjnë apo dalin nga lista gri e saj. Për Shqipërinë, lajmi nuk ishte edhe shumë pozitiv. Edhe pse u raportua për masa të marra dhe rregulla të ndjekura nga autoritetet në funksion të parandalimit të pastrimit të parave, FAFT ka nënvizuar se sërish ka disa dobësi për të cilat duhet të punohet.

“Në shkurt 2020, Shqipëria ndërmori një angazhim të nivelit të lartë për të punuar me FAFT dhe Moneyval për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftës ndaj krimit dhe terrorizmit. Që nga kompletimi i Raportit të Vlerësimit të Ndërsjellë, Shqipëria ka bërë progres në disa prej rekomandimeve të këtij raporti sa i takonte përmirësimit të bashkëpunimit teknik dhe efektivitetit, përfshirë zgjerimin e kuptueshmërisë së riskut të financimit të terrorizmit nga autoritetet kompetene, në mënyrë që të merren masa më efektive në ndjekje si dhe të vendoset një kuadër ligjor për të zbatuar sanksionet e targetuara.

Shqipëria do të punojë për të zbatuar planin e veprimit: duke zhvilluar analiza shtesë në thellësi për të kuptuar pastrimin e parave dhe risqet në mënyrë të mjaftueshme dhe do të zgjerojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin.

Së dyti, përmirësimi i dorëzimit në kohë të kërkesave për asistencë ligjore të ndërsjellët. Së treti, ngritja e një mekanizmi efektiv për të zbuluar dhe parandaluar infiltrimin kriminal në ekonomi, përfshirë këtu duke forcuar autoritetet kompetente për të marrë masat e nevojshme.

Së katërti, sigurimi i informacionit në kohë reale sa i takon pronësisë.

Së pesti, rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimet e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë kallëzime të bëra nga jashtë apo pastrim parash nga palë të treta.

Së gjashti, përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të targetuara veçanërisht përmes veprimeve mbikëqyrëse të zgjeruara dhe të targetuara si dhe shpërndarjes proaktive”, thuhet në shpjegimin e FAFT se pse Shqipëria u fut në listën gri.

Moneyval dhe FAFT, çfarë përfaqësojnë këto dy organizma

Komiteti i Ekspertëve të Vlerësimit të Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizimit (MONEYVAL) është një organizëm i përhershëm monitorimi i Këshillit të Europës, që ka si detyrë vlerësimin dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe efektivitetin me të cilin zbatohen këto masa.

Po kështu, ky organizëm ka të drejtë të bëjë rekomandime për autoritetet kombëtare në funksion të përmirësimit të sistemeve të tyre. Kjo detyrë kryhet përmes një procesi dinamik që nis me vlerësime të përbashkëta, rishikim nga vendet e tjera dhe raporte të rregullta ndjekjeje procesi. Po cila është diferenca dhe e përbashkëta mes Moneyval dhe FAFT? Moneyval është një trupë më e zgjeruar monitorimi nën Këshillin e Europës që fillimisht shërbente si monitoruese e punës së Task Forcës për Veprim Financiar. Ndërkohë që nga viti 2006, Moneyval u bë një anëtare e asociuar e FAFT.

Ndërsa 20 shtete anëtare të Këshillit të Europës vlerësohen nga FAFT, 27 vende anëtare të këtij këshilli janë anëtare edhe të Moneyval. Dy anëtarë të FAFT caktohen që për një periudhë dyvjeçare të jenë anëtarë të Moneyval. Në total, Moneyval është organizëm paneuropian, me 47 shtete anëtare në total që raportojnë pranë organizmit të tij kryesor që është Këshilli i Ministrave. Teksa Moneyval bën vlerësimin e situatës, FAFT është një trupë që bën politika për të nxitur autoritetet që të marrin reforma rregulltore në disa fusha.

Rreziqet e listës gri

Të qenet në listën gri nuk imponon sanksione ekonomike, por shërben si një sinjal për sistemin bankar dhe financiar global lidhur me risqet e rritura në transaksionet e vendeve në fjalë. Industria bankare dhe ajo e jashtme me shumë gjasa preken në mënyrë më direkte. Bankat korrespondente globale apo institucionet e tjera financiare ndërmjetëse të përfshira në transaksione kërkojnë kujdes të shtuarPasojat e futjes në listën gri të FAFT te bankat dhe tregtia

Futja në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar, jo rastësisht shihet me shqetësim sa herë që ndodh për një vend. Ndikimet, edhe pse nuk janë të drejtpërdrejta për qytetarët e thjeshtë, në një efekt zinxhir transmetohen në hallka të ndryshme. “The Economist”, në një artikull për vendet në listën gri, citon mes të tjerave edhe implikimet që ka një situatë e tillë.

