Shteti në skaner/Verifikohen 3 mijë funksionarë në sitë për pastrim parash
Në fshehtësi të plotë dhe falë koordinimit të një numri të gjerë institucionesh, është realizuar operacioni më masiv, për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive të paligjshme, të zyrtarëve shqiptarë, të fshehura brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Organet ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, kanë mundësuar vitin e kaluar verifikimin e pasurive të paluajtshme dhe parave të pista të gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve, ambasadorëve dhe drejtorëve shqiptarë, të fshehura brenda dhe jashtë vendit. 13 personazhe me influencë më madhe në Shqipëri kanë rënë në rrjetën e këtij operacioni gjatë vitit 2017, ndërsa në total janë sekuestruar 9 milionë euro si para të pista.
Konfirmimi
Verifikimi është konfirmuar dje nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2017. Vetëm brenda një muaj, Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka kthyer përgjigje Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për 3 mijë persona të verifikuar, ku përfshihen jo vetëm njerëzit e drejtësisë, por edhe zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët duhet të deklarojnë pasurinë.
Gjithashtu, në raportin e prezantuar dje në Komisionin e Sigurisë thuhet se, DPPPP, që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ka bashkëpunuar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, organin e nivelit bazë të Vetingut, për verifikimi pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, brenda dhe jashtë vendit, pasuri të cilat mund të jenë produkt i parave të pista. Këto verifikime masive, janë bërë për llogari të ILDKPKI dhe procesit të Vetingut. Për evidentimin e pasurive të krijuara më para të pista, DPPPP ka bashkëpunuar edhe me ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Tiranë, të cilët asistojnë shqiptarët në zbatimin e ligjit të Vetingut.
“Bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, DPPPP, gjatë vitit 2017, ka krye verifikime në bazë të të dhënave dhe ke kthyer përgjigje për 3 mijë persona për ILDKPKI, proces ky voluminoz për institucionin, duke marrë në konsideratë se i njëjti numër personazh verifikohet përafërsisht ne bazën vjetore për llogari të policisë dhe prokurorisë. Bashkëpunimi më ILDKPKI, jo vetëm në kuadër të këtij procesi, por edhe më gjerë është në nivele shumë të mira. Në vijim, që nga muaji nëntor 2017, kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të kthimit të përgjigjeve të dhëna që DPPPP disponon, apo që mund të sigurohen nga homologët jashtë vendit, në respekt të dipozitave përkatëse të bashkëpunimit ndërkombëtar. Bashkëpunimi me ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gjithashtu ka qenë konstant dhe konstruktiv”, thuhet në raport.
7 mijë persona me aktivitet të dyshimtë
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj, tha gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, janë verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash.
“Viti 2017 ka qenë intensiv për institucionin tonë. Çështjet që meritojnë vëmendje: Vlerësimi nga komiteti MANIVAL për pastrimin e parave. Jemi në një fazë të avancuar. Procesi përfshin institucione të rëndësishme, si BB, AMF, prokuroria, policia, Doganat, Tatimet, Ministria e Jashtme, etj. Para muajit korrikut do të kemi raportin, procesi është në vijim. Sa i takon, bashkëpunimit me Prokurorinë, Policinë dhe SHISH, ka elementë për të rregulluar. Kemi referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash. Gjatë viti 2017: janë lëshuar 52 urdhra bllokimi për 11.2 milionë euro dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me KPK, si dhe kemi shkëmbyer informacione me ndërkombëtarët në nivel Shërbimi Inteligjent. Kemi verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash”-tha Arlind Gjokutaj, Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave
Politikanët
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, tha se hedhja në qarkullim e parave të pista është problemi më i madh që ka Shqipëria. “Hedhja në qarkullim e parave të pista është problemi më i madh që ka vendi ynë. A ka pasur politikanë të përfshirë në pastrimin e parave?”, tha Salianji. Ndërkaq, Gjokutaj nuk foli për politikanë të përfshirë, por persona më influencë të lartë.
“Terrorizmi financohet me shuma dhe shumë të vogla. Kemi bllokuar rreth 75 mln euro. Aktiviteti ynë shënon një veprimtari në rritje. Kemi pasur 5 raste të referuar për financim të terrorizmit. Institucioni ynë ka qenë pjesë e Task Forcës së ngritur për monitorimin e zgjedhjeve. Në vija të përgjithshme, në periudhën parazgjedhore nuk pati një rritje e pajustifikueshme e sasisë së parave në qarkullim. Sa i takon ndikimit të këtyre parave në kursin e këmbimit, ne nuk jemi institucioni i duhur. Kursi i këmbimit në vendin tonë është totalisht i lirë. Janë 13 raste të referuara për shpërdorim detyre apo pasiv, që është shifra më e lartë e referuar ndonjëherë në histori. Këta nuk janë detyrimisht politikanë, por janë persona me influencë të lartë”-u shpreh Arlind Gjokutaj.