Kryeartikull

Shqipëria, sandwich mes Greqisë dhe Turqisë

Nga Ben Andoni

Ndërsa partitë politike në Shqipëri i janë përveshur njëra-tjetrës për skeptrin e “të pastrit”, fqinjët tanë vazhdojnë me kujdes dhe me synime afatgjata mëtimet e tyre. Kuptohet se e gjithë politika diplomatike është e veshur me dokumentet e traktateve, rregullohet me të drejtën ndërkombëtare, zbukurohet me argumentet kulturore-historike dhe përfundohet me marrëveshjet. Por varet gjithnjë sesa të dobishme konsiderohen këto për vendet respektive! Në rastin e Shqipërisë, nuk mund të thuhet se ka dalë aq e përfituar.

I tillë është dialogu i javëve të fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila do të konkludohet me nënshkrime të rëndësishme mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, pak javë më vonë. Me shumë gjasë do të hiqet Ligji i Luftës, një ligj absurd pas Luftës së Dytë Botërore dhe krejt arkaik në këtë kohë, por që gjithsesi me peshën e tij Greqia po luan me një kartë hipotetike për të marrë benefice të tepërta nga Shqipëria. Ajo që nuk u zbulua nga përfaqësuesit e MPJ-së në takim, u bë e njohur nga media agresive greke përmes gojës së Ministrit të Jashtëm Grek. Greqia do të shtyhet 12 milje detare falë mirëkuptimit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga ministri Ditmir Bushati. Homologu i tij grek Kotzias ka zbuluar veç kësaj edhe një lajm tjetër, që është i kuptueshëm se: Çështja Çame nuk ka qenë fare në diskutim, pasi megjithë prezantimin e palës shqiptare ajo është lënë mënjanë menjëherë. Një fitore tjetër e shqiptarëve, por që mund të konsiderohet ende si e vogël , është ajo që lidhet me rishikimin e teksteve shkollore greke prej nga viti i ardhshëm.

Duke u nisur nga argumenti i fundit: prej muajsh, vitesh, flitet nga zyrtarë arsimorë të vendit tonë dhe fqinj që është punuar në këtë drejtim, por tashmë del se jemi ende në fillesa! Ndërkohë që çështja e Detit, gati në zonën e pretenduar nga grekët për interesat e tyre, e zhbën atë luftë të madhe që është bërë për mbrojtjen e tij nga autoritetet shqiptare, por edhe të gjithë atë kinse patriotizëm politik dhe energji të derdhur. Tashmë, do të ishte e nevojshme që hartografët t’i shpjegonin njerëzve këtë të vërtetë të re. Sa për çështjen Çame ajo i mbetet historisë sepse Shqipëria nuk e ka dot atë fuqi ta përballë si diskurs me palën greke.

Shqipëria prej vitesh endet të gjejë pak prehje nga ndikimi grek dhe ai turk, që në këto 27 vjet është jo thjesht i madh por problematik. Në sensin që shumë konflikte të brendshme të këtyre vendeve janë eksportuar në Shqipëri, por edhe nga presioni direkt dhe indirekt që ato kanë bërë ndaj vendit tonë. Lajmi i fundit ishte se Opozita përveç një anëtari (Agron Shehaj tregtar) votoi kundër lënies së ndërtimit të aeroportit të Vlorës nga kompanitë turke.

Turqia me kartën e tepruar të vëllazërisë është shumë e futur në Shqipëri dhe ky ishte shqetësimi i ligjvënësve shqiptarë. Pak muaj më parë, presidenti turk Rexhep Erdogan  ka deklaruar se investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, gati rreth 3 miliardë euro. Shqipëria konsiderohej si vendi i dytë në 2016 me 982 milionë dollarë investime prej Turqisë. Greqia, ndërkohë, nuk binte më poshtë. Statistikat zyrtare nga Banka e Shqipërisë treguan se në fund të tremujorit të dytë të vitit 2017 vlera e aseteve që kompanitë greke zotëronin në ekonominë shqiptare ishin mbi nivelin e 1.2 mld euro, përafërsisht 25% e totalit te investimeve të huaja në Shqipëri.

Nëse investimet do të ndihmonin Shqipërinë në reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin e vendit ato do të ishin shumë të mirëpritura. Por, vitet kanë treguar se problemi më i madh qëndron në faktin që Turqia ndikimin ekonomik e ka për përfitim politik ashtu si edhe Greqia. Dimmer Tzantçev ambasadori bullgar në BE (kryesuese), e sheh një rrezik të mundshëm entuziazmin e Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tyre nëse unioni do të hezitojë të lëvizë përpara me pranimin e tyre, ata do të kërkojnë një alternativë të re. Dhe, ai ka vënë gishtin mes të tjerave edhe për interesat turke në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, si dhe interesat saudite dhe Wahhabi. Greqia e ushtron këtë presion në forma të ndryshme, por edhe me trysninë e komunitetit shqiptare në të.

Shqipëria ka pasur të gjithë mundësitë në këto vite të bënte një diplomaci shumë më të hapur dhe më të vetëbesueshme, kur marrim parasysh turbulencat politike në Turqi dhe sidomos gjendjen ekonomike në Greqi. Por ajo humbi një rast të mrekullueshëm me apatinë dhe lëvizjet kaotike të saj. Tashmë në çdo gjë i diktohet prej këtyre dy vendeve potente në skakierën ndërkombëtare. Turqia i dikton investimet dhe të ardhmen me heqjen e çdo lloj trashëgimie të Gylen, kurse Greqia Detin dhe kushedi çfarë më vonë. Me pak fjalë, Shqipëria e vogël mbetet një sandwich i orekseve në Ballkan, që nuk kanë të sosur në këtë dekadë të dytë të shekullit XXI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button