“Të qenit në listën gri nuk imponon sanksione ekonomike, por shërben si një sinjal për sistemin bankar dhe financiar global lidhur me risqet e rritura në transaksionet e vendeve në fjalë. Industria bankare dhe ajo e jashtme me shumë gjasa preken në mënyrë më direkte. Bankat korrespondente globale apo institucionet e tjera financiare ndërmjetëse të përfshira në transaksione kërkojnë kujdes të shtuar. Kjo në një farë mënyre shërben pozitivisht për dokumentimin dhe transparencën duke përmirësuar praktikat kundër pastrimit të parave në përgjithësi.

Por bankat do të duhet të forcojnë procedurat e tyre të pajtueshmërisë në mënyrë që të mbajnë të pa cenuar aksesin e tyre në sistemin global SWIFT, rrjeti ndërkombëtar i komunikimit të bankave dhe institucioneve të tjera financiare. Kjo do të prekte qarkullimin ndërkufitar të kapitalit, veçanërisht sektorin e tregtisë. Kërkesat në dokumente për pagesa në eksport dhe import të tilla si letrat e kreditit mund të jenë më të vështira për t’u përmbushur duke rritur në mënyrë potenciale kostot dhe duke cenuar biznesin për kompanitë e përfshira në tregti”, raporton “The Economist” duke sjellë si shembull rastin e Pakistanit.

Po kështu, një tjetër ndikim që lakohet është ajo në mundësitë e financimit të jashtëm që mund të jenë të kufizuara. Vendosja në listën gri në vetvete mund të ketë efekte të limituara, por bashkë me një situatë të rënduar të bilancit të pagesave mund të paraqesë sfida për qeverinë. “The Economist” nënvizon se të qenit në listën gri mund të bëjë që negociatat potenciale me donatorët apo kushtet e huadhënies të përfshijnë më shumë kërkesa dhe veprime rregullatore për çështjet e pastrimit të parave apo luftës kundër terrorizimit, ku kërkohet më shumë informacion.

Shqipëria rezultoi problematike në raportin e parë të vlerësimit

Moneyval për një vend ndjek praktika standarde, që nisin së pari me një raport vlerësimi mbi situatën që shfaqet konkretisht në ekonominë në skanim. Për shembull, për Shqipërinë, raporti i fundit i vlerësimit u miratua në asamblenë e 56 të Moneyval, saktësisht në datën 5 korrik 2018.

Përgjatë 1-14 tetor 2017, një grup pune kishte qenë në Shqipëri për të vlerësuar situatën dhe gjetjet e përmbledhura në një publikim kishin kritika të forta. Ndër të tjera u tha se “korrupsioni paraqet risqe të larta të pastrimit të parave. Shpesh të lidhura me krimin e organizuar dhe gjeneron sasi të konsiderueshme të ardhurash dhe minon seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë. Autoritetet janë në dijeni të risqeve nga korrupsioni, por fokusi i zbatimit të ligjit për të targetuar pastrimin e parave nga korrupsioni ka qenë i limituar. Reforma në drejtësi po zbatohet për të adresuar më mirë risqet e korrupsionit që mbizotërojnë në vend”, thuhet në këtë raport.

Raporti nënvizonte se hetimet për pastrim parash rezultojnë rrallë në akt-akuza dhe niveli ka qenë në rënie, ndërkohë që në shumë raste, akuzat rrëzohen apo pezullohen. Numri dhe karakteri i rasteve të pastrimit të parave sipas Moneyval nuk është konsistent me masën dhe domethënien e të ardhurave të gjeneruara nga kriminaliteti. Po kështu, një element tjetër që sillet në vëmendje është ai i provave që sillen.

Në shumë raste, sipas raportit, autoritetet bazohen më shumë në sinjalizimet që sjellin bashkëpunëtorët e huaj, sesa në prova rrethanore, edhe pse kjo ka rezultuar e suksesshme së fundmi. Lidhur me konfiskimin dhe sekuestrimin, raporti vlerëson se diferenca mes këtyre dy masave është e lartë, ndërkohë që nënvizon se legjislacioni ekziston.

