Opinion

Shqiptarët , negrit e shekullit XXI

flamuriLIZANDËR SARAÇI

Bota e “zhvilluar” e mësimdhënëse, ose të paktën disa drejtues institucionesh të rëndësishme, mesa duket nuk jetokan dot pa një viktimë të parapërcaktuar, e cila do të jetë gjithmonë fajtore. Edhe kur dhuna ndaj një pale është e filmuar dhe e dokumentuar gjatë, prapë faji është i viktimës.

E gjithë bota i pa pamjet e dhunës dhe dëgjoi koret raciste në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit, që brenda pak orësh u shpërndanë në qindra media ndërkombëtare. Komentet e shumicës dërrmuese të lexuesve asnjanës (as shqiptarë, as serbë) shprehnin një shokim të thellë nga dhuna e racizmi dhe kujtonin rastet e mëparshme të dhunës nga “tifozët” serbë. Italianët kujtonin veçanërisht rastin “Marasi” dhe ishin të shokuar se si Ivan Bogdanov (drejtuesi i huliganëve serbë, që dogji flamurin shqiptar në “Marasi”) ndodhej në stadium përsëri dhe madje ish futur në fushë për të kërcënuar lojtarët shqiptarë. Francezët, rastin e vrasjes së Brice Taton, tifozit të Tuluzës, nga “tifozët” e “Partizanit” të Beogradit, gjatë një ndeshje të Europa League në Beograd. Anglezët koret raciste, që shoqëruan lojtarët me ngjyrë të përfaqësueses nën 21 vjeç dhe Totenhemit.

Por kishte të paktën tre drejtues të lartë institucionesh që nuk panë asnjë shenjë dhune apo racizmi, por dënuan mesazhet politike. Madje pala dhunuese e terrorizuese mori edhe komplimente për profesionalizmin e policisë. Sigurisht këto janë Baronesha Ketrin Eshtën (Zv.presidente e Parë e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë), Mishel Platini (President i UEFA-s) dhe Sep Blater (President i FIFA-s).

Këta duhet të na shpjegojnë si fillim se për cilat mesazhe politike po flasin. Por, duke pasur parasysh hapjen e hetimit ndaj FSHF-së për “banderolë të palejueshme”, mund të supozojmë pa shumë dyshim se i referohen banderolës që u valëvit me dron mbi stadium. Pa më të voglin dyshim mund të themi se FSHF nuk ka asnjë lidhje me atë banderolë dhe se kush e futi në stadium kjo mbetet për t’u parë. Po ashtu, pa më të voglin dyshim, mund të themi se ajo banderolë nuk ka asnjë mesazh politik. Konceptimi i saj ka qenë thjesht perfekt për të mos lënë asnjë vend për interpretime politike dhe për të mos fyer askënd. Në krye ajo kishte datën 28/11/1912. Në të dy krahët e saj ishin dy figurat kryesore që sollën Pavarësinë, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Në qendër ishte harta e trojeve ku shqiptarët janë autoktonë me simbolet kombëtare. Hartë e ngjashme me atë të shpalljes së Pavarësisë në 1912-n. Poshtë shkruhej “AUTOCHTONOUS” dhe askush nuk e mohon dot këtë fakt, që vërtetohet edhe nga origjina e lojtarëve që përbëjnë ekipin tonë kombëtar. Madje vendeve të rajonit vazhdimisht u është kërkuar që të respektojnë të drejtat e shqiptarëve, që jetojnë në trevat e tyre në këto vende. Por, në asnjë mënyrë, kjo nuk mund të jetë politikë, pasi ASNJË zyrtar shqiptar nuk ka shprehur pretendime, që ajo të jetë harta zyrtare e Republikës së Shqipërisë. Akoma më pak mund t’i kërkohet llogari FSHF-së për këtë.

UEFA duhet të na shpjegojë edhe sjelljen e stafit të saj gjatë ndeshjes, pas ndalimit të saj dhe akuzën për abandonim të ngritur kundër ekipit shqiptar. Sipas direktivave të FIFA-s dhe UEFA-s, arbitri ka të drejtë të ndërpresë lojën, nëse në stadium ka kore raciste. Por, pavarësisht insistimit të stafit shqiptar që të bëhej thirrje për ndërprerjen e koreve “Vrisni shqiptarët!”, asnjë nga stafi i UEFA-s nuk mori masa. Madje, ata s’paskan dëgjuar asgjë të tillë, po t’i referohemi përgjigjes së anëtarit të Komisionit të Disiplinës, Rudolf Repka.

Pas tërë skenave të dhunës dhe futjes së “tifozëve” në fushë për të goditur lojtarët tanë, Atkinson kërkonte të vazhdonte lojën. Si është e mundur që një arbitër t’i kërkojë një skuadre të luajë në ato kushte? Por, këtë tentativë për të shpëtuar Serbinë nga turpi, ai e çoi deri në fund. Ndeshjen e deklaroi “të abandonuar” dhe jo të mbyllur për shkak të pamundësisë për t’u luajtur. Kjo i hapi rrugën edhe akuzës së dytë për abandonim të lojës, që me shumë gjasa do të përdoret për të na ndëshkuar.

Në tetor 2010, kur “tifozët” serbë detyruan ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi në “Marasi” të Xhenovës, lojtarët italianë refuzuan të luajnë pavarësisht, se në atë rast nuk ishte cenuar asnjë lojtar i tyre dhe nuk ishte futur asnjë tifoz në fushë. Arbitri e deklaroi lojën të mbyllur për shkak të kushteve. Ekipi italian nuk u akuzua kurrë për abandonim të lojës dhe e fitoi ndeshjen 3-0 në tavolinë, megjithëse Italia ishte përgjegjëse për organizimin (mori një gjobë 100,000 euro). Serbia u dënua me gjobë dhe dy ndeshje pa tifozë, por asnjë ndëshkim për djegien e flamurit tonë.

