Opinion

Shtëpia jonë pranë rrugës

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaKur e ke shtëpinë pranë rrugës, dhe kur rruga është me rëndësi të madhe, edhe rreziqet dhe të mirat janë të mëdha. Nganjëherë kjo sjell përfitime, e nganjëherë të djeg shtëpinë!

Dikur, jo shumë moti, një politikan militant, tash banor në ambientet e Tribunalit për Krime Lufte në Hagë, e përdorte shpesh një thënie për të ulur rëndësinë e kundërshtarëve politikë. “Ani çka”, u drejtohej ai, “se mos e keni shtëpinë pranë rrugës?!” Në çdo vend tjetër kjo do të tingëllonte si shaka apo si grindje fëmijësh, qoftë edhe në Parlament, sikur në Serbi, nëpër përrallat me të cilat fëmijët vihen në gjumë të mos përmenden ende idetë se ata i posedojnë “çelësat” e rrugëve. Kjo ëndërr, për të kontrolluar rrugët ose thënë në gjuhën e sotme korridoret dhe infrastrukturën nëpër Ballkan, e bën këtë shaka tejet serioze, një objekt të psikanalizës kolektive. Pra, nuk është veç shaka. Përpos korridorit të dhjetë, transversalja ortodokse synonte vazhdimisht përpos Egjeut edhe Adriatikun, duke i bashkangjitur kësaj edhe korridorin e 11, i cili ende nuk është përfunduar. Ky korridor ndjek linjën e rrugës / hekurudhës Beograd -Tivar, e cila tash do të zgjatet deri në Rumani.

Rrugët, pra, kryqëzohen në Serbi dhe vijat ideologjike veç i kanë ndjekur vazhdimisht vijat gjeopolitike.

Zyrtari i lartë serb, ultranacionalisti Sheshel, kërcënonte fqinjët e tij të besimit mysliman, me shpërngulje nga tokat dhe shtëpitë e tyre, “pranë rrugëve”. Këtë e bënte me bekimin e peshkopëve ortodoksë serbë dhe rusë, të cilët publikisht bekonin armët e shtetit serb dhe të paramilitarëve, në luftën e tyre të shenjtë kundër islamit.

Edhe imamët, dhe dijetarët në Bosnjë, Sanxhak, Kosovë, Maqedoni e deri në Turqi, flisnin për rrugët. Qoftë përmes përrallave, qoftë përmes këngëve kreshnike apo të (pa)vërtetave të tjera historike. Aq më tepër duke thënë se të gjitha rrugët e rëndësishme nëpër Ballkan vijnë nga Turqia dhe shkojnë drejt Europës. Vijnë rrugët e naftës, gazit, transportit të mallrave, drogës … Të gjithë kanë interes të ndërtojnë dhe të kontrollojnë rrugët, nëpër Ballkan. “Transversalja” islamike u bë përpos nocion gjeografik, edhe ideologjik. Nocion gjeopolitik! Imamët bekonin armët dhe luftën e shenjtë, duke u përkundur në ëndrrat për perandorinë e re.

Tash edhe “kalifati” flet për shtetin global islam, për Europën islame dhe ndjek vijat e moçme. Gjeopolitika është hartë, pra! Janë rrugët. Janë idetë për rrugët. Pretendimet e islamikëve se është zbuluar rendi i përsosur i gjërave dhe organizimit shoqëror, po përkundin shumë të rinj në djepin e ëndrrave të tilla. Po e bekojnë dhe po e arsyetojnë dhunën, për me e përhapë me armë këtë rend, këtë model. Kështu, detyrimisht, angazhimi kundër dhunës merr dimension, luftarak.

Të gjitha këto vija, që lidhin Europën dhe Azinë, kryqëzohen dhe konfrontohen ku heshturazi e ku hapur në Ballkan, ndërkohë që shqiptarët ende po i rezistojnë këtij konfrontimi, i cili pas rënies së komunizmit po merr karakter ndërfetar. Ideja e harmonisë ndërfetare te shqiptarët po duket ende e qëndrueshme, përkundër kalkulimeve qeveritare në Tiranë, Prishtinë apo Shkup.