Moneyval nënvizoi se autoritetet shqiptare kishin një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtar për politikë-bërjen për të adresuar rreziqet. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jetë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate.

Lidhur me këtë situatë, Moneyval bëri një sërë rekomandimesh që përfshinin përmirësimin e kornizës ligjore dhe në këtë rreth përfshiheshin masa që duhet të merreshin që nga Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj deri te Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Lojërat e fatit dhe ndërtimi u cilësuan si sektorët me risk për pastrim parash

Raporti i Moneyval, ndër të tjera do të ndalej edhe në sektorët me risk sa i takon pastrimit të parave. Në këtë raport vlerësimi thuhej shprehimisht se “sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave.

Profesioni i noterit historikisht është konsideruar i brishtë për shkak të përfshirjes së tij në transaksionet e pasurive të paluajtshme, por rreziqet e tij janë zvogëluar vitet e fundit. Pas rritjes së kontrolleve mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme, ditët e sotme rreziqet më të mëdha janë të pranishme në transaksionet ku nuk përfshihen noterët dhe agjentët e pasurive të paluajtshme (transaksionet informale), thuhet në raport.

Për lojërat e fatit qeveria ndoqi rrugën e shkurtër duke njoftuar në tetor 2018 mbylljen e tyre. Kjo erdhi vetëm pak muaj pas raportit të Moneyval ndërkohë që operatorëve të tregut iu dha kohë deri në dhjetor të atij viti që të shlyenin detyrimet tatimore, të njoftonin punonjësit për t’u integruar në tregun e punës në sektorë të rinj si dhe për të hequr reklamat. Tregu i lojërave të fatit të fatit qarkullonte zyrtarisht 130 milionë euro dhe ishte kontributor me të paktën 40 milionë euro si taksa në arkën e shtetit. Numri i të punësuarve në baste sportive dhe kazino elektronike llogaritej në rreth 9 mijë në total.

Pavarësisht mbylljes zyrtare të këtij aktiviteti, informalisht ka vijuar vënia e jashtëligjshme e basteve sportive përmes skemave të ndryshme dhe fakt i kësaj janë arrestimet që bëhen herë pas here nga policia. Raporti i Moneyval theksoi në atë kohë se të ardhurat nga krimi po qarkullonin dhe investoheshin në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare.

Niveli i lartë i ekonomisë informale, e kombinuar me përhapjen e lartë të cash, përbënte sipas tij një rrezik për pastrim parash. Një gjë e tillë tashmë është pohuar edhe nga vetë agjentët e tregut, që vlerësojnë se ka një sërë elementësh të cilët nuk përputhen në logjikën e përgjithshme që ndjek tregu. Sipas tyre, ka një rritje të çmimeve për metër katror të shtëpive në Tiranë, në nivele të tilla që nuk justifikohen vetëm nga taksat, teksa edhe kërkesa vijon të mbetet e lartë.

“Në rast se taksat janë shtuar me 60 apo 70 euro për metër, dhe cilësia mund të ketë çuar në rritje kostoje me 20 apo 30 euro, shtrenjtimi i çmimeve është herë tre apo herë katër në raport me kostot. Pra 300 deri në 600 euro për metër rritje. Në zona që ne si agjenci dikur nuk kemi guxuar të merrnin apo të shisnim prona për më shumë se 900 euro metri, objektet e reja kanë dalë me 1600 euro, dhe me aq sa kemi informacion të gjitha po shiten.

Është zona e Astirit, në të cilën ne kemi tentuar të mos kapërcenim 500 euro, tashmë na vjen me 670 euro për metër katror” shprehet Juliana Nela, broker në Agjencinë REMAX. Ajo është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo.

Edhe Ylli i Sula, sipërmarrës, botues i gazetës “Çelësi”, i cili ka krijuar përmes të dhënave historike të gazetës një indeks për çmimet e pasurive të paluajtshme, konfirmoi për “Monitor” se në këtë tendencë të çmimeve më shumë luajnë rol elementët jashtë tregut sesa ata të brendshëm. “Në shumë raste gjenden hapësira që përdoren për pastrim parash, si në investim, edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut”.

Ndryshimet ligjore, nga regjistrimi i biznesit te procedurat tatimore

Vitin e shkuar ishte një numër i madh ligjesh që iu nënshtruan ndryshimeve në funksion të forcimit të masave kundër pastrimit të parave. Një ligj që ndryshoi ishte ai për “Për regjistrimin e biznesit”. Dy ishin risitë e kësaj nisme.