Vetëm pak ditë më parë (më 6 tetor), UEFA dënoi Partizanin e Beogradit për thirrje raciste në ndeshjen me Totenhemin, në po të njëjtin stadium ku 30,000 veta thërrisnin “Vritini shqiptarët” (fjala e përdorur për shqiptarë qe një term pezhorativ ekuivalent me negër për njerëzit me ngjyrë).

Po para pak ditëve u dënua Presidenti i Federatës Italiane, Tavekio, me 6 muaj përjashtim nga aktivitetet e UEFA-s, për një fjali totalisht pa vend për njerëzit me ngjyrë.

Trajtimi krejt i ndryshëm tregon qartë se UEFA nuk kërkon të luftojë racizmin në futboll, por thjesht është e detyruar nga opinioni publik, presioni politik (kujtojmë letrën e Kryeministrit britanik që kërkonte ndëshkim të fortë për Serbinë) dhe prezenca e madhe e lojtarëve me ngjyrë në futbollin europian. Kurse shqiptarët mund të shahen e dhunohen, ata prapë fajtorë do të ngelen. Sepse drejtuesit e UEFA-s dhe FIFA-s kanë vetëm hallin e rizgjedhjes së tyre dhe përfitimeve financiare që kanë falë posteve që mbajnë. Për këtë, dënimi i paevitueshëm për Serbinë duhet të shoqërohet edhe me dënimin e Shqipërisë.

Sidoqoftë, rasti më shokues është padyshim ai i Eshtën, e cila, si një personazh i lartë politik, nuk mund të përfshihet në një çështje që e konsideron plotësisht sportive dhe ku, sipas saj, nuk ka vend për politikë. Akoma më pak mund të na japë vlerësime profesionalizmi për një palë, kur çështja është nën hetim nga organet e UEFA-s, organi i vetëm përgjegjës për atë ndeshje.

Ndërkohë që mosdënimi i dhunës dhe racizmit nga përfaqësuesja më e lartë e BE-së për Sigurinë, do të ishte padyshim një pikë kthese e turpshme për BE-në. Them do të ishte, sepse kam bindjen se kjo zonjë nuk përfaqëson asnjë vlerë të BE-së. Këtë e tregojë qartë fare kur edhe në ditën e dytë pas ndeshjes, zëdhënësja e saj i bëri bisht pyetjes së gazetarëve të Top Channeldhe ia delegoi përgjigjen zëdhënësit për Kulturën e Arsimin.

Po znj. Eshtën nuk u mjaftua me kaq, por po bën një presion të madh mbi qeverinë shqiptare që Kryeministri Rama të mos e anulojë vizitën e tij në Beograd. Se me ç’të drejtë kjo zonjë kërkon të imponojë vendime të tilla, këtë më shumë duhet t’ua kërkojmë drejtuesve tanë. Por një gjë është e sigurt, kjo ngjan me një arrogancë prej kolonialisti. “Ti do shkosh atje, pavarësisht se ata, nga i pari tek i fundit, fyejnë vendin e kombin tënd dhe shpifin paturpësisht mbi ty dhe vëllain tënd!”

Është e njëjta formë presioni që është ushtruar mbi Kosovën për t’i detyruar të ulen në bisedime me palën serbe kundër vullnetit të popullit të Kosovës dhe pa asnjë ndjesë nga pala serbe për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Çka tregon qartë që kjo zonjë nuk ka asnjë respekt për sovranitetin tonë dhe se kërkon vetëm një gjë, famën e një suksesi të rremë. Ajo kërkon të na bëjë të besojmë se po shëron plagët në Ballkan, por në fakt, ajo e di fort mirë që vetëm po mundohet t’i mbulojë për t’i fshehur ato. Se ç’ka shëruar Eshtën në këto 5 vjet e pamë shumë mirë të martën në Beograd, po e shohim tani me dhunimin e shqiptarëve në Serbi e Mal të Zi, siç e kemi parë në dhunën e vazhdueshme ndaj shqiptarëve në IRJM dhe në veri të Kosovës. Që të mos fshihemi pas gishtit, as ne nuk po i duam e nuk do arrijmë t’i duam edhe për ca kohë. Por të paktën s’po agresojmë askënd dhe padyshim që kemi dhënë prova se jemi një model i tolerancës.

Në këto kushte, nuk mund ta bëjmë shumë me faj Kryeministrin se nuk është në gjendje të kundërshtojë një urdhër, sado arrogant, që vjen nga BE-ja. Kjo paaftësi është një trashëgimi shumëvjeçare e shtetarëve tanë. Por një pikë kthese është e domosdoshme dhe ky është momenti më i mirë. Ekipi Kombëtar dhe Dinjiteti Kombëtar, që na janë dhunuar e fyer, janë të mbarë shqiptarëve. Ndaj NE, të gjithë duhet t’i themi Kryeministrit: “Jemi me Ju nëse vendosni të na përfaqësoni denjësisht dhe të refuzoni të shkoni në Beograd. Të paktën jo pa një kërkesë ndjese të qartë nga autoritetet serbe për dhunën dhe fyerjet”. Kur them NE, nuk kam parasysh vetëm njerëzit, por mbi të gjitha ata që duhet të na përfaqësojnë në Parlament. Dinjiteti Kombëtar nuk njeh parti e interesa partiake, ndaj është një rast shumë i mirë për opozitën që të kthehet në Parlament dhe të tregojë se di të ndajë mosmarrëveshjet politike nga interesat kombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button