Arrestimet masive të imamëve në Prishtinë, bashkë me ish-luftëtarët “e shenjtë” dhe retorika luftënxitëse ku ngatërrohet islami dhe terrorizmi, në vend se t’u japin drejtimin e duhur marrëdhënieve ndërfetare te ne, po i acarojnë ato. Në vend të paqes dhe harmonisë, qeveria në ikje po e valëvit flamurin e luftës, e cila rrezikon ta rrënojë modelin shqiptar.

Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dukshëm i shqetësuar, po shprehej se situata e sigurisë është alarmante. “Rajoni është duke shkuar (në atë drejtim) për t’u bërë një lindje e afërme”, ka thënë ai, në dhomën e takimeve, në Samitin e NATO-s, larg syve të publikut dhe medias. Të gjitha kapacitetet, (aero)portet tona janë në dispozicion të kësaj lufte, u përbetua ai.

Kështu, vizita e Papë Françeskut në Tiranë merr përmasa përtej asaj që realisht do të kishte kur një udhëheqës fetar, viziton një vend dhe një popull të vogël për nga numri. Por ky popull, e ka “shtëpinë” pranë rrugëve të mëdha, në udhëkryq të civilizimeve, të cilat janë prekur me cepat e tyre në Ballkan dhe janë prekur edhe brenda qenies së vetë popullit shqiptar. Një popull me 4-5 besime brenda vetes, kjo po që është luftë civilizimesh, në vetë kokat tona!

Kjo vizitë erdhi në Shqipëri, në kohën e duhur. Rëndësia që i jepet kësaj vizite në një vend me shumicë të besimit mysliman, i cili ndodhet vetëm disa qindra kilometra larg selisë së shenjtë, i tejkalon arsyet e zakonshme. Ky popull, pesë shekuj më parë, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ndali vrullin e dy sulltanëve, që synonin Romën.

Papës i dëshiruan mirëseardhjen qytetarë të shumtë të ardhur nga të gjitha anët, të besimeve të ndryshme, të cilët këtë vizitë e shohin si me rëndësi të madhe kombëtare dhe qytetëruese. Edhe mediat globale i dhanë publicitet të jashtëzakonshëm, duke folur për bashkëjetesë fetare, brenda një populli, i cili i ndodhur në udhëkryqin e civilizimeve të mëdha, duket se kishte gjetur formulën, modelin e shenjtë të paqes. Në fjalimin e tij, lufta dhe paqja, u shfaqën si dy ideologji të kundërta dhe si dy alternativat e kohës sonë, ku fuqia ushtarake (nuk) është me rëndësi vendimtare. Lufta zhvillohet në kokat dhe zemrat e njerëzve.

Dikur Ruzvelti dhe Çërçilli i kanë thënë Stalinit se edhe Vatikani i ka disa kërkesa, të cilat duhet të përfshihen në bisedime, e ai paska pyetur: “Sa divizione ka Papa?” Pra cila është fuqia e tij ushtarake?

Stalini nuk kishte aq jetë për me e pritë përgjigjen në pyetjen e tij dhe nuk e priti me e pa se si komunizmi filloi të bjerë pikërisht kur u ballafaqua me “divizionet” e Papës.

Më lart i përmendëm çelësat e rrugëve, ndërkohë që kryeqyteti shqiptar, duke promovuar paqen, e fali edhe një “çelës”.

Në këtë vizitë, Ati i Shenjtë, duke folur kundër dhunës për të arritur qëllime hyjnore në tokë, e mori çelësin e Tiranës, nga kryebashkiaku aktual. Në këtë glob që e sundojnë skifterët, a thua cila është fuqia e pëllumbave të paqes? Vërtet, sa divizione ka Papa? Hyn në punë çelësi i kryeqytetit shqiptar?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button