Së pari, një transparencë më të madhe në rastet e ndryshimit të ortakut në një biznes, çka duhet të deklarohet sipas afateve të përcaktuara.

Së dyti, parashikimin e penaliteteve për ata që nuk zbatojnë këtë pikë. Konkretisht, sipas ligjit aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administratori i shoqërisë, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. “Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, me të cilat lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhet, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksioneri, të cilit ata i përkasin, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre”, thuhet në ligj.

Po kur kjo nuk ndodh? Ligji ka parashikuar që moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda 30 ditëve kalendarike, nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, 100 mijë lekë. Te ligji për “Për procedurat tatimore”, ndryshimet përfshinin reduktimin e përdorimit të parasë fizike nga bizneset, çka bëri që çdo biznes me qarkullim mbi 2 milionë lekë të hapë llogari bankare.

Sipas ligjit, biznesi dhe OJF-të janë të detyruara të hapin llogari bankare dhe nëse kjo nuk ndodh, ato penalizohen. Për secilën kategori, masa e gjobave është e ndryshme. Kështu tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qarkullim deri në 8 milionë lekë, gjobë në masën 50 mijë lekë. Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 milionë lekë, gjobë në masën 100 mijë lekë dhe së treti, organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 mijë lekë. Në rast se subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.

Kompanitë off shore, qeveria mban pezull ligjin për publikimin e emrave të aksionerëve

Pas shuplakës që dha raporti i Moneyval për riskun e pastrimit të parave, autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje duke hartuar një sërë draft-ligjesh dhe aktesh nënligjore për të plotësuar hendeqet e gjetura nga ekspertët e huaj. Një ndër çështjet me theks ishte ajo për kompanitë që ishin të regjistruara në parajsa fiskale.

Raporti i Moneyval nënvizonte se prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen, mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bënte thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to.

“Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore, kontrollin e informacionit të personave juridikë, si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Rekomandimet e reja të Task Forcës për Veprim Financiar vendosin kushte më të hollësishme në veçanti në lidhje me grumbullimin dhe disponueshmërinë e informacionit për kompanitë offshore”.

“Nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore, përveçse si pjesë e proceseve të verifikimit të entiteteve raportuese.
Nga ana tjetër, nënvizohej se nuk kishte kërkesa për personat juridikë dhe as për regjistruesit apo autoritete të tjera kompetente për të marrë, për të mbajtur apo që të vlerësojnë masa të arsyeshme për sigurimin në vijim të informacionit për pronarët përfitues.

“Vetëm në rast se drejtorët apo anëtarët, partnerët, aksionerët, themeluesit janë në të vërtetë pronarët përfitues, informacioni në regjistër do të jetë i duhuri. Shqipëria mund të jetë duke zbatuar pjesërisht kërkesat për identifikimin e pronarëve përfitues përmes kërkesave që vijnë nga masat kundër pastrimit të parave apo lufta kundër terrorizmit për entitetet raportuese, për të kryer verifikimin e pjesës që përfshin identifikimin e pronarëve përfitues të personave juridikë.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave pas kësaj bëri me dije se po hartonte një draft që synonte pikërisht transparencën. Në atë kohë, DPPPP do të argumentonte se draftligji synonte krijimin e një regjistri që do të listonte pronarët përfitues të kompanive të regjistruara offshore, të cilët zotërojnë mbi 25% të kapitalit fillimisht dhe më pas, kufiri mund të ulet në 10%.

“Pronësia do të jetë publike, e aksesueshme përmes internetit, ashtu siç është sot për kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku cilido mund të hyjë në ekstraktin e një subjekti dhe të shikojë të gjitha të dhënat mbi këtë subjekt, nga data e krijimit, vendimet e ndryshme dhe deri te bilancet financiare. Ky regjistër do të bëjë transparencë dhe mbi origjinën e llogarive bankare, por ky informacion do të jetë konfidencial dhe i aksesueshëm vetëm nga disa institucione” do të shprehej DPPPP në atë kohë. Por si shumë nisma të tjera të lidhur me kompanitë off shore edhe kjo mbeti pezull. Autoritetet shqiptare deri më tani nuk kanë miratuar draftin e transparencës për kompanitë e regjistruara në parajsa fiskale. /Monitor/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button