Shtëpia e Kadaresë, së shpejti një rezidencë arti
“Viti i Kadaresë” do të rikthejë në jetë shtëpinë e shkrimtarit
“Shtëpia Kadare” shumë shpejt do të jetë një qendër muzeore dhe kulturore. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, kanë nënshkruar dje marrëveshjen për rijetëzimin e shtëpisë së lindjes së shkrimtarit të njohur. “Marrëveshja, e nënshkruar sot, ka për qëllim vënien në funksion për qëllime muzeore, artistike e kulturore dhe rezidenciale të banesës “Shtëpia Kadare”, duke ndërmarrë veprime konkrete për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore dhe jo vetëm dhe për promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të qytetit”, tha Kumbaro. Kthimi i shtëpisë në një rezidencë artistike do të bëjë që çdo fillimviti ministria dhe bashkia të hartojnë një kalendar kulturor mbi aktivitetin e saj. “Në përvjetorin e 80 të shkrimtarit kjo banesë do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistë të rinj dhe të talentuar dhe besoj fort se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë duke prodhuar një ekonomi në rritje në zhvillim të turizmit”, tha Kumbaro. Po dje është miratuar kalendari i aktiviteteve për vitin 2016, i cili është shpallur si “Viti i Kadaresë”. Ditëlindja e 80-të e shkrimtarit do të nisë në moton “Gjirokastra lexon me Kadarenë”, konceptuar si një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës. “Gjirokastra lexon me Kadarenë” do të jetë sipari i aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjalla të romaneve në hapësirat publike. Ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut për të kuptuar rëndësinë e saj dhe duke ndier ndikimin në hapësirën publike do të pasohet me aktivitetet e tjera artistike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër në datat 28, 29 dhe 30 janar, një fundjavë kulturore për “Komandantin e Legjionit të Nderit” që ndërkombëtarizoi qytetin e pjerrët, ndërtuar jashtë çdo ligji të urbanistikës.
“Shtëpia Kadare” është në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe është dhuruar nga shkrimtari i mirënjohur me destinacion në një qendër kulturore, muzeore dhe rezidenciale.
Banesa e shkrimtarit Kadare, me vendndodhje brenda qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, deklaruar me vendim nr. 4, datë 07.05.1991, monument i kategorisë I dhe si e tillë së fundmi, është restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe MK.