Shqiptarët po j’ua kthejnë shpinën shqiptarëve
Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev po tallet me ndjenjat e shqiptarëve të Maqedonisë. Besimi dhe respekti ndaj Zaevit ka rënë në mënyrë drastike tek qytetarët shqiptarë ku tanimë një pjesë e madhe me rezerva i marrin premtimet e tij se do të publikojë materialet të cilët do të ndriçojnë rastin famëkeq “Monstra”.
Premtimi i Zaevit më shumë se tre muaj është se do të publikojë rastin “Monstra” mirëpo në realitet nuk po ndodh asgjë. Ky premtim dhe mosrealizim i tij po shkakton një zhgënjim të madh dhe padurim tek popullata shqiptare në Maqedoni.
Besimi ndaj Zaevit çdo ditë e më shumë po shënon rënie andaj edhe Zaev e ka tepër rëndë që të kthejë besimin tek shqiptarët të cilët në fillim të publikimit të bombave i dhanë mbështetje të parezervë, madje filloi një grup i konsiderueshëm i shqiptarëve të anëtarësohen në LSDM.
Analistët janë të mendimit se Zaev me këto taktizime njëherë e përgjithmonë do ta mbyllë derën e bashkëpunimit me shqiptarët për shkak të mos-sinqeritetit dhe mos publikimit të materialeve që kanë të bëjnë me funksionarët shqiptarë në Maqedoni.
Analistët politik për Zhurnal duke komentuar mos publikimin e ‘bombës’ për rastin ‘Monstra’ thonë se Zaev është duke pritur momentin e duhur për të publikuar materialet për këtë rast sepse bëhet fjalë për rast mjaft të ndjeshëm që mund të shkaktojë reagime të ashpra në opinion.
“Ka edhe prej atyre që kalkulojnë me ato përgjimet. Ka që bëjnë matematika dhe tendencë për përfitime e kështu me radhë. Unë e kuptoj shqetësimin e Zaevit për publikimin e atyre materialeve se aty mund të ketë shqetësime më të mëdha sepse nuk janë ato materiale për shoqata. Ato janë material shumë të ndjeshme, ka emocione dhe mund të ketë reagime të ashpra në opinion. Bëhet fjalë për materiale tejet shqetësuese. Por, gjithsesi se Zaev dëshiron ta zgjedh momentin për të publikuar rastin ‘Monstra’ dhe të jetë më adekuate edhe për ta”, deklaroi për Zhurnal, analisti politik Albert Musliu.
Sipas tij, pritshmëria e qytetarëve është diçka tjetër mirëpo nga LSDM-ja bëjnë kalkulime se çka mund të bëhet me ato materiale. “Zaev nuk mund ta anashkalojë publikimin ndërsa është duke e pritur momentin e përshtatshëm. Ai nuk mund ti fshehë ato materiale edhe nëse Gruevski jep dorëheqje. Ndërpritet publikim i bombave mirëpo materialet Zaev do të jetë i obliguar t’ia dorëzojë Prokurorisë publike”, theksoi, analisti politik Albert Musliu.
Ndryshe, ditë më parë në pyetjen e gazetarëve se pse lideri i opozitës Zoran Zaev nuk po e publikon “bombën” për rastin Monstra, i njëjti u përgjigj se kur t`i vijë koha do ta publikojë edhe këtë të vërtetë.
“Ne mund të kemi njohur fillestare, por nuk ishte qëllimi i ynë që ta luajmë rrolin e gjykatësit hetuesi, dhe nuk bëjmë kombinime, por kur do t`i vijë rendi do t`i publikojmë edhe incizimet për Monstrën dhe kur do t`i publikojmë vet qytetarët do të sjellin përfundime”, ka deklaruar Zaev.