Shqyrtohet rritja e 3000 pensioneve të lidhura në vitet 1993-1996
Shkurtohen afatet e verifikimit të dokumenteve me probleme për vjetërsinë e punës. Ankimimi dhe zgjidhja nuk do kalojë më nëpërmjet gjyqeve, por në komisionet rajonale të sigurimeve shoqërore. Këto të fundit, do të vlerësojnë më shpejt në kohë mangësitë në lidhje me njohjen e vjetërsisë së punës
Pranvera Kola /Dita
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka miratuar në mbledhjen e ditës së djeshme, hapat që do të ndiqen për verifikimin e shtesave për pensionet e plota dhe të parakohshme të llogaritura përgjatë viteve 1993-1996 për minatorët, si dhe përfitueset gra që kanë punuar në punë vështira.
Ndarja e këtyre shtesave, e zyrtarizuar edhe me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, do të shërbejë për ngushtimin e diferencave që ekzistojnë ndërmjet pagesave mujore të këtyre pensionistëve, si dhe përfituesve të tjerë të skemës aktuale, të llogaritura në vitet e mëvonshme.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, konfirmoi gjatë mbledhjes se si rezultat i zbatimit të këtij vendimi, do të shqyrtohen për të përfituar këtë shtesë, të gjitha pensionet e lidhura mes viteve 1993-1996, përfituesit e të cilave kanë kryer punë shumë të vështira, siç janë disa punë në industrinë tekstile, apo në metalurgji dhe naftë.
Nga miratimi i këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 3000 pensionistë, kryesisht gra që kanë bërë punë të vështira dhe minatorë, të cilët kanë dalë në pension të plotë, apo pension të parakohshëm në vitet 1993-1996.
Shkurtimi i afateve për gjetjen e vjetërsisë së munguar të punës
Çështje të tjera të rëndësishme të diskutuara në këtë mbledhje, ishin edhe shkurtim i afateve të shërbimit ndaj qytetarëve përmes përshpejtimit të procedurave të verifikimit dhe marrjes së vendimeve administrative për vjetërsinë në punë, si dhe shmangien e proceseve gjyqësore.
Këto dy problematika, ishin thelbi i ndryshimeve që Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi në mbledhjen e ditës së djeshme mbi rregulloren e re: “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.
Ministri Klosi, vuri theksin në rëndësinë që ka shmangia e disa problematikave të dokumentacionit mbi periudhat e vjetërsisë në punë, që deri më sot janë zgjidhur përmes rrugës së gjyqësorit. Miratimi i kësaj rregulloreje, i hap rrugën mjaft zgjidhjeve përmes procedurave administrative.
Sipas drejtuesve të ISSH-së, pas këtij vendimi pritet të shtohen zgjidhjet e plota të ankesave të qytetarëve për njohjen e periudhave të sigurimit në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore dhe parashikohen afate më të shkurtra në marrjen e përgjigjeve dhe vendimeve, si rrjedhojë e lehtësimit të procedurave dhe saktësimit të kompetencave që do të kenë komisionet që vlerësojnë dokumentacionin e vjetërsisë në punë.
E veçanta e këtyre ndryshimeve është fakti se, ndahen qartësisht çështjet që do të shqyrtohen nga komisionet rajonale dhe strukturat qendrore të apelimit, nga ato çështje që do të shkojnë për zgjidhje në gjykatat e faktit, duke shkurtuar kështu me mbi tre muaj kohën e përgjigjes ndaj qytetarëve.
Kushtet e daljes në pension për 2017
Referuar ligjit të sigurimeve shoqërore, personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite, si vjetërsi kontributive, kanë të drejtë për pension pleqërie kur arrijnë moshën e përcaktuar për secilën kategori ku grupohen profesionet që kanë kryer.
Gjithashtu, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vite para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, të cilët duhet të kenë siguruar edhe vjetërsinë e kërkuar kontributeve, si dhe nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Nënat që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite dhe mosha. Për vitin 2017, meshkujt do të dalin në pension në moshën 62 vjeç dhe duhet të kenë 36 vite vjetërsi pune për profesionet e kategorisë së parë.
Për dy kategoritë e tjera, mosha e daljes në pension do jetë 65 vjeç dhe vjetërsia e kërkuar e punës, është 36 vite të zyrtarizuara në librezën përkatëse. Për femrat mosha e daljes në pension për profesionet e kategorisë së parë është 57 vjeç, ndërsa vjetërsia e punës 35 vite. Për profesionet e kategorisë së dytë dhe të tretë, mosha e përcaktuar për daljen e femrave në pension është 60 vjeç e 6 muaj, të cilat duhet të kenë të njohur 36 vite, si vjetërsi kontributeve.
Llogaritja e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar nga ligji, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.